Nga: Gëzim Tushi
“Big Brother”, i vlerësuar në të gjithë komponentët, ishte një ngjarje sociale jo pa peshë apo audiencë. Një ngjarje me impakt social dhe estetik, një angazhim i madh kompleks kulturor, edukativ e mediatik që synoi kthimin në një paradigmë për t’i folur në mënyrë të tërthortë shoqërisë dhe për të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë te konceptet etike dhe sjelljen urbane postmoderne të qytetarit të kohës sonë. Edhe pse i padeklaruar, ky ka qenë pretencioziteti publik i “Big Brother”-it. Për pasojë, ata që u zgjodhën në këtë edicion, ishin individë me pritmëri të njohura, aftësi individuale për të dhënë mesazhe sociale dhe realizuar komunikimin intensive non stop dhe zhvilluar një dialog tërësisht të hapur me vlera edukative e urbane. Të gjithë pothuaj kishin një të kaluar evidente, ishin personazhe shumë ose relativisht të njohur për publikun. Por deri këtu ishte njohja si “njerëz publikë (aq sa ishin, një çështje e diskutueshme kjo). “Big Brother” u bë shkas për t’i njohur ata më thellë, jo vetëm si emër e mbiemër, por mbi të gjitha për veçoritë e karakterit, njohuritë, aftësitë, prirjet personale apo përkatësinë e tyre sociale e shpirtërore.
Besoj se grupimi i tyre nuk ka qenë rastësor e aksidental, por i menduar nga autorët për të ndërtuar një formacion dinamik, ekip lojtarësh me dimension atraktiv, pavarësisht përzierjes së natyrshme midis tipave ekstrovertë apo introvertë. Tashmë që loja u mbyll dhe “arbitri” i fryu bilbilit për fundin e saj, ne mund të flasim për spektaklin “en block”. Mundet dhe është e nevojshme edhe për personazhet “a la page”, sepse ata tashmë janë të njohur për publikun subjektivisht dhe objektivisht si lojtarë e personazhe të njohur me identitet të kristalizuar. Por kjo nuk më intereson shumë, ngaqë dua që këtë fenomen socio-artistik ta vështroj më “syzet e sociologut” duke tentuar një observim sociologjik. “Big Brother” në tërësi ishte një përzierje e ngjarjeve individuale, e njerëzve me biografi dhe lojë të personalizuar të banorëve. Por nga pikëpamja publike, “Big Brother” përbën një ngjarje sociale që doemos mund dhe duhet jo vetëm të vlerësohet, por pse edhe të mund të gjykohet objektivisht pa subjektivizëm dhe parti-pris.
Lojtarët e “Big Brother” u përpoqën të ravijëzonin identitetin e tyre të veçantë, pavarësisht nga disa tregues të personalizuar të “jashtëm”. Unë besoj se në pikëpamjen e synimit të tyre për të evidentuar të përveçmen, njerëzoren e veçantë të secilit, strukturën dhe staturën individuale, qëllimi i “eksperimentit social” u realizua. Unë gjithnjë e kam vlerësuar këtë eksperiment social, edhe pse jo me format plotësisht të realizuar, qëllime e synime të sakta, sepse midis shumë dëshirave ai mund dhe duhet të jetë një “mjet ndihmës publik”, sidomos në këtë kohë të krizës së vlerave morale që po kalojnë njerëzit individualisht, shoqëria në tërësi. Pa dyshim jemi në një “moment tranzitiv” social dhe etik tejet delikat, kur për shkak të ndikimeve të epokës së liberalizimit, individualizmit dhe sjelljeve të personalizuara të njeriut, në jetën e përditshme janë duke dërrmuar skemat e vjetra të mënyrës së sjelljes, komportimit social. Por nga ana tjetër jemi në gjendje “likuide” dhe pa mundur që në të njëjtën kohë të gjenerojmë modele, module të reja të jetës urbane postmoderne.
