Nga Edoardo Campanella “Foreign Policy”
Kthesat historike janë të vështira për t’u pranuar, sidomos kur një e kaluar e mrekullueshme, shkëmbehet befas me një të tashme të zakonshme. Psikodrama në zemër të Brexit, pasqyron deri diku paaftësinë e establishmentit britanik, për t’u pajtuar me rolin e zvogëluar global të Londrës, pas rënies së Perandorisë Britanike.
Mbështetësit më të fortë të Brexit, si kryeministri Boris Xhonson, i bazojnë pritshmërinë e tyre tek një e ardhme të shndritshme larg Bashkimit Evropian, dhe tek ringjallja e të kaluarës perandorake. Ata spekulojnë me ngritjen e një Anglosfere, të përqendruar rreth Mbretërisë së Bashkuar, dhe të lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe ish-kolonitë e tjera britanke.
Nuk është hera e parë që Londra, e përdor idealin e solidaritetit anglo-sakson, për të rikrijuar rolin e saj në një botë më pak të pushtueshme. Në dallim nga perandoritë e tjera, ajo britanike nuk u rrëzua papritmas, pa ndonjë përplasjeje me një fuqi në rritje. Rënia e saj ishte graduale, dhe në shumë raste paqësore dhe miqësore.
Kjo ia lehtësoi këtij vendi ruajtjen e marrëdhënieve ekonomike, dhe nganjëherë edhe ushtarake, me ish-kolonitë. Njëkohësisht, elita britanike përfitoi nga shpërbërja e ngadaltë perandorake, për ta ri-pozicionuar si duhet vendin e tyre brenda sistemit ndërkombëtar.
Data e fillimit të këtij procesi mund të jetë vitit 1873 në Universitetin të Oksfordit, gjatë një diskutimi se si duhet të riorganizohej në të ardhmen ‘Pax Britannica’. Edhe atëherë, debati mbi reformimin dhe ri-shpikjen e Perandorisë Britanike, ishte i fortë.
Gjerësia e madhe gjeografike e zotërimeve perandorake, e bëri të vështirë administrimin e tyre, veçanërisht në një epokë kur fuqitë e tjera koloniale po përplaseshin për territore. Revolucioni i Dytë Industrial, i bazuar tek çeliku dhe energjia elektrike, kishin shndërruar Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara në qendra të reja globale.
Hekurudhat ndër-kontinentale, e rritën ndikimin e fuqive tokësore, siç është Rusia, krahasuar me ato detare siç është Britania e Madhe. Njëherazi, kolonitë në Amerikën e Veriut, Australazi dhe Afrikën e Jugut, ishin më ambicioze, dhe donin më shumë autonomi nga Britania.
Ashtu si mbështetësit e sotëm të Brexit me fantazitë e tyre mbi Anglosferën, edhe stërgjyshërit e tyre të epokës Viktoriane, aspiruan ta zëvendësonin Perandorinë Britanike me një Britani të Madhe më pak ndërhyrëse. Ata besonin se diaspora britanike formonte një unitet organik.
Ajo ishte një bashkësi e vetme politike transkontinentale, që mund të vepronte si garantuesja e epërsisë britanike, promovuese e parimeve demokratike, dhe kujdestare e stabilitetit global. Disa intelektualë imagjinuan se kjo bashkësi politike do të përfshinte gjithë perandorinë, përfshirë Indinë.
Të tjerët, preferuan të investojnë përpjekje dhe energji mbi një projekt politik, që do të përfshinte vetëm kolonitë e përzgjedhura (Kanadanë, Australinë, Afrikën e Jugut dhe Zelandën e Re), popullsia, fuqia ekonomike dhe rëndësia strategjike e të cilave po rriteshin me shpejtësi.
Një grup i tretë, shpresuan të përfshinin Shtetet e Bashkuara, që më vonë do të zëvendësonin Mbretërinë e Bashkuar si një hegjemon global.
