Gjatë historisë, zjarret kanë çuar në ndryshime drastike në modelet e popullsisë, infrastrukturën dhe rrjedhën e ngjarjeve botërore. Këtu janë shtatë zjarre që ndryshuan historinë.
Djegia e Bibliotekës së Madhe të Aleksandrisë
Biblioteka e Aleksandrisë përmbante pasuri të pallogaritshme:Njohuritë mbi botën antike, të ruajtura në gjysmë milioni rrotulla nga Asiria, Greqia, Persia, Egjipti dhe India. Studiues nga e gjithë bota shkonin atje për të studiuar dhe punuar, përfshirë Euklidin dhe Ptolemeun. Biblioteka u ndërtua nën sundimin e Ptolemeut I, një gjeneral i Aleksandrit të Madh dhe themeluesit të Egjiptit Ptolemaik, në vitin 283 Para Krishtit.
Zjarri që e shkatërroi atë mbetet ende sot objekt debatesh. Plutarku pretendon se ai u shkaktua nga Jul Çezari gjatë përpjekjes për pushtimin e qytetit në vitin 48 Para Krishtit. Shumica e studiuesve, besojnë se një degë e bibliotekës mbijetoi në tempullin e Serapeum, por u shkatërrua në vitin 391 Para Krishtit nga Teofili, Peshkopi i Aleksandrisë dhe pasuesit e tij të krishterë, që më vonë ndërtuan aty një kishë.
Zjarri i Madh i Londrës
Ai ra gjatë Murtajës së Zezë, dhe shkatërroi mbi 13.000 shtëpi, duke lënë të pastrehë mbi 100.000 njerëz. Në datat 2- 6 shtator 1666, zjarri zhduku pjesën më të madhe të qytetit mesjetar, dhe dëmtoi ndërtesat e famshme, sikurse është Katedralja e Shën Palit.
Njerëzit u larguan nga shtëpitë me aq sende sa mundën të merrnin. Rindërtimi i Londrës, zgjati mbi 30 vjet. Por plani i ri urbanistik zgjeroi rrugët dhe parashikoi ndërtimin e godinave më të mëdha dhe luksoze. Zjarri i Londrës, krijoi gjithashtu dy industri krejt të reja:atë të sigurimit të pronës dhe brigadat e zjarrfikësve.
Zjarri i Madh i Nju Jorkut
Zjarr i Madh i Nju Jorkut ndodhi në vitin 1835, në mesin e një epidemie të kolerës. Mbrëmjen e ftohtë të 16 dhjetorit 1835, një depo në qendër të qytetit mori flakë. Erërat e forta u përhapën me shpejtësi duke rrafshuar mbi 17 lagje të qytetit. Furnizimi me ujë i qytetit ishte i pamjaftueshëm për frenimin e tij. Gjithsesi pas asaj tragjedie pati shumë inovacione. Ujësjellësi Kroton, i inauguruar në majin e vitit 1837, garantoi 40 milionë litra ujë në ditë, gjë që u garantonte zjarrfikësve atë që u duhej për të luftuar me flakët, dhe ujë të pastër për pronarët e shtëpive dhe bizneseve .
Zjarri i Madh i Çikagos
Ai zgjati nga 8 deri më 10 tetor 1871, shkaktoi 300 të vdekur, dhe mbi 90.000 të pastrehë. Një e treta e qytetit u shkatërrua. Por “Rindërtimi i Madh” që ndodhi pas zjarrit e transformoi Çikagon, duke e shndërruar atë në një qendër të re dhe të fuqishme të biznesit. Komunitetit iu dhuruan mbi 10 milion dollarë. Kjo solli një investim të madh të kapitalit në qytet, që kishte një pozitë gjeografik të lakmueshme si një urë lidhëse midis burimeve natyrore të pjesë së brendshme të SHBA-së, Bregut Lindor dhe Evropës.
Zjarri në një fabrikë veshjesh në Nju Jork
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 mars 1911. Zjarri vrau 146 punonjës, shumica gra të reja dhe emigrantë, shumë prej të cilëve kishin shkuar në Shtetet e Bashkuara me shpresën e një jete më të mirë. Zjarri bashkoi sindikatat, teksa protestat mbi incidentin, ushtruan presion mbi qeverinë kombëtare që të ndërmerrte veprime për të mbrojtur punëtorët. Ajo ngjarje çoi në miratimin e ligjeve të reja të sigurisë në vendin e punës.
Zjarri që dogji Rajhshtagun gjerman
Zjarrvënësit i vunë flakën Rajhshtagut, selia e parlamentit gjerman, më 27 shkurt 1933. Adolf Hitler, një politikan në rritje, që sapo ishte emëruar Kancelari i Rajhut 1 muaj më parë, i fajësoi komunistët për atë ngjarje. “Zjarri i Rajhshtagut ishte thelbësor për konsolidimin e pushtetit të Hitlerit”- thotë Benxhamin Het, profesor dhe autor i librit “Djegia e Rajhshtagut’. “Ai siguroi një pretekst për një ligj të emergjencës, i njohur jo zyrtarisht si Dekreti i Zjarrit në Rajhshtag – që e rrëzoi kushtetutën demokratike të Vajmarit, dhe i dha fund lirisë së fjalës dhe tubimit, privatësisë së postës dhe lirisë nga arrestimi pa një akuzë konkrete”- tha ai.
Burimi i lajmit: https://www.history.com/news/fires-changes-reform
Përshtatur nga TIRANA TODAY