Nga Krishnadev Calamur “The Atlantic”/ Dihet se deri më tani presidenti amerikan Donald Trump, nuk është popullor në Europë:Ai e tërhoqi vendin e tij nga Marrëveshja e Parisit mbi klimën, dhe pakti bërthamor me Iranin, ka imponuar tarifa ndëshkuese mbi importet e çelikut dhe aluminit nga Bashkimi Europian, si dhe ka vënë në pikëpyetje dobinë e NATO-s.
Për një bllok që funksionon (ose që nuk funksionon, nëse pyesni kritikët e tij), nëpërmjet unanimitetit dhe ndërtimit të konsensusit, Trump përbën një tronditje ndaj sistemit global,
që ndërtuan Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Por një sondazh i ri i Qendrës Kërkimore Pew, i publikuar të hënën tregon jo vetëm se sa anti-popullor është Trump, por edhe se si shtrirja e kësaj papëlqyeshmërie, flet shumë mbi mënyrën se si europianët i shohin Shtetet e Bashkuara si një e tërë.
Shtatë në 10 njerëz në mbarë botën, nuk kanë asnjë besim tek Trump, sipas sondazhit me 26.112 njerëz në 25 vende, të zhvilluar në periudhën 20 maj12 gusht. Shifrat në vendet europiane, janë shumë më negative për Trump. Në Gjermani, vetëm 10 për qind e të anketuarëve thanë se kanë besim tek ai; në Francë kjo shifër është edhe më e ulët 9 përqind.
Interesant është fakti se 43 përqind e të anketuarve, thanë se kishin një pikëpamje të pafavorshme ndaj SHBA-së; ndërsa 50 për qind thanë se kishin një pikëpamje të favorshme. “Ne po shohim një ndryshim të madh të imazhit të Amerikës në të gjithë botën, nga presidencat Obama në Trump”- më tha Riçard Uik, drejtori i Pew’s Global Attitudes Research.
:”Ka vlerësime më të ulëta për SHBA-në në shumë vende; dhe në pjesën më të madhe të vendeve të anketuara, ka shumë pikëpamje negative rreth Trump, se sa kishim për Obamën kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë”. Obama ishte gjerësisht i pëlqyer në Europë, megjithëse popullariteti i tij ra ndjeshëm, pas zbulimit se SHBA-ja kishte spiunuar aleatët e saj në Gjermani dhe vende të tjera, si dhe të përdorimit agresiv nga ana e administratës së tij të avionëve pa pilot, në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme.
Sondazhi i Peë, publikohet në një pikë kritike të historisë amerikane:Trump po i afrohet përvjetorit të dytë të zgjedhjes së tij si president, kur vendi është duke u përgatitur për zgjedhjet e mesit të mandatit, dhe teksa kombi po sheh një luftë të ashpër mbi emërimin nga presidenti të Bret Kavanoug si anëtari i ri i Gjykatës së Lartë.
Dikush mund të argumentojë se një cështje e tillë, është një tipar historik i politikës amerikane, por sondazhi i Pew nuk pyeti të anketuarit se çfarë mendonin për demokracinë amerikane; kjo pyetje ka marrë reagime të përziera në vitet e fundit. Aprovimi i Trump në Evropë, është i krahasueshëm me shifrat e dikurshme për presidentin Xhorxh W.Bush, në prag të përfundimit të mandatit të tij të dytë.
Por ajo që është e ndryshme, është se mungesa e popullaritetit të Amerikës, vinte dikur nga ajo që kritikët e saj e cilësojnë si aventura e mbrapshtë në Irak. Papëlqyeshmëria ndaj Trump vitet e fundit, rrjedh nga mosangazhimi i SHBA, sipas kritikëve të tij, nga pjesa tjetër e botës.
Në fakt, sondazhi i fundit i Peë e mbështet këtë tezë:37 përqind e të anketuarve thanë se SHBA ishte më pak e përfshirë në botë krahasuar me vitet e kaluara, dhe 34 përqind thanë se përfshirja e SHBA ishte pothuajse e njëjtë, dhe vetëm 14 përqind thanë se SHBA-të e kishin rritur rolin e tyre global.
Sigurisht, ka pasur përherë prirje anti-amerikane në mesin e elitave të caktuara evropiane, veçanërisht në lidhje me përfshirjen e SHBA në Vietnam, Irak dhe luftën globale kundër terrorizmit, por Uik thotë se “qëndrimet në lidhje me politikën e jashtme amerikane, nuk kanë pasur një ndikim mbi atë që qytetarët europianë mendojnë aktualisht mbi Shtetet e Bashkuara”.
“SHBA-ja ka ende shumë fuqi të butë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës …Por kur shihni politikat amerikane, qëndrimet ndaj presidentit amerikan, janë tani shumë negative në Europë”-, tha ai.
Në fakt, Trump shihet me më pak besim se sa kancelarja gjermane Angela Merkel (52 për qind), presidenti francez Emanuel Makron (46 për qind), presidenti kinez Xi Jinping (34 përqind) dhe presidenti rus Vladimir Putin (30 për qind). Përveç kësaj, edhe kur Trump gjen mbështetje në Europë, kjo vjen shpesh nga mbështetësit e partive radikale të djathta në Mbretërinë e Bashkuar, Suedi, Francë, Itali, Holandë dhe Gjermani, të cilët kanë më shumë gjasa ta shohin atë në mënyrë të favorshme sesa bashkatdhetarët e tyre.
Sidoqoftë, pikëpamjet e botës mbi SHBA-në apo edhe për presidentin e saj, nuk nënkuptojnë se alternativat ndaj fuqisë amerikane, janë veçanërisht tërheqëse. Kur u pyetën nëse do të ishte më mirë që bota të kishte SHBA-në apo Kinën si fuqinë kryesore, 63 përqind zgjodhën SHBA-në; dhe vetëm 19 për qind donin Kinën.
Mbështetja për SHBA-në, ishte veçanërisht e lartë në vendet e Azisë (73 për qind) dhe në Europën Perëndimore (64 për qind). Ose për ta thënë ndryshe:Botës mund të mos i pëlqejë Trump ose drejtimi aktual i SHBA-së, por alternativat duken më të këqija.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce