Në Indi para disa ditësh, autoritetet kanë goditur me shkop të gjithë ata që kanë dalë në rrugë dhe kanë shkelur rregullin e izolimit. Duket se kjo masë ndëshkuese nuk është aq drastike sa në Filipine, pasi presidenti ka urdhëruar që të qëllohen me armë të gjithë ata shtetas që shkelin karantinën.
Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka urdhëruar policinë të qëllojë me armë qytetarët që shkelin rregullat e izolimit.
Sipas ‘The Guardian’, kërcënimi i dhunshëm i presidentit erdhi pas arrestimit të 21 personave, të cilët dolën në rrugët e qytetit Quezon, në ishullin Luzon, për të kërkuar ndihmë nga qeveria.
Policia tha se protesta ishte e paautorizuar. Është ende e paqartë nëse të gjithë pjesëmarrësit ishin duke demonstruar kundër presidentit, apo nëse thjesht ata po kërkonin ndihma në ushqime.
Duterte u bëri thirrje qytetarëve të presin ndihmën e qeverisë, duke sqaruar se “askush nuk do të vdesë prej urisë”.
Në Filipine numri total i të infektuarve është mbi 2300, ndërsa numri i viktimave nga koronavirusi është rritur në 100.