Presidenti amerikan Joe Biden, ka pranuar se evakuimi masiv nga Afganistani “nuk është pa rrezik humbjeje”. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se SHBA kishte shpëtuar 13.000 njerëz deri më tani, në “një nga transportimet ajrore më të mëdha, më të vështira në histori”.
Por sugjerimi i presidentit se evakuuesit amerikanë nuk po pengoheshin nga talebanët, u kundërshtua nga vetë sekretari i tij i Mbrojtjes.
Z. Biden është përballur me një reagim ndërkombëtar, mbi marrjen nën kontroll të talebanëve. “Çdo amerikan që dëshiron të kthehet në shtëpi, ne do t’ju marrim në shtëpi”, tha Biden, i cili ndërpreu pushimet e tij për të zgjidhur krizën.
Teksa merrej në pyetje nga gazetarët, presidenti tha se ushtria amerikane do të bënte “të njëjtin angazhim “për 50-65.000 aleatë afganë që shpresonin të largoheshin, para se shtimi i evakuimit të qytetarëve amerikanë ishte “përparësia”.
“Mos bëni gabim, ky mision evakuimi është i rrezikshëm. Ai përfshin rreziqe për forcat tona të armatosura, dhe po kryhet në rrethana të vështira”, tha Biden.
“Nuk mund të premtoj se cili do të jetë rezultati përfundimtar, ose që do të jetë pa rrezik humbjeje. Por si komandant i përgjithshëm, mund t’ju siguroj se do të mobilizoj çdo burim të nevojshëm”, shtoi më tej ai.
Ai gjithashtu tha se nuk do të ishte e nevojshme të dërgoheshin trupat amerikane në Kabul për të nxjerrë amerikanët e bllokuar, duke pretenduar se talebanët po lejonin hyrjen në aeroport për këdo që mbante një pasaportë amerikane.
Sidoqoftë, raporte të shumta nga Kabuli kanë sugjeruar se qytetarët amerikanë kanë probleme të mbërrijnë në aeroport. Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u tha ligjvënësve në një konferencë të premten se amerikanët që përpiqen të largohen nga Afganistani, janë rrahur nga luftëtarët talebanë, raporton “Politico”.
Cilat kanë qenë kritikat?
Administrata e Bidenit është marrë në pyetje në mënyrë të përsëritur këtë javë, se si shërbimi i inteligjencës amerikane dukej se e vlerësonte kaq seriozisht situatën në Afganistan.
Të premten, Biden përsëri hodhi poshtë nocionin e një dështimi të inteligjencës, duke thënë se kishte një “konsensus” midis zyrtarëve, se talebanët që do të vinin në pushtet kaq shpejt ishte “shumë e pamundur”.
Presidenti gjithashtu hodhi poshtë sugjerimin se ngjarjet në Afganistan kishin dëmtuar reputacionin e SHBA-së në skenën botërore, duke këmbëngulur se “nuk kishte asnjë dyshim për besueshmërinë tonë nga aleatët tanë në të gjithë botën”.
Duke e përshkruar luftën në Afganistan si një “përpjekje të përbashkët” me vendet aleate, Biden tha se do të thërriste një takim me aleatët e G7, për të diskutuar hapat e ardhshëm.
Të premten, senatori Republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, tha se nëse SHBA lë një shtetas amerikan ose aleat afgan, Biden duhet të fajësohet.
Disa demokratë kanë kritikuar gjithashtu z. Biden. Senatori nga New Jersey, Bob Menendez, i cili kryeson Komitetin e fuqishëm të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se ai planifikon të kërkojë një “llogari të plotë” të asaj që ai e përshkroi si tërheqje “me të meta” nga Afganistani.
Çfarë dimë për përpjekjet e shpëtimit?
Pamjet nga kryeqyteti i Afganistanit tregojnë një turmë njerëzish që dëshpërimisht përpiqen të ikin, ndërsa talebanët shtrëngojnë kontrollin e tij në vend. Dhjetëra mijëra njerëz janë ende duke pritur të evakuohen, përpara afatit të afërt të 31 gushtit për tërheqjen e SHBA-së. Biden sugjeroi në fillim të kësaj jave se do të merrte parasysh mbajtjen e forcave amerikane në Afganistan, përtej asaj date, për të siguruar evakuimin e të gjithë qytetarëve amerikanë.
“SHBA ka gati 6.000 trupa në terren në Afganistan, për të ndihmuar përpjekjet e evakuimit dhe për të ruajtur kontrollin në aeroportin në Kabul”, tha Biden.
Por ata që kërkojnë të largohen nga Afganistani, përballen me turma masive dhe pika kontrolli të talebanëve vetëm për të arritur në aeroport. SHBA ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me talebanët”, tha Biden.
I pyetur nga gazetarët të premten, nëse Shtetet e Bashkuara do të konsideronin zgjerimin e perimetrit të sigurisë jashtë aeroportit, Biden tha se një veprim i tillë ndoshta do të çonte në “pasoja të padëshiruara”. Ai nuk specifikoi se cilat mund të jenë ato.
Forcat amerikane në tre helikopterë ushtarakë Chinook u larguan nga aeroporti i Kabulit të premten, për të ndihmuar në sjelljen e 169 qytetarëve amerikanë në pistë, sipas Pentagonit.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby tha se trupat kishin arritur përtej perimetrit për një kohë “të shkurtër” në një hotel vetëm 200 metra larg.
Eshtë hera e parë që trupat amerikane janë zhvendosur në qytet që nga rënia e Kabulit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve të premten: “Ne kemi më shumë aeroplanë se sa kemi njerëz ose pasagjerë, sepse procesi i marrjes së njerëzve – veçanërisht afganët – tani është sfidë e madhe”.
Gjithashtu të premten, fluturimet amerikane jashtë Kabulit u pezulluan për disa orë për shkak të vonesave të përpunimit në Katar, vendi i destinacionit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, më vonë tha se 11 vende në Lindjen e Mesme dhe Evropë kishin rënë dakord të vepronin si vende tranzite për të evakuuarit afganë.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today