Ditën që kuptoi se zëri do të bëhej bashkëudhëtari më besnik i jetës së saj, gjithçka ndryshoi! Gjërat morën tjetër rrjedhë dhe kthesa drejt shtigjeve dhe dimensioneve të reja ishte gati e paevitueshme! Muzika është shpirti i saj! Zëri është gjuha përmes të cilës flet! Kudo! Në skenë, përpara publikut të zjarrtë! Në përditshmëri krahë skuadrës që e shoqëron dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë! Sepse si një artiste e re, por me me “peshën” e famës ndërkombëtare mbi supe, ajo na dëshmon se nuk është vetëm ylli në ngjitje, është tashmë këngëtarja premtuese dhe plot vlera e muzikës shqiptare, por jo vetëm!
Në një intervistë të pazakontë të sajën, me një rrëfim që të jemi të sinqertë prej kohësh i kishte munguar medias, për shkak të daljeve publike të rezervuara së fundmi, e bashkë me natyrën diskrete për të ruajtur me “fanatizëm” gjithçka i takon sferës personale, Arilena Ara vendosi të flasë për Class këtë herë.
Është një nga ato bisedat që nuk i shpëtojnë vëmendjes, përkundrazi të ngulitet gjatë në kokë, edhe pasi e ke lexuar dhe rilexuar rishtasi. Sepse, aty nuk flet vetëm artistja e re, për karrierën, për projektet, për famën e suksesin! Aty shprehet zëri brenda vetes! Pa dorashka, në një bisedë krejt të çlirët, ku Arilena nuk vendos barriera në temat e piketuara për intervistë, por natyrshëm flet për gjithçka duam të dimë.
Për jetën virtuale dhe “paktin” me veten për të mos dalë mbi atë që është! Një Arilena normale, e sapo zgjuar në mëngjes, me flokët e shpupurisura, ma grim, çka tregon emocionin e vërtetë dhe natyrën e saj reale përpara çdo dalje publike apo performance të re. Në këtë intervistë ajo flet për raportin me të ëmën, për këshillat që i kanë dhënë prindërit, për “grackën” e perfeksionit në të cilën bien shumë kolegë të saj dhe për vendimin që ajo ka marrë në këtë pikë. “Kam kuptuar që origjinaliteti dhe imperfeksioni janë bukuria ime. Ajo çfarë na bën unik janë “defektet” dhe gjëja më e vështirë është për t’i pranuar”, thotë Arilena.
Bashkë me intesitetin e verës dhe angazhimet në koncerte, ajo zbulon sekretin e djalit biond dhe puthjen me të, fotoja e të cilëve bërin namin këtë sezon. Ndaj, bëhuni gati për një intervistë të gjatë dhe interesante që do t’ju shijojë pafund…
Ti je bërë e famshme në adoleshencën tënde. Mendon se ke humbur diçka nga kjo moshë, kur shumë nga bashkëmoshataret e tua janë ende në kërkim të vetes?
Është një ndjesi e mrekullueshme që kam fatin të bëj atë që dua më shumë, muzikën. Cilësia më e mirë që njoh tek vetja është aftësia e të kënduarit, prandaj nuk e kthej kokën asnjëherë mbrapa për të menduar nëse kam një pendesë apo “humbje”…Në mënyrën time jam përpjekur të jetoj çdo gjë që më mbush shpirtin, adrenalinën apo aventurat e moshës dhe mendoj që jam e lumtur me kujtimet që kam lënë pas.
Pa frikë, ti mund të cilësohesh si “mbretëresha e Instagramit”! Si do ta ndaje vijën e mesme të artë midis jetës publike dhe asaj private?
Ndërsa, unë nuk mendoj njësoj si ty(qesh). Rrjetet sociale janë detyrimisht një pjesë e pandashme e artistëve, përfshirë dhe mua. Unë mendoj që është një angazhim i rëndësishëm për të qenë më afër fansave, admiruesve të muzikës dhe punës sime. Jam përpjekur gjithmonë që në mesin e udhëtimeve dhe koncerteve të tregoj gjithashtu një Arilena normale, kur sapo zgjohet në mëngjes me sytë e fryrë apo flokët e shpupurisura, të tregoj çdo emocion të vërtetë që përjetoj përpara se të ngjitem në skenë dhe energjinë time pas performancës. Është e pamundur të mos ndash ato detajet e vogla që unë i quaj aq private, ato buzëqeshjet e ëmbla kur diçka na bën të lumtur, ato ndjesi gëzimi kur kalon një ditë të bukur. Dhe ka momente që dua shumë t’i ndaj me një foto.
