Sistemi i vjetër i drejtësisë shqiptare duket se po dorëzohet para drejtësisë së re që po vjen. Kryeministri Rama shprehet se nuk do të tolerohet askush. Ai ka komentuar me një shënim, reagimin e zv. kryeministrit Erion Braçe në një video live në rrjetin social “Facebook”. Rama ka publikuar deklaratën e zv.kryeministrit, ndërsa pretendon se Ndoji shantazhoi për hesap të një organizate kriminale zyrtarin e shtetit, dhe më pas kërkoi burgosjen e tij. Kreu i qeverisë thotë se Prokurori i Durrësit nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë pastrimit nga sistemi. Pak më herët, Erion Braçe tha se të gjithë ata talebanë politikë që e akuzojnë se ka lidhje fisnore me Liridon Pulën, do të përballen në gjykatë.
“Zv.Kryeministri Erjon Braçe, reagon ndaj mbështetjes kriminale që Partia Demokratike i jep Prokurorit kriminel të Durrësit
Prokurori i Durrësit që shantazhoi për hesap të një organizate kriminale zyrtarin e shtetit dhe më pas kërkoi burgosjen e tij, është mishërimi tipik i llumit të sistemit të drejtësisë, që nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë pastrimit nga sistemi! Ky llum po kryen akte kriminale padrejtësie, me moton “Do ikim që do ikim, të kapim ç’të kapim!”.
Por dardha e ka bishtin mbrapa dhe çdo padrejtësi e bërë sot nga ata që nuk kalojnë dot Vettingun, do të ndëshkohet nesër, mu ashtu siç e kemi thënë qysh në nisje të reformës, siç shkruhet edhe në kërkesën e Bundestagut gjerman dhe siç do të kërkohet nga BE-ja në rrugën e negociatave për anëtarësim.
Drejtësia e munguar e 30 vjetëve, po vjen dalëngadalë dhe s’do të kursejë askënd”.
Partia Demokratike reagoi dje me anë të Enkelejd Alibeajt në lidhje me praninë e zëvendëskryeministrit Erion Braçe në seancën gjyqësore, ku u dha masa e arrestit për drejtorin e Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.
“Drejtuesi i korruptuar i Kadastrës në Durrës, që është arrestuar me vendim gjykate, është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braҁes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij, dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion”, tha Alibeaj.