Kryetari i Partisë Demokratike ka dhënë mëngjesin e sotëm një deklaratë për mediet, ku ka paralajmëruar shpërthimin e një skandali të përmasave të mëdha.
Sipas Bashës, ish-ministri Saimir Tahiri ka lidhje me trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
Më tej, duke iu referuar arrestimit të Moisi Habilajt, Basha shprehet se faktet që implikojnë Tahirin i ka të gjitha Edi Rama, por ky i fundit e ka mbrojtur ish-ministrin.
Kryedemokrati paralajmëron publikimin e këtyre provave dhe arrestimin e ish-ministrit Tahiri.
FJALA E BASHËS:
Kam thirrur këtë konferencë pasi Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa të mëdha për sa i përket krimit të organizuar me lidhjen e politikës.
Dje policia arrestoi Moisi Habilaj, kreun e trafikut të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë. Habilaj njihet si kushëriri i Saimir Tahiri, ministër prej katër vitesh.
Prej katër vitesh kemi denoncuar përfshirjen e Tahirit në trafikun e narkotikëve.
Edi Rama ka refuzuar të marrë masa ndaj ministrit.
Prej 24 orësh Edi Rama hesht, prej 24 orësh Moisi Habilaj ndodhet nën pranga.
Prej vitesh e prej muajsh i kanë vënë Edi Ramës nën dispozicion material që faktojnë lidhjen dhe rolin e Tahirit në trafikun e drogës me Italisë dhe Shqipërisë,
Rama ka refuzuar të marrë çdo lloj veprimi, përkundrazi e ka mbrojtur atë. Është çështje orësh apo ditësh para se faktet e vëna në dispozicion autoriteteve shqiptare të Tahirit dhe lidhej e bandës së tij me Habilajt do të bëhen publike.
Çfarë pret Edi Rama të arrestojë e ekstradojë Saimir Tahirin si një nga kapitenët kryesore të trafikut të drogës?
Rama e ka mbrojtur Tahirin edhe pse e ka ditur që ai është i përfshirë në këtë trafik droge, sepse paratë e drogës janë përdorur nga Edi Rama gjatë zgjedhjeve.
Sot Evropa dhe gjithë bota kanë përpara lidhjen e Tahirit me banda. Shqiptarët kanë dy rrugë: të ulin kokën dhe të pranojnë realitetin, të pranojnë që ekonomia dhe shqiptare të shndërrohen në skllevër, ose të ngrihemi dhe të kërkojmë të drejtën tonë për të mos u qeverisur as nga bandat as nga kryeministri.
Sot është dita që Saimir Tahiri të arrestohet, provat janë në tavolinën e Edi Ramës dhe me siguri do të bëhen publike në orët në vijim./Tirana Today