Nga: Francesco Martino “Osservatorio Balcani”
Një “paketë zgjerimi” rigoroze, por e ngjyrosur me një lloj optimizmi të kujdesshëm, shoqëruar nga një infrastrukturë e re dhe një plan strategjik investimesh në rajon. Më 6 tetor Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varheli, paraqiti raportin vjetor të KE mbi rrugën e pranimit në union të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për vite me radhë, Bashkimi Evropian ka qenë i angazhuar në një proces delikat dhe kompleks të “shtytjes dhe tërheqjes” në rajon, i cili nuk është pa rreziqe: rruga drejt anëtarësimit është ngadalësuar nga “lodhja në rritje nga zgjerimi”, që gradualisht është shndërruar në një skepticizëm të qartë, sidomos në disa vende anëtare.
Nga ana tjetër ekziston frika se aktorët e interesuar dhe të paskrupullt si Kina, Rusia dhe Turqia mund të përfitojnë nga apatia evropiane për të fituar ndikim dhe klientë në rajon. Raporti i ri, i kombinuar me planin e zhvillimit, synon të ripërtërijë marrëdhëniet midis Ballkanit Perëndimor dhe BE, që po kthehen në një “fejesë” të gjatë pa asnjë datë martese në horizont. Pra një situatë rraskapitëse që po nxit shumë tensione dhe zhgënjime, veçanërisht në Ballkan.
Për momentin, Serbia dhe Mali i Zi udhëheqin këtë proces, dhe tashmë kanë çelur më shumë sesa një kapitull negociatash. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është çelur kohët e fundit drita jeshile për hapjen e negociatave, pasuar nga Bosnje Hercegovina, që ka paraqitur një kërkesë zyrtare për t’u bërë një vend kandidat, dhe Kosova, shumë prapa në këtë rrugëtim, e cila mund të mburret vetëm me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Për t’i dhënë një hov të ri zgjerimit, Komisioni Evropian po krijon burime të reja ekonomike, pas paketës emergjente prej mbi 3 miliardë eurosh të akorduar në qershor për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor ta kapërcejë krizën e Covid-19.
Paketa e re është një masë afatmesme, me një kontribut të pritshëm prej 9 miliardë eurosh gjatë 7 viteve të ardhshme (megjithëse nuk është specifikuar se në çfarë mase përbëhet nga huatë apo grantet), si dhe një mekanizëm garancie që duhet të tërheqë 20 miliardë euro shtesë në investime publike dhe private.
Nëse shpresat e Komisionit Evropian do të bëheshin realitet, injektimi total i burimeve të reja ekonomike, duhet të sigurojë një nxitje të rëndësishme për 6 vendet e rajonit, duke nxitur një rritje mesatare vjetore prej 3.6 për qind, dhe duke mundësuar të paktën pjesërisht të zvogëlojë hendekun e madh zhvillimor me vendet aktualisht anëtare të BE-së.
Në përpilimin e listës së prioriteteve për investimet e planifikuara, ekspertët e Komisionit kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e rrahur:në krye të listës është modernizimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në zonë, aktualisht e vjetruar dhe shpesh e paplotë, për të lidhur të gjitha kryeqytetet e Ballkanit, dhe ripërtërirë fluksin e njerëzve dhe mallrave.
Energjia është një kapitull tjetër i rëndësishëm, dhe futja gjithnjë e më të rëndësishme e gazit si një burim energjie ”i pastër” për të zëvendësuar qymyrin dhe hidrokarburet, është një përparësi në “tortën energjetike” të Ballkani Perëndimor.
Kur u pyet në Parlamentin Evropian mbi metodat e shpërndarjes së fondeve, Varheli konfirmoi qasjen e re, dhe të kujdesshme të BE-së:për ta lidhur gjithnjë e më shumë shpërndarjen efektive të fondeve, me rezultatet e dukshme në fushën e reformave.
Në rast dyshimesh ose pakënaqësish nga ana e Brukselit, investimet e planifikuara mund të bllokohen, ishte mesazhi i qartë i komisionerit. Pasi megjithëse me disa shenja inkurajuese, rajoni vuan ende nga shumë probleme, sidomos përsa i përket sistemit gjyqësor, korrupsionit, krimit të organizuar, administratës publike dhe lirisë së medias.
Kështu Serbia kritikohet për keq-menaxhimin e zgjedhjeve të fundit në qershor, që pas një fushate shumë të kontestuar nga opozita, çoi në një parlament të ri të dominuar nga Partia Progresive e Presidentit Aleksandër Vuçiç. BE shpreh shqetësimin mbi kërcënimin e lirisë së medias, dhe dhunës ndaj gazetarëve.
Vlerësimi për Malin e Zi ishte më i nuancuar. Nëse nga njëra anë raporti kritikon polarizimin e skajshëm gjatë fushatës që i parapriu zgjedhjeve të fundit të gushtit, organizimi i zgjedhjeve u gjykua në terma pozitivë, sidomos pasi për herë të parë në 30 vitet e fundit, vendi përjetoi një ndryshim në qeveri, me humbjen e partisë së presidentit “të përjetshëm” Milo Gjukanoviç.
Fjalët më lajkatare iu rezervuan Maqedonisë së Veriut, që pavarësisht nga vështirësitë e vitit të kaluar “ka vazhduar të forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit”. Zgjedhjet politike të korrikut ishin “përgjithësisht të organizuara mirë”, ndërsa në sektorët e “lirisë së medias, bashkëpunimit rajonal, të drejtave themelore, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformës në administratën dhe sistemin gjyqësor, performanca e kryeministrit Zoran Zaev mund të konsiderohet si thelbësisht pozitive”.
Viti politik i furishëm i Shqipërisë del qartazi nga raporti i BE, me një polarizim të fortë të jetës politike, bojkot të zgjedhjeve lokale nga opozita, një parlament gjysmak dhe përpjekje për shkarkimin e presidentit. Gjykimi i Brukselit mbi këtë vedn, është zbutur pjesërisht falë marrëveshjes mbi reformën zgjedhore të arritur qershorin e kaluar, edhe pse “dialogu politik në vend duhet të përmirësohet”.
Vlerësimi për sektorët e tjerë është përgjithësisht pozitiv, edhe pse reforma në sistemin gjyqësor – ku aktualisht po kryhet rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu) – do ende shumë kohë që të përfundojë. Në lidhje me Bosnjen, BE fotografon realitetin e një vendi jofunksional, me një parlament të bllokuar, 14 muaj negociata për të formuar qeverinë, dhe me probleme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë për Kosovën, viti i kaluar ka sjellë pak përparim në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Vendi ka kaluar nëpër një seri të gjatë krizash politike, me zgjedhjet e parakohshme, krijimin me vështirësi të një qeverie, që më pas u rrëzua në mesin e pandemisë së COVID-19 dhe padinë e presidentit Hashim Thaçi për krime lufte.
Këto ngjarje, i lanë pak hapësirë reformave, me gjithë “përparimin e kufizuar” në sektorin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Në kapitullin e veçantë të raporteve me Serbinë, i shënuar javët e fundit nga marrëveshja për normalizimin e raporteve ekonomike, të nënshkruar nën kujdesin e presidentit amerikan, Donald Trump, Komisioni mirëpret rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE, duke e mbyllur me fjalë që tanimë janë bërë moto standarte:që të ecin përpara në rrugën e integrimit, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Burimi i lajmit: https://www.balcanicaucaso.org/eng/Areas/Balkans/EU-and-the-Western-Balkans-a-long-engagement-205493
Përshtatur nga TIRANA TODAY