Sot Basha tha me shkronja kapitale se e vetmja rrugë për të pastruar politikën nga krimi, është vetëm Vettingu i saj, por kjo nuk mjafton, pasi është i nevojshëm dhe një aksion popullor. Atë çfarë dëshifrojnë prej kohësh, duket si një flluskë sapuni. Më herët, kryedemokrati propozoi Vetting për politikanët, duke e trumbetuar edhe si një nismë të demokratëve.
Për këtë iu përgjigj në mënyrë të rrufeshme kryeministri Rama. “Veting politikanëve? Sa më parë! Me një drejtësi të pastruar përmes VetTingut, s’do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t’i ikin drejtësisë. Dhe çdo ide tjetër për të rritur llogaridhënien e politikanëve, është e mirëseardhur. Gjithnjë gati të diskutojmë me PD”, ia kthen ai Bashës, duke na lënë përshtypjen se u ndez “drita jeshile” për një proces që në fakt duhej të ndodhte që në krye të herës, me Reformën në Drejtësi.
Sot PD është “zgjuar”, duke vënë në dispozicion draftin zyrtar, dorëzuar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë.
Ligji në fjalë përveç disa ndryshimeve, është thuajse i njëjtë me atë ekzistuesin për “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri”.
Në draftin e PD flitet për kontrollin e figurës, por asesi për atë të pasurisë. Duke parë përmbajtjen, ky draft nuk është gjë tjetër veçse “shashkë” e radhës.
Ndryshe nga Vettingu për gjyqtarët e prokurorët, të cilët u thirrën një nga një para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe dhanë llogari për pasurinë e tyre, politikanët nuk do i nënshtrohen asnjë verifikimi të kësaj lloj natyre.
U bë një kohë e gjatë që Rama nënvizon se Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet deri sa sistemi të pastrohet nga të gjithë ata që nuk justifikojnë pasurinë. Për Ramën, Vettingu është vetëm hapi i parë, pasi pas gjyqtarëve dhe prokurorëve, në Vetting do kalojnë edhe politikanët dhe biznesmenët. Po Basha, çfarë kishte ndërmend me Vettingun?!
TIRANA TODAY