Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako është larguar nga Komisioni Hetimor për inceneratorët, pasi sipas saj, është ndjerë e fyer nga shpifjet.
Sako tha se kur ka marrë detyrën, e ka gjetur qytetin bregdetar në një situatë të vështirë nga tërmeti dhe pandemia. Ajo u shpreh se venddepozitimi i mbetjeve në Porto Romano ka qenë gangrenë për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë.
Sipas kryebashkiakes, Bashkia nuk kishte fonde për ta mbyllur venddepozitimin në Porto Romano, dhe kur u mor vendimi, i janë drejtuar të gjitha autoriteteve për një studim fizibiliteti.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, pas disa minutash dëshmi ka braktisur mbledhjen e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve duke mos u përgjigjur pyetjeve.
Emirjana Sako: Arroganca e injoranca është në kushtet ekstreme. Unë s’kam më punë në këtë Komision, se ke dalë tërësisht e këtu s’ka asnjë komunikim etik, zoti Dako është ish kryetar Bashkie nëse do mund ta thërrisni të dëshmojë. Jeni komplet jashtë objektit të Komisonit Hetimor. Në 6 mars do e merrni përgjigjen.
Ina Zhupa: Zonja Dhima, e kuptoj që të shqetësoi se ajo e pranoi këtu që ka shkelur ligjin, por kini durim.
Emirjana Sako pas deklarates së Ina Zhupës: Jeni duke shpifur.
Në këtë moment Sako largohet nga Komisioni.
Zhupa: Uluni aty.
Jorida Tabaku: I kërkoj juristëve të paraqesin kallëzim penal për zonjën Sako që refuzon për të dëshmuar.