Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, deklaroi se politikanët serbë po e përdorin Kosovën si kartë për të fituar vota.
Pasi zgjedhjet parlamentare e presidenciale në këtë shtet janë afër, Kamberi ka theksuar se gjuha e e krerëve serbë do të ashpërsohet edhe më tej, shkruan Insajder.
Zëri i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se pret që Bashkimi Evropian dhe misionet e tjera ndërkombëtare të ashpërsojnë kritikën ndaj këtij shteti.
Sipas Kamberit, kjo mund të ndikojë edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Shaip Kamberi: “Po mundohen që me kartën e Kosovës, e cila për 30 vjet e më tepër i shërben partive politike në Serbi për të fituar kredibilitet dhe për të fituar vota. Sidomos të asaj pjese të asaj Serbie nacionaliste dhe multi-nacionaliste, e cila temën e Kosovës e sheh si të pa zëvendësuar. Prandaj edhe ashpërsimi i gjuhës nga krerët shtetërorë mund të jetë çdo herë në rritje”.