Pa iu dridhur qerpiku, kreu demokrat i ka shpallur luftë të hapur Ramës, sa i takon temës së shumë debatuar, ajo e Teatrit. Ai ka paralajmëruar kryeministrin se nuk ka nga t’ia mbajë, e nëse do të guxojnë që ti vëjnë minat Teatrit, atëherë do të përballen pa më të voglën dyshim me luftë. Kreu demokrat, Lulzim Basha, e ka cilësuar si një atentat të lirive dhe të drejtave të çdo qytetari. Ai tha nga selia blu se nuk do të lejojë Ramën, për të shkulur një pjesë të trashëgimisë kulturore. Kreu i të djathtëve nuk ka lënë pas edhe ironinë me Ramën, ku sipas tij, me këtë akt të rëndë, atë e shpall pasha të pashallëkut të Shqipërisë.
“Ajo që ka ndodhur me Teatrin, është atenat i lirive dhe të drejtave të çdo qytetari. Në histori ka ndodhur si me hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Europa Nostra e konsideron pjesë të trashëgimisë kulturore evropiane, jo vetëm shqiptare.
Një organizatë prestigjioze që mban në qëndrim të qartë, ndërkohë Rama me çakejtë e tij janë vërsulur si talebanë për të shkulur një pjesë të trashëgimisë kulturore me gjithë historinë dhe vlerat që mban.
Atyre që kanë humbur kurajon që janë zbuluar si me karakter të dobët para qytetarëve, u them merrni shembull dhe rikthehuni në betejën për mbrojtjen e vlerave të Teatrit, ndërkohe i them kryetalebanit që çdo ditë e më shumë demaskohen para shqiptarëve e para botës synimet mafioze, mbi të cilat është ngritur përpjekja për Teatrin.
Kjo është prova gjenerale për t’u shpallur pasha i pashallëkut të Shqipërisë. Nëse lejojmë një ligj special të grabisë pronë publike, për ti dhënë pa garë një aktori të dyshuar mundësinë të fitojë 205 milionë euro ndërkohë që s’ka Gjykatë Kushtetuese, do të thotë që nesër ky njeri mund të bëjë gjithçka… Atyre horrave të Policisë Bashkiake që çon për të hapur vrima në muret e vjetra, dua ti kujtoj kryetalibanit që qendrat e disa qyteteve evropiane u rrafshuan në Luftën e Dytë Botërore dhe i ringritën për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore.
Popullit i lind e drejta te rezistoje me te gjitha format dhe mënyra për të parandaluar qe nesër fati i Teatrit, ti vije te shtëpia e tyre, vendi i punës dhe liritë e tyre. Dua ti jap te qarte një paralajmërim, Fusha shpk s’ka asnjë shans te gëzoni frutet e një ndërmarrje te tille kriminale, asnjë shans.
Çdo veprim i Fusha shpk dhe çdo entiteti tjetër do te jete subjekt i një ligji të amenduar antimafia. Ne baze të kësaj do ju sekuestrojmë çdo cm katrore dhe çdo cent a miliard euro për shkeljet që do konstatojmë.
Sikundër nëse guxoni ti vini minat Teatrit, minat do ua vëmë edhe kullave tuaja me ligj. Ky paralajmërim vjen edhe për ndonjë bankë qe mendon se mund te investoje ne këtë projekt, ndonëse kam bindjen se këto janë paratë e Toyota Yaris apo Seat…”, tha Basha.