Nëse zotëroni një biznes, ku punojnë mbi 50 persona dhe me një xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë, atëherë do ju duhet të vendosni kamera sigurie në të gjitha ambientet e tyre brenda datës 28 dhjetor, në të kundërt do të përballem me masa administrative.
Kështu, Policia e Shtetit u ka dërguar bizneseve një letër, në të cilën paralajmëron se pas kalimit të këtij afati do të vendosen gjoba, të cilat do të variojnë nga 5 mijë deri në 100 mijë lekë.
Kjo masë merret në kuadër të sigurisë publike, prandaj çdo biznes si më sipër duhet të vendosë kamera dhe pajisjet e tjera për të ruajtur pamjet filmike.
Ligji për sigurinë
Ligji për sigurinë publike parashikon që kamerat e sigurisë të vendosen në çdo biznes privat që vlerësohet me risk nga Policia, që ka më shumë se 50 punonjës, apo bën një xhiro më të madhe se 10 milionë lek në vit.
Policia u ka kërkuar karburanteve dhe pikave të këmbimit valutor që të shtojnë kamerat e sigurisë, ndërsa bizneseve të tjera u është kërkuar që të pajisen me këto kamera. Uniformat blu do të bëjnë kontrolle te bizneset duke filluar nga data 29 dhjetor 2017 dhe do t’i pajisë ato me një certifikatë që quhet “vërtetim i sigurisë”.
Kush nuk merr certifikatën, atëherë gjobitet. “Gjoba vendoset nga policia, nëse subjekti nuk ka marrë masat shtesë të sigurisë, pas kalimit të afatit prej 30 ditëve nga data e njoftimit për marrjen tyre”, parashikon ligji i ri për sigurinë publike. Ligji parashikon që kamerat e sigurisë të vendosen në kopshte e shkolla, por edhe në mjetet e transportit publik si urbanët brenda qytetit dhe autobusët që lëvizin nga një qytet në tjetrin, raporton GSH.al.
Edhe për institucionet publike parashikohen gjoba, nëse nuk vendosin kamera sigurie. Nr. 19/2016 për masat shtesë të sigurisë publike, parashikon kategoritë e bizneseve që duhet të instalojnë kamerat. Sipas ligjit duhet të vendosin kamera: a; subjektet që kanë selinë e mjediset e punës dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës së rrezikut të bërën nga Policia e Shtetit; b) subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentues, të cilët, në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur; c) subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 2300 deri në 600; ç) subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë; d) subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit; dh) subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si: shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar; e) subjektet që kryejnë veprimtari të transportit publik për udhëtarët, nxënësit, studentët, si dhe transport të vlerave monetare dhe të mallrave të rrezikshme.