Mbase ky ishte njëri nga objektivat e “Big Brother”-it dhe “Vëllai i Madh” ka pasur të drejtë në ravijëzimin e lëndës së spektaklit. Por nuk jam i mendimit se “aktorët e eksperimentit” e përtypën si duhet dhe as nuk transmetuan deri në fund mesazhet e pritura nga publiku. Në këtë kontekst, paradigmat e krijuara lëvizën në një boshllëk të paqartësive të normave sociale, me të cilat u operua. Madje, duke e ditur që ishin në lojë, aktorët shpesh kanë shfaqur një pasiguri të sforcuar në raport me veten dhe në lojën me të tjerët. Mbase edhe për faktin që nuk është e lehtë në këtë lojë të krijosh identitet të sigurt dhe të sjellësh modele të qëndrueshme. Edhe pse është normale që personazhet të shfaqen plot me fragmentime personale dhe kontradikta artificiale në lojën e tyre.
Megjithatë, unë nuk jam nihilist. “Big Brother” ka vlerat e veta të pamohueshme, sepse solli shumë paradigma të mënyrës postmoderne të të jetuarit të njeriut të pasigurt, ambivalent, heterogjen, divers, i hapur përballë komunikimit me shumë perspektiva. Në këtë kontekst, aty u ravijëzuan “individualitete të njësishme” unike, por edhe raporte, lidhje, marrëdhënie të shumësishme, brenda statusit të detyruar të jetës së mbyllur kolektive. Disa prej lojtarëve mundën që në kuadrin e lojës dhe rutinës së përditshme, sollën me aftësi mënyrën e ravijëzimit të sigurisë ontologjike të ekzistencës individuale.
Big Brother” pati vlera sociale në aspektin e një realiteti, në të cilin lojtarët në përputhje me personalitetin modifikuan në vazhdimësi, në proces rritjeje identitetin e tyre, duke e bërë “Shtëpinë e Famshme” një mjedis social dinamik psikologjik, shoqëror dhe kulturor. Në këtë ambient lojtarët evidentuan vlerat, cilësitë e “botës vetjake”. Edhe pse një lojë kolektive me lidhje e marrëdhënie “grupore”, secili nga lojtarët sipas mundësive u mundua të evidentonte “identitetin vetjak”. Në pamje të parë, mund të duket sikur loja e aktorëve ishte e ngjashme, por nëse bëjmë analiza e diagnostikime të brendshme të secilit, nuk është e vështirë të themi se secili u përpoq të kristalizojë përfytyrime të personalizuara për veten, duke kristalizuar, kush më shumë e kush më pak, nevojën për ndërtimin e “vetidentitetit brenda lojës kolektive”
Pa dyshim, “Big Brother” ka “anën e ndritur”, por dhe “anën e errët”. Është vështirë të vesh në balancë të sigurt, vlerat dhe antivlerat, pozitivitetin dhe negacionet e tij. Fjala vjen, në mënyrë të sigurt debatet, “lufta”, qoftë edhe si lojë interpersonale, intrigat, stratagjemat, thashethemet, zilitë, arroganca, fyerjet dhe plot “instrumente loje” të tjera, publikut i kanë “shërbyer” vetëm për të përsosur format e njohura të “individualizmit asocial”, e cila është një nga tendencat e forta të jetës postmoderne. Madje, aq shumë agresive, sa që nuk ka fare nevojë për “ndihmë” strategjike e mediatike. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mohojmë faktin që synimi i “Big Brother” ishte dhe besoj se vlejti, për të treguar raportet e faktit që njeriu është qenie vetjake dhe shoqërore. Sociologjikisht e kam konstatuar realizimin dhe dhënien e mesazhit të shfaqjes publike të këtij “uniteti bipolar” të njeriut brenda “mureve të shtëpisë”.
