Në vitin 1994, Departamenti amerikan i Mbrojtjes, tentoi prodhimin e një arme kimike të re, që do të prishte “moralin e armikut”. Studiuesit nisën të eksplorojnë disa mundësi alternative. Çfarë do ta shpërqendronte një ushtar gjatë luftës, pa i shkaktuar atij ndonjë lëndim trupor? Përgjigja ishte më se e qartë: seksi. Duhej krijuar një bombë, e aftë të shpërndante përmes ajrit hormone, që do t’i shndërronin në homoseksualë ushtarët armiq. Në pak javë, ekspertët përgatitën një projekt 3-faqesh, dhe që kushtonte rreth 7.5 milionë dollarë: “Bomba Gay”.
Ajo do të përmbante hormone femërore, duke përfshirë afrodiziakë dhe aroma të tjera. Ndërkohë pati nga ata që propozuan përdorimin e një arome, që do të tërhiqte një tufë bletësh të zemëruara. Fatmirësisht, “Bomba e homoseksualëve” mbeti vetëm në nivelin teorik, dhe nuk u prodhua kurrë në praktikë. Ajo u bazua në eksperimentet e kryera në vitet 1970 me majmunët.
Gjithsesi në vitin 2007, ky propozim mori çmimin IG Nobel, që është në fakt varianti saritik i Nobelit të famshëm. Ndërkohë në vitin 2002, disa ekspertë të Departamentit të Mbrojtjes propozuan prodhimin e një bombe tjetër, që do të demoralizonte armikun përmes lëshimit të aromave shumë të këqija.
Apo një tjetre që e bënte lëkurën papritmas shumë të ndjeshme ndaj diellit. Den Meksuin i Drejtorisë së Armëve Jovdekjeprurëse në Pentagon, thotë se departamenti i mbrojtjes pranon çdo vit “qindra” projekte të tilla të çuditshme. Por pjesa dërrmuese e tyre mbeten vetëm në letër./ TIRANA TODAY