Nga: Luke McGee “CNN”
Brexit ka ndodhur. Pas 1.316 ditë trazirash politike, Britani e Madhe është tashmë vendi i parë që largohet nga Bashkimi Evropian. Brexit i ka dhënë fund karrierës politike të 2 kryeministrave britanikë, dhe e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar.
Kauza e Skocisë për të fituar pavarësinë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u injoruar, ndërsa perceptimi se Irlanda e Veriut është “shitur” nga Londra, ka çuar “ujë” në “mullirin” e atyre që dëshirojnë të shohin bashkimin e plotë të ishullit të Irlandës.
Dhe kjo jo vetëm për politikën: E ardhmja, dhe vendi ekonomik i Britanisë në botë nuk kanë qenë më të pasigurta që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Duke folur para kombit, 1 orë para se të ndodhte përfundimisht Brexit, kryeministri Boris Xhonson e pranoi se vendi ishte i përçarë:
”Natyrisht, ka shumë njerëz që ndjehen në ankth dhe të humbur… Unë i kuptoj të gjitha ato ndjenja, dhe puna jonë si qeveri, dhe puna ime si kryeministër, është ta ribashkojmë tani këtë vend, dhe të na çojmë atë përpara”.
Dhe Xhonson ka një kapital të bollshëm politik për të shpenzuar. Fitorja e tij e madhe elektorale vitin e kaluar, nënkupton se ai ka fuqinë të rinisë rindërtimin e Mbretërisë së Bashkuar sipas vizionit të tij. Kjo do të thotë ndërkohë, se ai mund të rimarrë pozicionin që i takon vendit të tij në arenën ndërkombëtare.
Dhe në një botë me një gjeopolitikë në ndryshim e sipër, çdo rrugë që Xhonsoni do të zgjedhë, do të ketë pasoja përtej kufijve të Britanisë. Pyetja kryesore që kërkon përgjigje në 11 muajt e ardhshëm është: A do të jetë Mbretëria e Bashkuar të në të njëjtën linjë me fqinjët e saj evropianë, dhe me pikëpamjen e tyre shumëpalëshe mbi botën?
Apo do të zhvendoset përtej Atlantikut, dhe t’i bashkohet një politikë të jashtme amerikane gjithnjë e më konfrontuese? Por pse 11 muaj? Sepse sipas marrëveshjes që Britania nënshkroi me BE-në, periudha kalimtare e Brexit përfundon më 31 dhjetor 2020, dhe nga ai moment nis çfarëdolloj marrëveshje që të dyja palët do kenë arritur në lidhje me marrëdhënien e tyre të ardhshme, gjithnjë nëse do të arrihet një pakt i tillë.
Mark Leonard, drejtori i think-tankut ‘European Council on Foreign Relations’, mendon se Xhonson përballet me një zgjedhje të madhe strategjike: “Për dekada të tëra, themeli i politikës së jashtme britanike, është mbështetur në dy shtylla: Mbretëria e Bashkuar ka qenë anëtare me ndikim në BE; ajo është gjithashtu pjesë e aleancës transatlantike, me NATO-n dhe SHBA-në në zemër të saj”.
Në një botë ideale, Britania e post-Brexit, do të ishte tashmë e lirë të krijonte marrëdhënie të reja ekonomike me BE dhe SHBA-në, duke ruajtur një ekuilibër diplomatik, që i lejon të jetë një ndërmjetëse fuqie midis të dyjave.
Por ndërsa Amerika e Trumpit, po distancohet më tej nga axhenda evropiane për shumë çështje madhore – nga ndryshimi i klimës, tek angazhimi me Iranin dhe Kinën – çdo vendim që do të marrë Xhonson, që do të favorizojë njërën palë, dhe rrezikon të acarojë marrëdhëniet me tjetrën.
Kryeministri britanik, është duke u përpjekur tashmë që të mavorojë në “fushën e minuar” kineze, e cila shtrihet në të gjithë Evropën. Problemi që BE- ka me Kinën është akut. Nga njëra anë, ekonomitë evropiane në krizë, po përfitojnë nga investimet kineze. Nga ana tjetër, ky investim vjen me një rrezik potencial për sigurisë, për shkak të lejimit të kompanive shtetërore kineze që të operojnë në Evropë.
Dhe kjo gjë ka pasoja për aleatët e Evropës, në lidhje me shpërndarjen e informacione inteligjente, sikurse është SHBA. Në fillim të kësaj jave, qeveria e Xhonsonit, vendosi ta lejojë kompaninë kineze të telekomunikacionit Huauei, që të ndërtojë një pjesë të rrjetit 5G të Britanisë së Madhe, pavarësisht shqetësimeve serioze mbi sigurinë.
