Këngëtarja shumë e dashur për publikun, Vesa Luma, ka zgjedhur të thyejë heshtjen dhe të flasë hapur për një temë që prej kohësh ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale: ndryshimin e saj fizik dhe rënien nga pesha.
Përmes një postimi reflektues të titulluar “Monday Reflections”, artistja ka sqaruar se transformimi i saj nuk lidhet me dëshirën për t’u dukur ndryshe apo më bukur, por me një betejë serioze shëndetësore që ka zgjatur rreth tre vite.Vesa tregon se gjithçka nisi me simptoma të pazakonta, si fryrje të vazhdueshme dhe mungesë energjie, ndërsa në rrjete sociale përballej me komente të ashpra dhe akuza për ndërhyrje estetike. Pas një sërë analizash mjekësore, ajo zbuloi se vuante nga rezistenca ndaj insulinës, një gjendje që e rrezikonte seriozisht drejt diabetit të tipit 2.Në përpjekje për të përmirësuar gjendjen, këngëtarja provoi fillimisht trajtime të tjera mjekësore, përfshirë Metforminën, por pa rezultate konkrete. Kjo e detyroi atë të merrte një vendim të vështirë: të nisë trajtimin me Ozempic në tetor të vitit të kaluar.Vesa pranon se kishte frikë nga efektet anësore dhe pasojat psikologjike të këtij trajtimi, por stabilizimi i shëndetit ishte prioritet absolut. Brenda dy muajsh, ajo arriti të stabilizojë nivelin e sheqerit në gjak dhe të humbasë rreth 7 kilogramë, duke theksuar se ky proces nuk ishte aspak i lehtë emocionalisht.Në fund të rrëfimit të saj, artistja jep një mesazh të fortë për ndjekësit: çdo trajtim duhet të bëhet vetëm nën kujdesin e mjekëve profesionistë dhe shëndeti duhet të vihet gjithmonë mbi opinionet dhe paragjykimet e rrjeteve sociale.















