Mentor Nazarko
Është krejtësisht e qartë se vaksinimi është temë elektorale në Shqipëri. E para, se Shqipëria nuk ka pse të dallojë nga vendet e tjera, ku sigurimi i saj ishte dhe mbetet pjesë e debatit elektoral.
E dyta, se Rama nga njëra anë, me ekipin e vet, dhe pala tjetër po debatojnë në pikëpamje sasiore dhe cilësore rreth saj me ndonjë diferencim. Rama lavdëron punën e vet, pa ndalur në mjetet e vet të propagandimit, duke kritikuar PDnë që nuk po respekton rregullat e distancimit social, dhe nga ana tjetër mjekë të shquar të PD-së dhe opozitës, si Berisha, Shehu dhe Vasili, që vënë në diskutim cilësinë e vaksinës kineze apo ruse, vendin e prodhimit etj., etj.
Basha, lideri de jure i opozitës, po përpiqet të mos merret me këtë temë, me siguri i këshilluar nga ekspertët e tij të komunikimit.
Dhe me siguri Basha ka të drejtë. Tema e vaksinimit është temë që e nxjerr mirë Ramën në opinionin publik, duke qetësuar frikërat kolektive; duke e centruar atë në sytë e kombit si shpëtimtar; duke diferencuar udhëheqësinë e tij në raport me vendet e tjera ballkanike si lider i suksesshëm; duke bërë bujarin përkundrejt Kosovës, pa pompë të tepruar të dhurimit të vaksinave, për më shumë që Kosova ka zgjedhur zyrtarisht të mos reagojë me mirënjohje.
Një lider si Netanjahu arriti të fitojë zgjedhjet izraelite pas disa mandatesh, me shumë skandale në kurriz, duke u diferencuar nga liderët e tjerë vendorë, por dhe në rrafsh ndërkombëtar, pikërisht për shkak të suksesit në sigurimin e hershëm të vaksinave.
Këtë e dinë mirë ekspertët izraelitë të fushatës së Bashës, jo thjesht si fakt, por si analizë të teknologjisë së fushatës, si ndryshim drastik të orientimit elektoral të një shoqërie ku e ku më të përparuar se jona. Vuçiç, po ashtu, po shijon frytet e këtij suksesi, duke bërë politikë vendore, diplomaci globale dhe rajonale me të, turizëm ballkanik vaksinash, biznes shëndetësor me fabrikat që do të ngrihen në territorin e vendit të tij etj., etj.
DISA PREJ KRITIKAVE I SHËRBEJNË RAMËS, ME OSE PA VETËDIJE
Kritikët e Ramës, më të arsyeshmit, mund të jenë vetëm mjekët, por sigurisht jo mjekët politikanë, të cilët thjesht e vetëm duke e bërë këtë gjë, theksojnë meritën e tij.
A mund të siguroheshin vaksinat nga drejtues të dikasterit të shëndetësisë të një vendi të vogël, nga specialistë, nga prokurimi i zakonshëm i një vendi liliput, në kushtet e një përplasje globale për primat, për pjesëtimin e tregut? Kurrsesi dhe këtë e tregojnë vendet e tjera të rajonit që me përjashtim të Serbisë janë mbrapa nesh, ku e ku.
A nuk mundej ta siguronte Maqedonia apo Mali i Zi, vende të vogla, me udhëheqës jetëgjatë në pushtet që kanë rrjet miqsh ndërkombëtarë, apo me rëndësi gjeopolitike të konsiderueshme? E kanë me gjasë sistemin shëndetësor më të përparuar se tonin, por kanë dështuar.
S’po flasim për Kosovën e defavorizuar nga dobësimi i subjektivitetit ndërkombëtar nga zgjedhjet e vazhdueshme, nga mungesa e konsensusit ndërkombëtar, edhe për ta ndihmuar atë. As për Bosnjën. A mund të sigurohej vaksina perëndimore më parë? Me gjasë jo, sepse edhe vende perëndimore nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë, si për shembull Hungaria, e cila e ka parë veten të detyruar ta marrë atë pjesërisht ë Rusi.
Po kështu, edhe Italia etj. Përplasjet për “AstraZeneca”-n dhe polemikat e vendeve të BE-së me Britaninë e Madhe tregojnë qartë se loja për tregun e miliardave s’është vetëm për këtë vit, por për më gjatë, sepse kjo vaksinë ngjan se do të përdoret çdo vit si për gripërat e zakonshëm apo më shumë sesa për ta. E në këtë lojë, Shqipëria nuk ka pasur çfarë të bënte.
