Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Editorial - Opinione

Berisha duhet të përballet i vetëm

4 vjet ago
in Editorial - Opinione, Të Gjitha, W-Instant

Nga: Alfred Duka

U bënë disa vite që rreth personit të Sali Berishës vihet re njëfarë tensioni, përtej asaj se çfarë ai zyrtarisht përfaqëson, për të kulmuar me shpalljen e tij “non grata” nga Sekretari i Shtetit, zoti Blinken.

Si të mos mjaftonte ky akt ndaj tij, ambasadorja e SHBA-së, zonja Juri Kim, periodikisht po e rrit këtë temperaturë, në fillim me nota disi diplomatike, për të vijuar deri më tani të paktën, me deklarata shqeto, aspak të sojit të profesionit të saj, me kumtin se Berisha nuk duhet të jetë në shtator pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Më shumë se objekti i kërkesës së saj, ajo që çuditi ishte metafora e “barit”, e harruar prej shqiptarëve prej disa dekadash. Tjetër gjë që nuk e kuptuam mirë qe se cilit iu drejtua ajo. Partisë Demokratike? Kryetarit të saj? Apo vetë zotit Berisha? Apo të treve së bashku?

Nga të tria drejtimet e mundshme të adresuara, përveç Berishës, nuk kemi pasur asnjë reagim, as diplomatik. As pro, as kundër kërkesës, që më shumë se e tillë, kishte karakter urdhërues. Vizita e zonjës Kim, së bashku me urdhrin e saj që shkarkoi në selinë e PD-së, e përkthyer në zakonin e vendit tonë, ngjan me vizitën e mikut më të madh dhe të rëndësishëm, i cili jep disa urdhra. Ky veprim bie ndesh me normat më elementare të mikpritjes shqiptare. Mendimi se këtë gjë nuk e dinë miqtë më të mëdhenj të PD-së dhe shqiptarëve, është e zorshme për t’u besuar. Edhe se urdhri i saj njëkohësisht bie ndesh me parimet perëndimore të organizimit të brendshëm të një partie politike, besohet se dihet prej zonjës Kim. Edhe se zoti Berisha gëzon një mbështetje të konsiderueshme të militantëve të PD-së, edhe kjo nuk kërkon njohuri të thella. Edhe se mjeshtëria e zotit Berisha për ta karikuar këtë mbështetje është gjerësisht e njohur, sigurisht edhe prej zonjës Kim. Atëherë përse bëhet? Ndërkohë që këto veprime vijnë aq ndesh si me zakonin vendas, ashtu edhe me atë perëndimor.

Zoti Berisha është votuar për të qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga mbështetësit e PD-së dhe duhet të bëjë pjesë në Grupin Parlamentar të kësaj force politike, sipas të gjitha normave ligjore dhe demokratike të Republikës së Shqipërisë, sigurisht si norma të një vendi demokratik, ashtu siç mëtojmë të jemi. Kush e ka tagrin për ta përjashtuar zotin Berisha nga PD-ja dhe Grupi Parlamentar i saj? Askush përveç vullnetit të tij! Këtë mund ta bëjë vetëm ai. Po në rast se ai, siç ka premtuar, nuk e kryen një veprim të tillë? Atëherë vijmë në një përplasje kokë më kokë! Dhe ai që do të humbasë sigurisht që është Berisha. Po PD-ja çfarë humbet? Berishën dhe pak SHBA-në. Berisha nuk do të humbasë se është i korruptuar. Nuk ka, as ka pasur ndonjë politikan të sferës më të lartë shqiptare të 30 viteve të fundit, më të pakorruptuar se ai.