Shumë shpejt, dominuese u bënë bashkësitë institucionale dhe vlerat e përbashkëta. Vetë Uinston Çërçill, ëndërroi një union anglisht-folës të drejtuar nga SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore. Sikurse argumentohet nga vetë Xhonson në biografinë e tij “Faktori Çërçill”, Çërçill ishte i bindur se perandoria Amerikane ishte një evolucion natyror, dhe në një farë mase, një vazhdim i paraardhëses të tij britanike.
Gjatë Luftës së Ftohtë, debati për unitetin anglo-sakson u pezullua. Ndarja kryesore ishte komunizmi kundrejt kapitalizmit. Por shembja e Perdes së Hekurt, nxiti një seri transformimesh teknologjike dhe politike, që çelën papritur mundësi të reja për utopikët, të cilët ëndërronin ende të ndërtonin një union anglisht-folës.
Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, u duk se konfirmoi epërsinë e idealeve anglo-saksone të demokracisë dhe lirisë. Ndërkohë, futja e monedhës së përbashkët evropiane, nxiti frikën midis euroskeptikëve britanikë, se projekti evropian po shkonte shumë larg drejt një “bashkimi më të ngushtë”.
Që atëherë, nisën të përhapen propozimet për një perandori të re. Pol Xhonson dhe Robert Konkest, dy figura me ndikim brenda krahut konservator euroskeptik, parashtruan projektet më utopike. I pari propozonte që Australia, Britania, Kanadaja dhe Zelanda e Re, të bëhen shtete anëtare të Shteteve të Bashkuara, dhe të kishin një numër të përshtatshëm vendesh në Kongres dhe Senatin Amerikan.
Konkest, sugjeroi krijimin e një shoqate të vendeve anglisht-folëse, që do të ishte më shumë se sa një aleancë, por më pak se një bashkim. Të tjerë, si sipërmarrësi amerikan Xhejms Benet, parashikuan një strukturë më të lehtë institucionale, duke e përshkruar Anglosferën si një rrjet civilizues, që mbahet bashkë nga historia dhe kultura e përbashkët.
Plane të tilla, përgatitën terrenin për debatin Brexit, pasi ato mund të siguronin një mjedis të shkëlqyer alternativ për Londrën. Kur largimi nga Bashkimi Evropian u bë një perspektivë konkrete, shumë entuziastë të Anglosferës i rishikuan ambiciet e tyre, duke propozuar plane paksa më realiste, të bazuara në marrëveshjet e tregtisë së lirë, dhe një bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, pa ndonjë arkitekturë mbikombëtare komplekse.
Ashtu si në të shkuarën, këto plane nuk kanë të ngjarë që të zbatohen. Pasi ato adresojnë një shqetësim britanik me rëndësi, teksa shpërfillin përparësitë dhe aspiratat e vendeve, që supozohet se do të bëhen pjesë e unionit. Viktorianët e anashkaluan dikur faktin që kolonitë më të pavarura, do të dëshironin të ruanin një shkallë të konsiderueshme lirie nga Britania.
Dhe entuziastët e sotëm të Anglosferës, nuk marrin parasysh shumë interesa të ndryshme kombëtare midis anëtarëve të tij të mundshëm. Kanadaja është e përçarë, mes identitetit të saj anglo dhe francez. Zelanda e Re dhe Australia, janë kryesisht kombe aziatike me një origjinë anglo-saksone.
Dhe Shtetet e Bashkuara, janë shumë të fuqishme, për ta lidhur veten me një grupim të tillë rajonal, në emër të një prejardhjeje të përbashkët historike. Në vitin 1962, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Din Ekson tha:”Britania e Madhe ka humbur një Perandori, dhe nuk ka gjetur ende një rol në botë”. Kriza e identitetit që ai identifikoi, kishte filluar në fakt gati një shekull më parë. Më shumë se 50 vjet pas deklaratës së tij, ajo krizë nuk ka përfunduar ende./ TIRANA TODAY