A mund të merrej vaksina ruse apo kineze më parë si thonë kritikët? Rama justifikohet se ka pasur premtime, por jo disponibilitet të tyre më herët. Turqia ngjan se e ka hapur kanalin për Shqipërinë, duke treguar qartë (edhe me shenjat e tjera) preferencën e Erdoganit për fituesin e zgjedhjeve te ne.
Duket po aq sheshit se në kushtet e politikave tërhiq e lësho të prodhuesve perëndimorë, ka qenë e vështirë për një vend si Shqipëria të mundësonte sasinë e nevojshme për vaksinim masiv.
ARGUMENTI KRITIK I VENDIT TË VAKSINIMIT
Argumenti më serioz, për të cilin bien dakord ekspertët shqiptarë të mjekësisë që sot punojnë jashtë vendit, mbetet ai për publicitetin që shoqëron vendin e zgjedhur për vaksinim- sheshet kryesore, stadiumet, etj., dhe jo qendrat shëndetësore apo poliklinikat.
Vende të tilla ngjajnë se favorizojnë gjithashtu përhapjen e sëmundjes për shkak të mosdistancimit social. Me një fjalë, Rama me një sistem shëndetësor të dobët edhe mund të shkëlqejë në sigurimin e vaksinës, mirëpo me një dobësi të tillë sistemike nuk mund të arrish një vaksinim të shpejtë dhe efektiv. Mirëpo, mbrojtësit e pozicionit të kundërt, gjithashtu ekspertë, pretendojnë se mungesa e korrektësisë së shqiptarëve me oraret, korridoret e ngushta të qendrave tona sanitare etj. e vështirësojnë procesin e vaksinimit dhe e komprometojnë atë. Kujt t’i besosh?
Kësisoj, kritikat për efektivitetin e vaksinave, për moshat e caktuara, shtetet ku ka dështuar, vendndodhjen e fabrikës në Beograd, etj., mungesën e transparencës në negociata, për kontratat, që vijnë nga mjekët politikanë, nëse ndihmojnë Ramën ta mbajë këtë temë sa më shumë në logjet popullore, mund të kenë një efekt tjetër anësor, por të llogaritur.
Nxitjen e mosbesimit popullor te vaksina, sherret preferenciale, dua “Pfizer” dhe s’dua kineze etj., etj. Me një fjalë, dështim të procesit në pikëpamje të pjesëmarrjes, e cila, nëse është e lartë, mund të shtonte efektin elektoral të vaksinimit.
Një proces i suksesshëm, me pjesëmarrje masive, pa firo, mund të kishte jo thjesht impakt elektoral, por edhe ndikim shëndetësor, ekonomik më të madh, në turizmin veror për shembull.
PËRFUNDIME…
Kësisoj, fokusimi elektoral i Ramës te vaksinimi ka përgjigjen më të drejtë te Basha, moskundërshtimin me termat- antikineze, antiruse, antiprokurim i drejtpërdrejtë apo antiautokratikë që vijnë nga Berisha, Vasili apo Shehu.
Mirëpo, ky lloj fokusimi, kjo lloj mospërgjigjeje, megjithatë, nuk shmang një temë tjetër: çfarë fushate duhet të bëjë lideri Basha? Përveçse Rama ka plot aspekte të kritikueshme në 8 vjet dhe opozita ka shumë çfarë të propozojë, tubimet masive ngjajnë problematike, sepse gjithashtu i shërbejnë lojës së Ramës si “kujdestar i shëndetit publik”, përkundër opozitës si dëmtuese e tij.
Basha duhet të mendojë mirë si ta adresojë këtë problem. Të propozojë mbylljen? Do humbte banjot e turmave si propozojnë dhe ekzekutojnë regjisorët elektoralë të tij.
Të mos lejojë grumbullime masive? Do zbehë ndikimin që ai don të arrijë- se në favor të ndryshimit ka shumë frymë, që duket sikur e garanton masiviteti. Praktikisht në lojën elektorale po përplaset Besimi me Ndryshimin. Vaksinimi masiv konfirmon Besimin.
Ndryshimi tentohet me turmat me ose pa regji, brenda makinave apo jashtë tyre, të kapura për dore si kuajt. Kush do të fitojë?
/panorama.al/