COVAX do të shpërndajë 237 milion doza vaksinash në 142 shtete

Përfaqësues të programit të ndarjes së vaksinave COVAX thanë të martën se do të shpërndajnë 237 milion doza të AstraZeneca në 142 vende deri në fund të majit ndërsa rrit hapin global të furnizimeve të saj të vaksinave.

Afati kohor për shpërndarjen e dozave, i bërë publik nga AstraZeneca dhe nga Instituti i Serumit të Indisë, do të ndahet në orare të veçanta dy-mujore, tha COVAX në një deklaratë, me të parën në shkurt-mars dhe të dytën në prill-maj, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

“Këto afate kohore varen nga një larmi faktorësh duke përfshirë kërkesat rregullatore kombëtare, disponueshmërinë e furnizimit dhe përmbushjen e kritereve të tjera të tilla si vendosja e vlefshme e planeve kombëtare të vaksinimit,”- thuhet në deklaratë.

OVAX është programi i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të siguruar vaksina për vendet e varfra dhe me të ardhura të mesme. Ajo filloi hapjen e saj javën e kaluar me dërgesat e para të vaksinave në Gana dhe Bregun e Fildishtë.