Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, ka folur rreth situatës politike në vend. Vlen të theksohet se Berisha pas mbylljes së çadrës nuk ka folur në publik. Ai nuk ka komentuar asgjë për listat e PD-së. Berisha si gjithmonë ka ditur që të jetë diplomat dhe ika rrëshqitur pyetjeve për gjendjen aktuale të Partisë Demokratike.
“Njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme jam unë. Statusi im është i tillë. Çdo lloj qëndrimi publik do më nxirrte nga statusi i një njeriu të dorëhequr përgjithmonë”, tha Berisha kur u pyet mbi gjendjen e PD-së.
Në klipin e publikuar nga gazetari Dervishi, për promovimin e emisionit, Berisha ka deklaruar se “ndjehet komod në fitoren e Partisë Demokratike”, kjo do të thotë së ai ka besim te ekipi i përzgjedhur nga Basha. Ai ka pranuar se në lista ka diçka që nuk shkon duke pohuar se “kryetari ka pranuar që këto janë listat e fundit që bëhen në këtë mënyrë”. Më pas e ka mbrojtur Bashën duke thënë se “kryetari ka të drejtë të ketë listën e tij”.
Në momentin që Berisha është pyetur për reagimet e forta të Jozefina Topallit dhe Arben Imamit që kërkuan largimin e menjëhershëm të Bashës me pretendimin se Basha në zgjedhje po fut klientelën familjare dhe jo PD-në, Berisha është përgjigjur ftohtë, “Nuk kam asnjë koment”.
I pyetur nga gazetari Dervishi për mungesën e flamujve të Partisë Demokratike në fushatë, Berisha nuk ka folur, vetëm ka buzëqeshur.
Me sa duket, ku ka zë nuk është pa gjë. Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, disa ditë më parë, ka deklaruar se Berisha ka ndërmend që të shkrijë Partinë Demokratike me largimin e tij nga politika. Topi tha se Berisha kërkon të hyjë në histori me partinë që i dha lirinë dhe demokracinë shqiptarëve dhe kjo parti do të zhduket nga skena politike me largimin e Berishës. Ndoshta këtu ka diçka të vërtetë?
Ndërsa kur Dervishi ka insistuar nëse do zbatohet standardi i vënë nga vetë Berisha i cili thotë se ai që humbet zgjedhjet largohet nga kreu i PD-së, Berisha ka thënë “Kjo ishte një zgjedhje personale. Ky kriter nuk është i domosdoshëm për të gjithë”.
Dy ditë më parë kryetari i Parisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se më 22 korrik do të ketë zgjedhje për kryetarin e PD-së, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Pyetjes së Dervishit se çfarë ka bërë mirë kjo qeveri për këto katër viteve, Berisha i është përgjigjur “zhytu në një kënetë dhe gjej gjilpërën”. Me këtë, Berisha thotë se nuk i njeh asnjë meritë qeverisë, as ligjin e Vettingut të cilin vetë e votoi.
Berisha, për presidentin e zgjedhur, Ilir Meta, ka deklaruar se “është një majtist i palëkundur”. Deklarata nënkupton se Meta sërish orientohet majtas dhe ka qëndrime të majta, pavarësisht aleancave të më pashme. Kjo nënkupton se ketë herë Meta është vetëm pa mbështetjen e Berishës.
Presim publikimin e intervistës së plotë për të mësuar se cila do të jetë lëvizja e radhës e Berishës për të ndikuar në politikën shqiptare.