Je e re, e suksesshme, me shumë prurje artistike të famshme edhe në botë. Çfarë ke ndryshe nga brezi jot i disa viteve të shkuara, për sa kohë që ti mundesh ta shfaqësh talentin tënd, të jesh në qendër të vëmendjes, etj?
Leksioni më i bukur që kam mësuar është “sfida ime më e madhe jam unë”. I bëra një zotim vetes ndaj muzikës shumë vite përpara dhe mendoj që e kam respektuar si gjënë më të shenjtë! Për mua nuk ekziston fama, por suksesi! Unë nuk kam bërë asgjë më shumë, se sa thjeshtë punë, kam vështruar gjithmonë tek objektivat e mia pa ndjerë lëkundje, pa ndjerë pasiguri. E kam zgjedhur muzikën si partnerin e jetës, dhe mendoj që njerëzit mund ta ndjejnë këtë dashuri të madhe nëpërmjet këngëve të mia.
A është e vështirë të ruash standardet e tua? Frika se mos bie pre e stilit të muzikës së masës që po qarkullon rëndom gjithnjë e më shumë?
Mund të them që është pak delikate! Por, unë nuk mund të tundohem nga një stil muzike që nuk fle mirë në karakterin tim. Unë punoj prej vitesh me producentin Darko Dimitrov dhe mendoj që arrijmë të bëjmë një punë të mirë në ekip përsa i përket cilësisë apo standardeve që ne duam të mbajmë dhe të sjellim në publik! Autenticiteti, është sekreti më i madh!Ndihesh e prekur nga ajo që ndryshe njihet si presioni i perfeksionit? Tek artistët kjo frymë është shpesh e pashmangshme…Çfarë mendimi ke?
Artisti duhet të ndjehet një shpirt i lirë, por nuk mund të jetë gjithmonë. Kemi përgjegjësi të mëdha ndaj njerëzve që na ndjekin prandaj nuk mund të veprojmë gjithmonë sipas instikteve të momentit. Presioni mbi artistët është kryefjalë, dhe perfeksioni është gjëja që ne tentojmë më shumë të arrijmë. Duke u përpjekur për të qenë ndoshta një ‘role model’, kemi frikë të bëjmë gabime. Nuk kemi kohë të bëjmë gabime dhe t’i shijojmë ato…Ka pasur momente që mendoja se kam nevojë që njerëzit të shohin “perfeksionin” tek unë, të ilustruar në një foto por jo, nuk është ajo çfarë unë dua. Kam kuptuar që origjinaliteti dhe imperfeksioni janë bukuria ime. Ajo çfarë na bën unik janë “defektet” dhe gjëja më e vështirë është për t’i pranuar.
Kush është femra ‘role model’ për ty?
Femra që unë admiroj është mamaja ime!
Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Prindërit nuk reshtin kurrë së dhëni leksione! Unë mendoj që kjo që jam sot dhe ajo që do bëhem nesër është falë tyre. Shpresoj që të ndjehen gjithmonë krenarë për mua!
Çfarë do t’i thoni atyre që mendojnë se ti nuk mund të jesh feministe dhe gjithashtu të përqafosh feminitetin tënd njëherësh?
Fillimisht që të jesh feministe duhet të përqafosh fort feminitetin tënd! Çdo femër është pak feministe brenda saj përfshirë dhe mua.
A të kujtohet ai moment i artë në jetë, kur e kuptove që kishe një fuqi të vërtetë?
Po, sepse është një moment që edhe sot e mbaj akoma të përqafuar fort. Momenti kur kuptova që zëri është gjuha nëpërmjet së cilës gjithmonë do të flas dhe emocioni më i pastër që mund të përcjell.
Synimet e tua për fazën e ardhshme të karrierës?
Këtë periudhë jam përqendruar që të punoj mbi albumin tim të parë në anglisht! Ajo çfarë dua është që muzika ime të jetë kolona zanore e zemrave të njerëzve.
Cila është ambicia jote më e madhe sa i takon karrierës?
Të vazhdoj suksesshëm rrugën që kam nisur përpara shumë vitesh!
