Presidenti Joe Biden do t’i bashkohet virtualisht të enjten konferencës së udhëheqësve të Bashkimit Evropian ndërsa palët po përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet mes tyre pas katër vitesh të vështira gjatë administratës së ish-Presidentin Donald Trump.
Shumë udhëheqës evropianë ndoqën me shqetësim vendimet e zotit Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin, vendosjen e tarifave mbi mallrat e BE-së si dhe refuzimin ndaj institucioneve shumëpalëshe që Uashingtoni kishte mbështetur prej dekadash.
“Jemi të kënaqur të mirëpresim presidentin amerikan në takimin e Këshillit Evropian të kësaj jave“, shkruante në Twitter Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, i cili kryeson samitin.
“Kam ftuar Presidentin amerikan të na bashkohet që të ndajë pikëpamjet e tij mbi bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Është koha për të rindërtuar aleancën tonë transatlantike“, shkruante ai më tej.
Sipas një zëdhënësi të Bashkimit Evropian, hera e fundit që një president amerikan i është drejtuar një takimi të nivelit të lartë të BE-së ishte në vitin 2009, edhe pse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur takime të rregullta në kuadër të NATO-s.
Krerët e BE-së do të takohen virtualisht të enjten dhe të premten për të diskutuar rreth çështjeve të tilla si vaksinat, Rusia, Turqia dhe politika industriale. Zëdhënës i BE-së tha se Presidenti Biden pritet t’i bashkohet samitit të enjten.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se zoti Biden “do të diskutojë me udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbi nevojën e rigjallërimit të marrëdhënieve SHBA-BE, të punojnë së bashku për të luftuar pandeminë dhe për të trajtuar çështjet e ndryshimit të klimës e për të thelluar marrëdhëniet tregtare dhe investimet”.
Presidenti Biden do të diskutojë rreth Kinës e Rusisë me udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së, të cilët e kanë mirëpritur presidencën e tij si një mundësi për të forcuar përparësitë e bllokut mbi të drejtat e njeriut dhe ngrohjen globale.
Megjithatë diplomatët thonë se qëndrimi i ashpër i SHBA-së ndaj Kinës, nxitja që Gjermania po i bën përfundimit të projektit të gazsjellësit me Rusinë dhe këmbëngulja amerikane që evropianët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, do të vazhdojnë të jenë çështje të nxehta./VOA/