Doemos është e pamundur të shmangen në këtë rivalitet dhe në përputhje me nevojën për të ruajtur njëtrajtësinë dhe vazhdimësinë e suksesshme të lojës, përdorimi i mjeteve të tilla si egoizmi, zilia, ambicia për fitore. Një aliazh kompleks i mjeteve të duhura, utilitare të dobishme sikurse është ambicia për fitore nga qëndrimet negative, të cilat zhvillohen në lojë e para publikut, por që fare mirë mund të transplantohen edhe në jetën e përditshme të personazheve të lojës dhe të publikut. Publiku, sipas nivelit dhe formimit kulturor individual, e ka ndjekur këtë spektakël për qëllime të përbashkëta sociale, por edhe nevoja të personalizuara të jetës individuale. Nuk është e papërfillshme statistikisht dhe demografikisht masa e qytetarëve tanë që e ndoqi spektaklin (sigurisht ata që e ndoqën) me qëllimin e mirë për të njohur kurbën e zhvillimeve etiko-morale, intelektuale, psikologjike, sociale e urbane të jetës, në këtë fazë të shtyrë të jetës postmoderne. Por krejt tjetër besoj se ka qenë qëllimi i lojtarëve të saj. Duke anashkaluar shpërblimin (që nuk është i parëndësishëm), unë besoj se vlera më e madhe është që spektakli i bëri lojtarët njerëz të njohur (se publik është ca si shumë dhe mbase edhe i parakohshëm).
Sidoqoftë, është me rëndësi fakti që disa prej lojtarëve hynë në “shtëpi” me tjetër identitet social, dhe dolën prej saj me identitet të ridimensionuar publik. Dhe ky qëllim nuk është i paktë apo që nuk duhet vlerësuar. Ky synim mbase është një nga arsyet e forta të përplasjeve midis tyre, duke zhvilluar një “betejë të ashpër” midis nevojës për të qenë “Unë”, ballafaqimit me “Tjetrin”, si moment ndërplotësues, por edhe dallues. “Big Brother” ka ndikim të gjerë social në të gjithë shtresat e shoqërisë. Intensiteti dhe kohëzgjatja e ndjekjes së tij, doemos ka qenë e ndryshme në përputhje me moshën, formimin kulturor, interesat sociale, niveli individual i kërshërisë dhe kuriozitetit. Sidoqoftë, ndikimi i tij, qoftë i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, është më i pranishëm në procesin e një lloj “përvetësimi të pavetëdijshëm” të normave të kultivuara në këtë “Shtëpi të Famshme”, qoftë edhe përmes imitimit.
Pa dyshim, të gjithë qytetarët, të rinj apo të moshuar, kanë të drejtën e tyre të gjykojnë për vlerat dhe antivlerat. Kjo varet nga formimi, ndjenjat e prirjet vetjake. Sepse megjithë synimet interferuese, “normat kulturore” minore e të përkohshme të kultivuara në klimën e “Big Brother”-it nuk janë detyruese, as nuk mund të kenë statusin e “matrices sociale”, që të mund të shërbejnë për të ndërtuar sjelljen individuale të qytetarit. Në këto muaj brenda shtëpisë u evidentuan “individë” dhe “persona”. Të parët më shumë vegjetuan dhe biologjizuan, kurse disa u bënë “persona” që mundën të evidentohen përmes një kompleksi të gjerë marrëdhëniesh individuale e shoqërore, duke qenë më të vetëdijshëm për rolin e tyre si “aktor social” pjesëmarrës në një eksperiment të tillë social me spektër të gjerë. Pa dyshim, me shumë vlerë kanë qenë evidentimi i tipologjive të lidhjeve, marrëdhënieve midis banorëve, duke evidentuar shpeshherë raporte heteronome, veprime të ndikuara nga të tjerët apo synime komplekse situacionale, nga qëndrimet e disa lojtarëve që shfaqën autonomi të zgjeruar, duke ruajtur dhe kristalizuar “unin” e tyre deri në fund të kohës individuale të lojës. Tipologji të ndryshme lojtarësh.
