E enjte, 2 Dhjetor, 2021
12.5 C
Tirana

BE nuk “shpëton” nga mbytja industrinë shqiptare të peshkut

Bashkimi Europian nuk e ka pranuar kërkesën e përsëritur të Shqipërisë për shtimin e kuotave të eksportit të açuges pa tarifë që përpunohet në vend, pasi zgjerimi rrezikon mbylljen e fabrikave në Europë dhe redukton të ardhurat e tyre.

Pas konkluzioneve të takimit të 12-të për “Bujqësisë dhe peshkimin”, i zhvilluar më 3 dhjetor në Komisionin Europian, pala shqiptare pritet të nisë negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për hapjen e tregut në produkte të tjera që eksportohen pa tarifë në BE.

Kostoja e përpunimit të produkteve të tjera të peshkut, pavarësisht se konsiderohet më e lirë në Shqipëri, nuk pranohet nga kompanitë vendase. Zgjidhja e ofruar nuk është e leverdishme për ta, pasi jo vetëm do të rrisë kostot e investimit, por në treg nuk ka kërkesa për produkte të tjera përpunuese.

Kjo industri, prej vitesh, po vuan mungesën e rishikimit të kuotave për eksportin e açuges drejt vendeve të BE-së pa tarifë doganore. Lënda e parë që importohet nga shtetet, si Spanja, Italia, Kroacia dhe Argjentina përpunohet në Shqipëri, si produkt i gatshëm ose gjysmë i gatshëm dhe eksportohet drejt BE-së pa taksë, deri në një kuotë të caktuar prej 1600 tonë në vit. Nëpërmjet investimeve të kryera, kompanitë përpunuese kanë rritur kapacitete përpunuese, ku prej vitit 2016, niveli i kuotës së lejuar (1600 tonë në vit) përfundon që në muajin gusht apo shtator.

 

Do të negociohet MSA

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, në intervistën për “Monitor” tha se negocimi i marrëveshjes së MSA është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin me përfundimin e kuotave të lejuara të eksportit. Znj. Ekonomi tha se edhe nga konkluzionet zyrtare të takimit të 3 dhjetorit 2020, pala europiane (KE) kërkon negocim më të gjerë se sa produktet e peshkimit.

Arsyet janë pasi rritja (ose heqja e kuotave) e prodhimeve të kategorisë 1604, e cila parashikon produkt të gatshëm, final në treg, peshk në vazo qelqi etj., në vaj, ka një efekt në buxhetin dhe ekonominë e vendeve anëtare të BE-së: sjell rënie të të ardhurave doganore; mbyllje ose reduktim të fabrikave përkatëse në vendet e BE-së.

“Kostoja më e ulët e përpunimit në Shqipëri do të sjellë spostim të përpunimit në Shqipëri dhe rritje të depërtimit të mallrave të përpunuara në Shqipëri, në tregjet europiane. Këto kosto duhet të mbulohen nga hapja e mëtejshme e tregut shqiptar për ato produkte të BE-së të cilat, aktualisht, në Shqipëri paguajnë tarifa doganore. Ky është thelbi i negocimit, pasi MSA është një instrument financiar- tregtar që rregullon tregtinë dypalëshe.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), në parim, ka rënë dakord me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të filluar këtë proces negocimi. Negocimi do të kryhet nga MBZHR, MFE dhe grupet e interesit në industrinë përpunuese të peshkut dhe eventualisht edhe të industrive të tjera të cilat mund të preken nga hapja (heqja e tarifave doganore) për mallrat e BE”.

Operatorët kryesorë të tregut thonë se negocimi i MSA-së nuk i jep zgjidhje problemit të tyre. Artur Mata, nga “Konservimi Adriatik”, thotë se “në Shqipëri nuk ka kërkesë për produktet e tjera të peshkut. Kjo nuk është zgjidhje, pasi ne jemi të specializuar për përpunimin e açuges. Nuk jemi në gjendje të përpunojmë produkte të tjera, për të cilat mungon lënda e importuar dhe kërkojnë investime të mëdha.

