Edhe një herë tjetër, Rama konfirmoi dje se më 1 janar të vitit 2019, nuk do të ketë më pika bastesh dhe kazino në rrugët e qyteteve të Shqipërisë. Ai zbuloi edhe një të vërtetë të dhimbshme.
Deputetët e Grupit Parlamentar të PS, janë kërcënuar nga persona të burgosur, për të mos votuar ligjin që parashikon mbylljen e lojërave të fatit. Ai deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ndihet i keqardhur për mesazhet vulgare që atyre u dërgohen nga të dënuar në burgun ‘313’, në Tiranë.
“Jam shumë i keqardhur që një pjesë e deputetëve, dhe posaçërisht deputetët e Ekonomisë janë kthyer në shënjestër të sulmit vulgar të mesazheve të orkestruara nga burgu ‘313’.
Por nga ana tjetër, jam shumë i sigurtë se ky grup parlamentar do t’u jap në radhë të parë prindërve të këtij vendi, nënave, grave, vajzave dhe patjetër edhe atyre që janë aktualisht të sëmurë nga marrëdhënia me fatin, një dhuratë të shumëpritur me rastin e Vitit të Ri. Mbylljen e kazinove elektronike, e basteve sportive, që nga ndeshjet e futbollit dhe deri te garat e çdo katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve ‘on line’.
Me mirëkuptimin se përsa i përket ‘on line’, që është një drejtim shumë kompleks. Siç tregojnë edhe eksperiencat e vendeve të tjera, do të kemi një diskutim më tutje, në një kohë tjetër”, tha Rama.