Londra thotë se roli i Huaueit në projekt, do të kufizohej në zonat që mendohet se nuk përbëjnë ndonjë rrezik për Mbretërinë e Bashkuar. Por pritet që presidenti i SHBA-së Donald Trump, të jetë i pakënaqur me këtë gjë. Në luftën e tij ekonomike me Kinën, Trump po kërkon aleatë.
Dhe ndërsa Britania e Madhe po del nga BE, e dëshpëruar për të nënshkruar një marrëveshje tregtare – sidomos me SHBA – ai sheh një mundësi për ta tërhequr Britaninë në orbitën e tij.
“Prioriteti kryesor i BE-së, janë marrëdhëniet e balancuara midis dy të mëdhenjve:Kina dhe Amerika. Nëse Mbretëria e Bashkuar ka një marrëdhënie më të ngushtë me secilën prej tyre, kjo mund të krijojë probleme për Evropën”- thotë Stiven Blokmans, kreu i punëve të jashtme në Qendrën Evropiane për Studimet e Politikave.
Ndërkohë Evropa, ka një marrëdhënie të ndërlikuar me Rusinë. Shumë vende të bllokut, mbështeten tek investimet ruse dhe burimet e saj natyrore. Por Evropa ka në fuqi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, që pas aneksimit të saj të paligjshëm të Krimesë, dhe sulmeve të dyshuara të Moskës ndaj disidentëve rusë që jetojnë në Evropë.
Me sa duket profili më i lartë i këtyre rasteve ishte helmimi i Sergei Skripal në Angli. Xhonson ishte në atë kohë Ministër i Jashtëm, dhe e akuzoi me shpejtësi Kremlinin si përgjegjës, duke nxitur dëbimin e diplomatëve rusë nga shumë vende evropiane. Por kjo ishte atëherë.
Gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, Xhonson premtoi investime të mëdha në vend. Dhe në këtë rast paratë ruse mund të ndihmojnë jo pak, duke pasur parasysh që Londra është një destinacion i preferuar nga rusët e pasur. Por këshilltarët e Xhonson, thonë se ai do të vijojë t’i përmbahet linjës së tij të fortë ndaj Rusinë.
Ndërkohë ka shqetësime më afatgjata në lidhje me ndikimin në Evropën Lindore. Ndërsa Britania mbetet e përkushtuar të mbështesë Ukrainën, shqetësimi i Kievit është se, “duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm ekonomik nga Brexit”, ajo mund të mos jetë në gjendje të mbështesë Ukrainën si deri tani.
Ndryshimet e politikës së jashtme nga Xhonson, mund të jenë të moderuara. Por në çdo rast, ato të do përballen me një tablo të ndërlikuar në bashkësinë ndërkombëtare. “Ne jemi në periudhën e riformatimit të rendit të ri botëror, dhe Britania duhet të ndjekë një rrugë që ruan marrëdhënie të forta me sa më shumë nga aleatë tanë”- shprehet Sofia Gaston, drejtoreshë e grupit Britanik të Politikës së Jashtme.
Ky rend i ri botëror, do të përcaktohet kryesisht nga suksesi që do të ketë Trump në përpjekjet e tij për riformatimin e botës në avantazh të Amerikës, dhe natyrisht nëse ai do jetë ende në Shtëpinë e Bardhë për një mandat tjetër.
Për Xhonson, një marrëveshje tregtare me Uashingtonin, do të ishte një shpërblesë e mirë politike, duke dëshmuar se në fund Brexit-it ia vlejti. Por një marrëveshje e gjerë me Amerikën, mund të dëmtojë marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në.
Leonard thotë se Trump, ndryshe nga presidentët para tij, është “shumë më transaksional në raportet e tij me kombet e tjera”. Pra, çfarë do të bëjë Xhonson në këto kushte? Gaston beson se Britania në fund “do të funksionojë si një fuqi ushtarake e nivelit të mesëm, me asete të nivelit të lartë në fuqinë e butë, diplomaci dhe zhvillim”. Si Ministër i Jashtëm, Xhonson nuk ka folur shumë mbi mënyrën sesi ai e shihte rendin e ri botëror.
Nëse Xhonson vendos të distancohet më tej nga Evropa, ekziston “rreziku që nga një perspektivë evropiane, Britania të cilësohet një përçarëse, pak a shumë si Turqia apo Rusia, që përpiqet të përçajë dhe sundojë vende të ndryshme evropiane, që nuk është më e besueshme, dhe që është e paparashikueshme”, thotë Leonard.
Dhe nëse do të zhvendoset përtej Atlantikut drejt SHBA-së, Brukseli mund të humbasë së shpejti një nga zërat më të rëndësishëm diplomatikë në botë, që zotëron armë bërthamore, që ka një ekonomi të madhe, një rrjet shërbimi inteligjent të klasit botëror, dhe një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
TIRANA TODAY