Ky është një problem i mbartur ndër vite dhe grupet e negocimit nuk kanë paraqitur argumente bindëse për Brukselin. Më herët, në një takim të zhvilluar, pala shqiptare ka kërkuar rritjen e kuotave të peshkimit, në një kohë që Shqipëria nuk kishte realizuar as 1% të saj. Mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për zgjerimin e kuotave”.

Zgjidhja që japin industrialistët është kryerja e bisedimeve edhe me shtetet europiane nga importohet lënda e parë. “Qeveria shqiptare duhet të negociojë me qeveritë e Spanjës dhe Italisë, pasi shumë industrialistë të këtyre vendeve kanë ngritur fabrika në Shqipëri. Ata janë të interesuar të rriten kuotat e eksportit dhe janë zë i fuqishëm në Bashkimin Europian”.

Edhe ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, njohës i problematikës së kësaj industrie, thotë se arritja e këtij objektivi nëpërmjet negocimit të MSA-së është shumë e vështirë.

“Do të shtoja edhe kapacitetet e kufizuara të peshkimit të pelagjikëve të vegjël nga një flotë e vogël dhe e amortizuar peshkimi gjë që i kufizon argumentet e palës shqiptare për rishikim të kuotave të peshkimit. Amendimi i fundit i ligjit të peshkimit, i cili ngrin dhënien e licencave të peshkimit, godet edhe më shumë rritjen e kapaciteteve tona peshkuese dhe na heq forcën e argumentit për të kërkuar rishikim të kuotave.

Goditjen e madhe e marrin fabrikat e përpunimit, të cilat me kapacitetet që kanë kuotat aktuale të peshkut i ezaurojnë për tre muaj. Topi mbetet në fushën tonë. Për sa kohë që ligjet që miratojmë për interesa të ngushta biznesi, vendosin situata monopol dhe mbajnë peng zhvillimin dhe diversifikimin e sektorit, atëherë nuk kemi brumë për të gatuar negociata për rishikim kuotash.”

Lexo edhe :   52% e lejeve të qëndrimit në BE në 2020-n u dhanë për shqiptarët nën 19 vjeç

Pse nuk u arrit zgjidhja teknike

Për drejtuesin e dy fabrikave të përpunimit të açuges në vend, një në Vaun e Dejës dhe në Tiranë, z. Mark Babani nga “Mare Adriatik” zgjidhja e këtij ngërçi është më tepër çështje teknike, sesa kërkon negocim të MSA-së.

“Është mjaft e nevojshme të shikohen disa terma teknikë, se si ne mund të përfitojmë kuota, pasi kjo situatë e rëndë ka penalizuar sipërmarrjen e eksportit të peshkut të përpunuar.

Fillimisht duhet të thirret për diskutim i gjithë grupi i interesit, që nga përfaqësuesit e Ministrive të Bujqësisë, të Ekonomisë dhe Financave, Drejtorisë të Përgjithshme të Doganave dhe kompanitë përpunuese. Ne kemi shumë lloje peshqish që përpunohen nga fasonët dhe eksportohen drejt vendeve të BE-së me taksë, por njihen si kuota të lejuara për eksport pa tarifë.

Lexo edhe :   52% e lejeve të qëndrimit në BE në 2020-n u dhanë për shqiptarët nën 19 vjeç

Administrata doganore, njohëse e kodeve të tarifave, duhet të nisë punën për rregullimin e tyre. Situata penalizon direkt eksportuesit shqiptarë të açuges, kurse fasonët nuk preken pasi shfrytëzojnë kuotat tona dhe paguajnë vetëm krahun e punës”, nënvizoi z. Babani. Sipas tij, kuotat e lejuara përfundojnë që në muajin shtator dhe tregu mbetet pa furnizim për muajt në vijim.