Pastaj, nëse e krahasojmë me këta të këtyre tetë viteve të fundit, ai duhet shpallur “engjëlli i Zotit”. Nëse SHBA-ja do të inspirojë goditjen e tij, duke e vënë para drejtësisë, e sigurt ka për të rezultuar që humbësi nuk ka për të qenë Berisha. Këtë nuk e di se kush nuk e di. Përse atëherë gjithë ky sulm ndaj ish-mikut më të madh të Amerikës ndër ne? Madje një sulm që vjen në shkelje të parimeve demokratike, nga vendi më demokratik i planetit. Mbetet për të hamendësuar. Përtej kësaj, nëse institucionet ligjzbatuese të këtij vendi “ndërsehen” kundër tij për ta vënë në bankën e provës së ndershmërisë, atëherë, bazuar në parimin e madh të proporcionalitetit, inspiruesit duhet të caktojnë shumë “rrape” për t’ua mbajtur trupin drejt në mes të Tiranës pushtetarëve aktualë, ku sigurisht njëri prej tyre duhet të jetë më i shëndoshë se të tjerët, por që të përmbushë edhe kriterin e gjatësisë! Po a ka shenja të tilla? Shqip, të ndëshkueshmërisë së pushtetarëve aktualë? Horoskopit nuk i rrjedhin kumte të tilla. Atëherë përse gjithë kjo stuhi që ka filluar si në gotë, por që si xhind duket se do të dalë prej saj.

Ajo që duhet të dimë ne shqiptarët është se perëndimorët, ndër të tjera, krejt ndryshe nga ne të nahijes tonë ballkanike, kanë të shenjtë luajalitetin. Si? Mbase, përveç nesh, askush nuk beson nga të djathtët, të majtët, apo nga as të majtë e as të djathtë, natyrisht as amerikanët, se në mos kryetari real, Berisha është më i rëndësishmi në Partinë Demokratike. Kjo duket se është paradigma kauzale, që hamendësohet se lidh këtë sulm të tyre ndaj Berishës. Kjo është një dilemë e rëndësishme, pasi ekziston një tektonikë ndërmjet atyre që ka deklaruar ndër vite Berisha në lidhje me pozicionin real të tij në PD dhe asaj që kuptojnë apo nënkuptojnë të tjerët. Kjo dilemë, elegantësisht dhe realisht, por brenda kohës në dispozicion, zgjidhet vetëm prej vetë Berishës. Çdo zgjidhje tjetër, e cila mund të pasojë këtë mosveprim, nuk ka për të kaluar pa pasoja, si për vetë Berishën, PD-në, por edhe imazhin e SHBA-së brenda dhe përqark nesh.

Personalisht besoj se këtë rebus, ndër më të paprecedentët e tri dekadave të fundit, ka për ta zgjidhur vetë Berisha, pasi askush si ai nuk e di se sa i ka dhënë dhe marrë Partisë Demokratike, gati si në një simbiozë tridhjetëvjeçare. Duke i lejuar vetes të bëj paksa “orakullin”, në shtator e shoh Berishën një “Grup Parlamentar më vete”, pasi pavarësisht moshës, i ka kapacitetet i vetëm për ta pasur forcën dhe fuqinë e një grupi. Nëse nuk do të ndodhë kështu, atëherë paskam qenë i gabuar në simbiozitetin Berishë-PD. Çdokush e di se sa e do ai PD-në, por kësaj here, kësaj dashurie duhet t’i vendosë një ledh distancues, jo për t’u hedhur hi syve ”kureshtarëve”, por për hir të dashurisë së tij politike. Kësaj here duhet!

Berisha e di mirë se perandoritë janë të rënda, e marrin kthesën ngadalë si tren, ashtu si nisen, ashtu edhe ndalojnë. Përgjithësisht ndjekin arsyet e veta, jo gjithmonë të arsyeshme për të tjerët, por i shërbejnë si të tilla dhe në mos janë ashtu. Perandoritë kanë edhe një “ves”, gabimet e tyre nuk lejojnë të shpallen të tilla kur i kryejnë, por sa të jetë e mundur e më vonë, aq vonë… vetëm atëherë kur piqen si frutë në duar historianësh. Atëherë nuk ua ndien më. “Dje ishte dje” dhe kur ajo bëhet histori, nuk iu prish punë.

