Nga: Kate Andrews “Spectator’
Ish-presidenti Donald Trump u shpall të shtunën i pafajshëm nga Senati i SHBA-së, në atë që rezultoi të ishte gjyqi më i shkurtër i fajësimit në historinë amerikane, ndërsa Kongresi votoi për dënimin e tij muajin e kaluar pas trazirave që ndodhën në godinën e Kapitolit.
Pavarësisht se ishte presidenti i parë i fajësuar dy herë gjatë kohës së tij në detyrë – këtë herë i akuzuar për nxitje të kryengritjes së dhunshme- Senati dështoi sërish të arrinte të siguronte një shumicë prej 2/3 për ta dënuar atë.
Kur Trump u fajësua për herë të parë në vitin 2019, Senati votoi përgjatë vijave gati-partiake. Vetëm senatori i Utah dhe ish-kandidati për president, republikani Mit Romni shkeli vendimin e partisë së tij. Këtë herë, ishin 7 republikanë ata që dolën nga rreshti për të bashkuar votën me demokratët për fajësimin e ish-presidentit, duke përfshirë sërish Romnin, Ben Sasen – senatori liberal nga Nebraska – dhe Suzan Collins – senatorja nga Mein, që mezi fitoi në zgjedhjet e fundit.
Gjithsesi,shumica e senatorëve republikanë u bënë bashkë për ta ndalur procesin e fajësimit, përfshirë kreun e pakicës në Senat, Miç Mekonell. Presidenti amerikan Xho Bajen, ka qenë shumë i heshtur në lidhje me procedurat e fajësimit, duke u fokusuar më shumë tek përpjekja për të arritur konsensus mbi paketën e tij financiar të ndihmës për shkak të krizës së shkaktuar nga Covi-19, dhe mbajtjen e premtimit të dhënë në ditën e inaugurimit në detyrë, për të bashkuar vendin.
Në përgjigje të këtij vendimi, Trump i falënderoi avokatët e tij, senatorët republikanë që votuan për pafajësinë e tij, dhe miliona njerëz që votuan për të nëntorin e vitit të kaluar:“Kjo ka qenë një fazë tjetër e gjuetisë më të madhe të shtrigave që është parë në historinë e vendit tonë. Asnjë president nuk ka përjetuar ndonjëherë diçka të ngjashme, dhe ajo po vazhdon, pasi kundërshtarët tanë nuk mund të harrojnë dot gati 75 milion njerëz, numri më i lartë për një president në detyrë, të cilët votuan për ne vetëm disa muaj më parë…
Lëvizja historike dhe patriotike për ta bërë Amerikën sërish të madhe sapo ka filluar. Në muajt në vazhdim unë kam shumë gjëra për të ndarë me ju, dhe shpresoj që të vazhdojmë së bashku rrugëtimin tonë të pabesueshëm për të arritur madhështinë amerikane për të gjithë qytetarët tanë. Asnjëherë më parë nuk ka pasur diçka të tillë!”.
Sikur Senati ta kishte dënuar atë, kjo do t’i jepte gjithashtu mundësinë për ta ndaluar Trumpin të kandidonte për president në të ardhmen. Tani, pretendimet e Trump se lëvizja e tij “sapo ka filluar” mund të nënkuptojë një mori gjërash, duke përfshirë të paktën në teori një tjetër kandidim për në Shtëpinë e Bardhë.
Tashmë ai është zotuar që të “rikthehet në një lloj forme në skenën politike”. Edhe pse Trump -që po qëndron në Florida që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë – nuk ka bërë ende me dije planet që ka për të ardhmen. Që nga trazirat në Kapitol Hill, në gjirin e Partisë Republikane ka nisur një betejë e brendshme mes tij dhe mbështetësve nga njëra anë, dhe kundërshtarëve të tij nga ana tjetër.
Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020, ku amerikanët refuzuan në shumicë Trumpin , por jo domosdoshmërisht Trumpizmin, bëri që shumë njerëz në Partinë Republikane të mendonin se zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022 do të drejtoheshin nga një formë e Trumpizmit.
Por që nga trazirat e fillimit të janarit, partia është zhytur në kaos. Republikanët e shquar, si ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Niki Halej,janë distancuar qartazi nga presidenca Trump, ndërsa republikanët e tjerë janë vënë në mbrojtje të këtij të fundit, të gatshëm të pranojnë rolin e tyre në kënaqjen e fantazive të ish-presidentit për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve.
Rezultati i së shtunës, i ngatërron akoma më tej perspektivat për Partinë Republikane:tani që është zyrtarisht i pafajshëm, Trump gjendet në një pozitë më të fortë për të provuar të mbajë kontrollin e partisë, ose të paktën të veprojë si një“mbret-bërës” (kingmaker) për kandidatët e ardhshëm në zgjedhjet e mesit të mandatit vitin e ardhshëm dhe ato presidenciale të vitit 2024.
Por vendimi i së shtunës nuk arkivon skenat tronditëse të fillimit të muajit të kaluar. Ka të ngjarë që presioni mbi anëtarët e partisë të shtohet akoma më shumë. Ata duhet ta bëjnë të qartë se çfarë qasje kanë mbi këtë çështje, dhe veçanërisht mbi mënyrën se si përfundoi mandati i Trump.
Burimi i lajmit: https://spectator.us/topic/trump-acquittal-means-future-american-politics/
Përshtatur nga TIRANA TODAY