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, tha se gjatë këtyre viteve është negociuar me KE edhe për ta trajtuar, si çështje teknike si zgjidhje më e shpejtë, por nuk u gjet mirëkuptimi. “Açuget eksportohen në kavanoza në vaj, ku vaji përbën gati 50% të sasisë e cila llogaritet në peshën e kuotës. Një nga propozimet nga ana jonë ishte që të llogaritej vetëm pesha e peshkut (pa vaj) gjë që sillte dyfishimin e kuotës, por kjo nuk u pranua.”

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili gjatë mandatit të tij i dërgoi kërkesë Bashkimit Europian për dyfishim të kuotave, shpjegoi për “Monitor” pse varianti i zgjidhjes teknike nuk u arrit. “Propozimi për dyfishim të kuotave të açugeve, nëpërmjet një ndryshimi metodik në përllogaritje të peshës, ishte realist dhe i arritshëm. Por kërkonte lobim dhe angazhim     diplomatik (diplomaci ekonomike) gjë që mungoi”.

Problemi me kuotat

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa në 2016-n që në gusht. Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptarë do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht, ata kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja evropiane, çdo kategori produkti do të taksohet.

Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.

Ngërçi është krijuar, pasi në treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës. Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia, Italia, Spanja dhe Argjentina, i cili përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri, dhe eksportohet në BE.

Rritja e eksportit 

Eksportet e këtij grupi janë rritur ndjeshëm në 5 vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, Ushqimet e përgatitura prej mishi, peshku, molusqe, etj. ishin dy herë më të larta së në 2015-n, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.

Në 2020-n, tendenca ishte në rënie, me eksportet e këtij grupi që ranë rreth 2% në vlerë, ndonëse ne sasi u rritën me rreth 4%.

Reduktimi i eksporteve nisi në muajin mars me vendosjen e karantinës nga Covid-19. Kompanitë raportuan se kërkesa për produkte peshku ra 70%, për shkak të mbylljes së restoranteve në vende si Italia, Spanja dhe Kroacia, ku tregtonin produktet e kultivuara. Problematika më e mprehtë që përmendin për 2020 është stoku i krijuar nga përfundimi i kuotave të lejuara për eksport që në shtator.

“Në fund të muajit dhjetor nuk arrita të eksportoja 20 tonë açuge të marinuar, pavarësisht se përmban vetëm uthull cilësohet produkt i gatshëm. Përpunimi ka shtuar vlerën produktit dhe nëse do ta eksportoja me 25% taksë doganore, kostoja do t’i rritej edhe më shumë. Tregu me këtë çmim shitjeje nuk është i interesuar. Prandaj jam i detyruar ta magazinoj si mall stok.”

Eksportet e këtij grupi mbeten të kufizuara. 94% e tyre shkojnë drejt tre shteteve, të BE-së, Italisë, Suedisë dhe Estonisë, sipas INSTAT./Monitor

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Haklaj plas ‘bombën’: Noka do tentojë të pushtojë selinë e PD më 12 dhjetor

Ish-kryetari i PD-së në Tropojë, Azgan Haklaj, ka lëshuar një deklaratë të fortë teksa ka thënë se Flamur Noka po përgatit strukturat për të...

Tensionet Rusi-Ukrainë, Lavrov dhe Blinken takim ‘kokë më kokë’

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, u takuan të enjten në Stokholm, Suedi, mes shqetësimeve në rritje...

Nëse “Foltorja” është demokraci, atëherë PD e meriton Berisha&Bashën

Nga: Ben Andoni Nëse në fillim njerëzit e PD-së mundoheshin të gjenin atë të veçantën dhe mënyrën sesi do të mbrohej Berisha me etiketimin “Non...

Ben Blushi dorëhiqet nga drejtimi i “Top Channel”

Ben Blushi ka dhënë dorëheqjen nga "Top Channel", media e njohur të cilën e drejtonte prej katër vitesh. Nga sot ai nuk është më...

Komiteti Teknik publikon masat e reja, çfarë do ndodhë nga 4 janari

Pas rritjes së rasteve dhe shtrirjes së madhe në mbarë botën si pasojë e variantit Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të...