Instinkti i lashtë sa bota i çdo qenieje të gjallë është mbrojtja. Te humanët njihet si e drejtë themelore. Si pakkush, Berisha e di më mirë se të tjerët, se kur një njeri është i sëmurë, apo i akuzuar, gjendet brenda një trekëndëshi, vetë ai, Zoti për ata që besojnë dhe ndryshori respektiv, mjeku apo avokati. Berisha, për të mbetur ai që njohim, duhet të përballet i vetëm, pa kërkuar ndihmën e askujt. Vetëm personalisht. Atëherë kur u sulmua para 24 vjetësh, i dolëm të gjithë në mbrojtje atij dhe vetes sonë dhe ia dolëm, tani ndryshon puna. Tani ai duhet të provojë para botës se ka dhënë dorëheqjen në 2013-ën dhe se nuk është ai njeriu më i rëndësishëm në PD. Ndoshta ata që e kanë akuzuar po vëzhgojnë pikërisht këto lëvizje të tij. Ky veprim u bën mirë të gjithëve, të parit vetë atij! Berisha është në të drejtën e Zotit të mbrohet me çdo formë e mënyrë, pa kursyer asgjë, përveç Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj. Mbrojtja e kërkuar që andej, në llogari të fundit, do ta dëmtojë vetë atë.

Pavarësisht se mund të ketë të drejtë, Berishës nuk duhet t’i shkojë në mendje të përdorë PD-në dhe Bashën si mburojë. Pasojat e një përdorimi të mundshëm do të rezultojnë fatale. Nëse Basha do ta shpallë mbrojtjen e Berishës, automatikisht humb atë të Perëndimit. Nëse nuk do ta mbrojë Berishën, përkohësisht humb një pjesë nga militantët e PDsë, pa të cilët ai është i rrezikuar që PD-ja t’i kthehet mbijetesës. Në të njëjtën pozitë është edhe lidershipi i PD-së ta themi. Berisha duhet ta shpallë se do të përballet i vetëm, pa e dëmtuar më tej simbiozën e vet, duke e prerë kordonin bashkushqyes dhe bashkëjetues, për të paktën ata që nuk besojnë në sinqeritetin e deklarimeve të tij.

POST SCRIPTUM.

Tregohej aty nga fundi i viteve ‘70 se një ish-partizan i shquar në luftë nuk kishte pranuar për të kryer ndonjë detyrë shtetërore, as partiake, por ndiqte me kënaqësi stërvitjet ushtarake ngado që bëheshin, por ato që nuk i humbiste asnjëherë ishin zbori i studentëve. Aty ndihej më mirë se kudo. Në një rast, një komisar po “kakariste” një këngë të gjatë para qindra studentëve në periferi të Tiranës. Theksi i fjalomanisë së tij ishte kinse forca e ushtrisë sonë, e cila nuk donte me ia ditë për askënd mbi dynja, as për grekë, serbë, fashistë italianë, social-imperialistë sovjetikë, kinezë, izraelitë dhe… as për “imperializmin amerikan”. Këtu ish-partizani, si i pickuar, brofi më këmbë: “Nigjo pak lalën tat, shoku komisar! Vallahi të gjitha i ke thonë tamom… të gjitha, të gjitha! Po të lutem shumë, vetëm kët’ të fundit mos ta nite (dëgjonte) lala…”. “Cilën?”, u krekos komisari. ”Kët’ me amerikont pra!?…”

Si gjithherë, kishte një vetëdije dhe në atë kohë te shqiptarët mbi rolin e Amerikës në zhvillimet politike në botë. /Panorama.al

 

 

 

Tags: Alfred DukaBerisha

TË LIDHURA

Dëmet reale dhe ato kolaterale të drejtësisë
Analizë

Dëmet reale dhe ato kolaterale të drejtësisë

21:10 | 11/07/2025
A do ta çojë SPAK deri në fund luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri?
Editorial - Opinione

A do ta çojë SPAK deri në fund luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri?

