Trajneri i ri i Paris SG, argjentinasi Mauricio Poçetino, ka rezultuar i infektuar me Covid-19.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë klubi kryeqytetas, në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Anxhers, për javën e 20 në Ligën 1.
Trajneri, i cili u ul në krye të pankinës së Parisit fillim të janarit, “do të respektojë izolimin” në bazë të protokolleve shëndetësorë. Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tij Xhezus Perez dhe Miguel D’Agostino do të drejtojnë ekipin në ndeshjen në transfertë, specifikoi Paris SG.
Dy ditë më parë, PSG fitoi Superkupën e Francës, e udhëhequr nga trajneri argjentinas Mauricio Poçetino. Në ndeshjen finale ndaj Marsejës, zhvilluar në stadiumin e Lensit, parizienët fituan me rezultatin 2-1.