Që nga ata që tentuan të krijojnë simbiozë të pastër dhe të sinqertë me grupin, duke prioritarizuar “harmoninë e lojës”, deri tek ata që shfaqën agresivitet të qartë apo përpjekje të sforcuara për identitet të tepruar. “Big Brother” solli një galeri të tërë personazhesh me moshë, gjini, status të ndryshëm, duke evidentuar një larmi strukturash të brendshme të personazheve si lojtarë. Disa prej tyre erdhën të bindur që do të tregonin (dhe disa e treguan) forcën dhe konceptin për të “dëshmuar vetveten”, ose atë që njihet si sintagmë e modernitetit për të dëshmuar që “Unë jam Unë”. Besoj se nuk duhet mohuar fakti që spektakli pati vlera, në aspektin si mund të ndërtohet “baraspesha shoqërore” në jetën e përditshme, midis nevojës së spikatjes së identitetit, integritetit personal dhe lidhjeve e marrëdhënieve sociale.
Beteja brenda “shtëpisë” e lojtarëve për të treguar identitet, integritet dhe për të gjetur vendin dhe pozicionin e duhur në lojë ka qenë e ashpër, e zhvilluar në dikotominë që as të mos vetekzagjerohet por as të mos vetëneglizhohet si faktor. Disa nga personazhet e “Shtëpisë” treguan se janë personalitete që mundën të siguronin gjerësisht “unin” vetjak, duke shfaqur kompetencë personale interaktive në marrëdhënie me të tjerët. Madje, edhe kur ishin në gjendje stresi apo të përballuar me konflikte që janë të natyrshme në këtë format social. Shumë interesante kanë qenë raportet midis përplasjeve agresive dhe skenat e “debateve të buta” idilike që kanë përfunduar me pranimin jokritik të mendimit të tjetrit. Në kushtet kur jeta në shtëpi i vuri lojtarët ballë për ballë me njëritjetrin, ata doemos që do të krijonin “grupe” dhe shfaqje të solidaritetit si simbiozë e natyrshme midis lojtarëve. Gjithsesi, në përputhje me interesat pragmatike të lojës, garës, konkurrencës, rivalitetit të fortë të gjitha përtej spektakolaritetit janë paradigma që mund të shërbejnë për ndërtimin e moduleve të sjelljes në jetën e përditshme sociale apo pozitën që njerëzit synojnë të zëmë në shoqëri.
Është gabim, është pretenciozitet qesharak, të mendosh se “Big Brother” ka staturë të përfaqësojë tërë dinamikat e sjelljes sociale të shoqërisë. Në këtë kontekst, “karizma sociale” grupore e individualisht magnetike e tij, nuk mund të shërbejë deri ne fund për të “prodhuar orientime” apo “domethënie simbolike”, si kusht për të ridimensionuar tërë paradigmat e sjelljes tradicionale dhe zakonshmërisë sociale, rregullat, kuptimet e gjërave që lidhen me kulturën e përgjithshme urbane e sociale. Është naivitet social të presësh nga loja në “Big Brother”, të plotësojë të gjitha kërkesat e shoqërisë për mënyrën si po strukturohet natyra e njeriut postmodern apo të na japë të gatshme një “sistem postulatesh” sociale apo paradigma normative të sjelljes.
Nëse ka “ideatorë të fshehtë” që mendojnë se përmes këtij spektakli të realizojnë qëllime të tjera ektrasociale, kjo është tjetër çështje. Por, sipas mendimit tim, sado audiencë, tërheqje sociale që të ketë pasur “Big Brother” i këtij viti, ai nuk mund të shërbejë si “aspirinë sociale”. Sado e madhe dhe e sofistikuar të jetë “aspirina” “Big Brother” ajo nuk është e mjaftueshme për të ulur temperaturën e shoqërisë shqiptare, që ka ca probleme komplekse që janë përtej mesazheve, përtej luksit, vanitetit apo problemeve të tjera të alambikuara bukur nga spektakli. Janë dy realitete që dallojnë nga njëri-tjetri, për pasojë ka edhe një diskordancë midis vlerave ndikuese në cilësinë e qytetërimit tonë, por pa dhënë ndonjë kontribut në përmirësimin e kulturës qytetare. Përveç synimit të argëtimit përmes spektakolaritetit, pritej më shumë që “Big Brother” të ishte një “vepër” e dobishme, për të ndihmuar shoqërinë në përpjekjen për rigjetjen e një sistemi vlerash. Mbase kjo do të realizohet në të ardhmen…