22:35 | 05/07/2025
Skllevërit e Sali Berishës dhe pse nuk ka shpresë për PD
Editorial - Opinione

Skllevërit e Sali Berishës dhe pse nuk ka shpresë për PD

20:59 | 02/07/2025
Next Post
Reali hedh në gjyq La Ligën, zbulohet arsyeja

Reali hedh në gjyq La Ligën, zbulohet arsyeja

Deti i Zi, “Perdja e re e Hekurt” mes Lindjes dhe Perëndimit

Deti i Zi, “Perdja e re e Hekurt” mes Lindjes dhe Perëndimit

Ngjela: Me lista të hapura, Sokol Olldashi e rrëzon sërish Bashën nga PD

Amerika ti vendosë Serbisë embargo, brenda kushtit të njohjes së Kosovës

JU REKOMANDOJMË

“Gjalpi është margarinë, qumështi me ujë” – Kamera e fshehtë e Vetting zbulon skandalin me ushqimet në azile. Dhoma të mbipopulluara e dhunë

“Gjalpi është margarinë, qumështi me ujë” – Kamera e fshehtë e Vetting zbulon skandalin me ushqimet në azile. Dhoma të mbipopulluara e dhunë

20:32 | 17/07/2025
‘Jepe vetë dorëhegjen’! Kryetari i Bashkisë Konispol sfidon sërish Ramën. Nuk shkarkon asnje nga vartësit!

‘Jepe vetë dorëhegjen’! Kryetari i Bashkisë Konispol sfidon sërish Ramën. Nuk shkarkon asnje nga vartësit!

14:16 | 15/07/2025
”Banorët duhej të ishin lajmëruar 15 ditë para”, Jorgo: Prishja e ndërtimeve në Theth, e jashtëligjshme

”Banorët duhej të ishin lajmëruar 15 ditë para”, Jorgo: Prishja e ndërtimeve në Theth, e jashtëligjshme

21:24 | 15/07/2025
Arbana Osmani rikthehet në shtator me dy projekte të reja

Arbana Osmani rikthehet në shtator me dy projekte të reja

08:31 | 14/07/2025




TË FUNDIT

Zjarr në Shkopet, digjen dy banesa pa njerëz brenda. Flakët dalin jashtë kontrollit
Aktualitet

Zjarr në Shkopet, digjen dy banesa pa njerëz brenda. Flakët dalin jashtë kontrollit

by mirseda
20:43 | 19/07/2025
0

Një zjarr i madh ka shpërthyer në Shkopet, ku për pasojë janë djegur edhe dy banesa. Fatmirësisht,...

Zjarret nuk ndalen/ Situatë kritike në Parkun Kombëtar të Lurës, 11 vatra aktive në gjithë vendin

Zjarret nuk ndalen/ Situatë kritike në Parkun Kombëtar të Lurës, 11 vatra aktive në gjithë vendin

19:49 | 19/07/2025
Shëngjin, Shpërthen bombola e gazit në banesë, plagoset një 64-vjeçare

E rëndë në Shëngjin/ Ra në kontakt me rrymën elektrike dhe u rrëzua nga skela, humb jetën 32-vjeçari

18:44 | 19/07/2025
Aksioni i IKMT-së, “kërcet” sherri mes pronarëve të një hoteli dhe kryetarit të fshatit Tushemisht

Aksioni i IKMT-së, “kërcet” sherri mes pronarëve të një hoteli dhe kryetarit të fshatit Tushemisht

15:56 | 19/07/2025
Kapet vrasësi shqiptar me pagesë, plagosi dy persona për llogari të mafias turke

Kapet vrasësi shqiptar me pagesë, plagosi dy persona për llogari të mafias turke

15:54 | 19/07/2025

Tirana Today


© 2024 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.

Kontakt

EMAIL : redaksia@tiranatoday.com

Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.

EMAIL : redaksia@tiranatoday.com

Cel: +355694040005

© 2022 TiranaToday Dev By: wearedope.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2024TiranaToday Dev by : Techzero1.com