Si ishin pushimet e kësaj vere? Me kë i kalove?
Dua të jem shumë e sinqertë, prandaj realisht pushime nuk ka pasur! Sezoni i verës ishte udhëtim shumë i bukur nën shoqërinë e ekipit tim dhe miqve të mi më të mirë, pasi kam pasur fatin të mbaj koncerte në disa nga vendet më turistike në botë, por nga ana tjetër kam shijuar pamjen thjesht me sy pasi detin nuk e kam prekur dot. Është periudha më frymëzuese për mua, prandaj përtej koncerteve nuk dua të bëj asgjë tjetër përveçse të mbyllem në studio dhe të krijoj me muzikë.
Ke një koment për fotot e fundit të publikuara ku ju shfaqeni duke u puthur me një djalë biond misterioz?
Shumë shpejt, djali nuk do jetë më misterioz për ju… Do ta zbulojmë edhe sekretin.
Si është një e shtunë tipike për ty?
Bukuria në ditët e mia qëndron, që asnjëherë nuk janë njësoj. Nuk mund të them që e hëna është punë apo e shtuna pushim. Është gjithmonë e papërcaktuar! Por, shpeshherë mund të them që e shtuna është ditë koncerti, prandaj dhe zgjimi fillon shumë herët. Fillojnë menjëherë përgatitjet për prova gjenerale bashkë me ekipin tim! Pas provave përpiqem të pushoj pak dhe të jem e relaksuar edhe pse është e pamundur. Kjo ndodh sepse energjia ime është gjithmonë në fokus tek performanca që do sjell përpara publikut prandaj përpiqem të mbyll sytë me forcë dhe të fshij çdo mendim apo pasiguri që ndjej…Vetëm pasi mbarojmë koncertin, mund të marrë frymë lirshëm dhe kuptoj sa e bekuar jam! Gjithçka përfundon me një festë ë vogël private përkrah familjes sime të madhe.
Cilët janë disa artistë që do preferoje të bashkëpunoje në të ardhmen? Cilët artistë të frymëzojnë më së shumti?
Unë jam rritur me kulturën e muzikës Pop, dhe një nga dashuritë më të mëdha që ndjej për muzikën Pop është falë Michael Jackson. Mbaj mend kur kam qenë shumë e vogël, e kam ndjekur si një shembull për njeriun dhe artisten që doja të bëhesha dhe mund të them që më ka frymëzuar shumë rreth artit. Prandaj dhe bashkëpunimi im i ëndrrave është i pamundur sot…
Sa para ke fituar këtë verë?
Unë besoj që, pasuria më e madhe për një artist është PUBLIKU, sepse publiku i jep zë këngëve të tua, dhe jetë muzikës tënde! Prandaj, nuk kam pasur asnjëherë dëshirë të flas për shifra.
Duket sikur jeta jote është një udhëtim i vazhdueshëm, kjo për arsye të axhendës së koncerteve. Sa e lehtë është të gjesh ekuilibrin me veten për shkak të këtij stili jetese?
Unë jam në një ekuilibër perfekt me atë çfarë bëj! Koncertet, udhëtimet dhe gjithçka tjetër më janë kthyer në stilin tim të jetesës.
A ka ndonjë vend me të cilin jeni më e lidhur shpirtërisht, për shkak të një koncerti o ngjarje personale?
Kam koleksionuar kujtime të bukura në çdo vend që kam vizituar, por dua të veçoj perëndimin e diellit në Odessa (Ukrainë).
Besoni tek miqësia e vërtetë?
Besoj në gjithçka që është e vërtetë! Duhet të kesh fat që të jesh me njerëzit e duhur.
Tri cilësitë që ju identifikojnë për figurën e artistes që jeni sot?
Origjinaliteti, Energjia dhe Ambicia.
Ju mungon koha e lirë në dispozicion të miqve, njerëzve të dashur?
Kur ke një jetë aktive të ngarkuar, ka momente kur ndjen shumë mall për njerëzit e tu të dashur mungesa e të cilëve është e paevitueshme.
Si do ta përshkruaje stilin tënd të veshjes?
Në përditshmëri jam shumë e thjeshtë, zgjedh gjithmonë veshje që më bëjnë të ndjehem komode. Ndërsa, në çdo dalje timen në publik, e respektoj skenën dhe rregullat e saj maksimalisht!/Revista Class/