Bandat shqiptare të krimit po dominojnë tregun e kokainës në Britani, duke u mbështetur tek emigrantë të paligjshëm nga veriu i largët dhe malor i vendit, ku varfëria është shumë e përhapur.
I liruar së fundmi nga në një burg britanik, Kadri Dema ka filluar të kultivojë arra në një parcelë të vogël toke që është në pronësi të familjes së tij në fshatin Patin, në juglindje të kryeqytetit shqiptar, Tirana.
Rajoni i largët malor dhe shtëpia e vogël e bardhë e familjes së tij janë shumë larg nga klubet e natës dhe skelat në breg të detit në Brighton, qyteti turistik bregdetar një orë larg nga Londra ku Dema u arrestua në qershor 2016 dhe u dënua vitin pasues së bashku me tetë shqiptarë të tjerë, duke përfshirë edhe vëllain e tij Izmirin, për “konspirim për të furnizuar me kokainë”.
26-vjeçari Dema është një nga pak më shumë se 6,200 shtetas shqiptarë të deportuar nga Britania midis prillit 2015 dhe prillit 2019, që përbën numrin më të madh të ndonjë shteti.
Numri më i madh i tyre besohet të jenë nga tri pre 12 bashkive të Shqipërisë – Shkodër, Kukës, dhe Dibër, ku edhe gjendet Patini.
Duke folur në prill të vitit të kaluar, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, tha “60 deri në 70 për qind” e 726 të burgosurve shqiptarë në atë kohë në Britani ishin nga këto tri bashki veriore.
Duke qenë në varfëri të skajshme, rajoni është bërë një terren i përshtatshëm rekrutimi për bandat e krimit shqiptar që dominojnë tani tregun e kokainës në Britani.
“Ata u larguan si të gjithë të tjerët,” tha Kujtimja, nëna e Demajt, për djemtë e saj. “U thanë se kishte punë dhe ata paguan për të shkuar atje,” tha ajo për BIRN. Tetë nga nëntë të dënuarit në rastin e Demaj ishin ilegalisht në Britani të Madhe, njoftoi BBC.
Grupi vogël me ndikim të madh
Autoritetet britanike vazhdojnë të jenë të shqetësuar për rolin që luajnë bandat shqiptare të krimit në tregtinë e drogës në Britaninë e Madhe.
Në qershor të vitit 2017, raporti vjetor i Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar identifikoi bandat shqiptare si ushtrues të një “kontrolli të konsiderueshëm” mbi trafikimin e drogës në vend.
“Është një grup i vogël (në numër), por i madh në ndikim”, tha zv/drejtori i Agjencisë, Matthew Horne, për BBC.
Raporti i vitit 2017 tregoi se kriminelët nga Ballkani po krijonin “marrëdhënie të drejtpërdrejta” me furnizuesit e kokainës nga Amerika Latine.
Në vitin 2017, kishte 726 shqiptarë në burgjet britanike, krahasuar me 154 që ishin në vitin 2010.
Kontaktet janë thelbësore për të gjetur të rinj të tjerë shqiptarë për të punuar ilegalisht në Britaninë e Madhe.
“I pari që u largua ishte Mevlan Dema; ai është pjesë e fisit tonë,” tha Kujtimja. “Djemtë e mi më thanë se atje të siguronin punë në një lavazh makinash. Njësoj si të gjithë të tjerët, djemtë e mi paguan dhe u nisën, nuk e di se si.”
Mevlan Dema u arrestua së bashku me Izmirin dhe Kadri Demën në vitin 2016, i akuzuar si drejtues i bandës së drogës.
Mevlani ishte 34 vjeç në atë kohë, por shumica e bandës ishin në të njëzetat e tyre. Në një emision televiziv të transmetuar nga ITV britanik që tregonte punën e policisë së Brighton, banda u përshkrua si ajo “që kontrollonte furnizimin me drogë” në qytet; disa anëtarë, u tha aty, shfaqnin “potencial për një nivel vërtet të rëndësishëm dhune”.
Pëllumb Nako, ish-drejtor i departamentit të kufirit dhe emigracionit në Policinë e Shtetit në Shqipëri, tha për BIRN: “Britania e Madhe mbetet një destinacion për rininë shqiptare nga veriu i Shqipërisë, pasi ata kanë lidhjet e tyre atje, ata kanë njerëz atje.”
“Është pikërisht kjo diasporë që ofron përkrahje për këta shtetas” për t’u futur në Britani, tha ai.
Burime të policisë në Shqipëri thonë se shqiptarët paguajnë deri në 10,000 paundë për të hyrë ilegalisht në Britani.
Zyrtarë të lartë të policisë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se këto banda kriminale shpesh synojnë të rekrutojnë të rinj shqiptarë sepse nëse kapen, gjasat janë që gjykatat britanike të tregohen më të buta.
“Grupet kriminale zakonisht përdorin të rinjtë, të cilët marrin parasysh rrezikun për shkak të masave më të lehta ndëshkuese,” tha një zyrtar.
“Ai u largua sapo u kthye”
Kadri dhe Izmir Dema u dënuan të dy me nga tre vjet e gjysmë burg, sipas raporteve të mediave.
Nën Skemën Britanike të Largimit të Hershëm, shtetasit e huaj dërgohen në shtëpi deri në nëntë muaj para se të jenë në gjysmë të përfundimit të dënimit me burg.
Nëse të burgosurit bien dakord të largohen vullnetarisht, ata mund të marrin deri në 1,500 paund nga qeveria e Britanisë së Madhe.
Nuk dihet me siguri nëse vëllezërit u kthyen sipas skemës, por kjo duket e mundshme duke marrë parasysh periudhën kohore.
Fotot e ngarkuara në profilet e Facebookut (tashmë të fshira) me emrat e tyre tregojnë vëllezërit në Tiranë dhe Patin në gjysmën e dytë të vitit 2017, në kohën kur ata do të ishin akoma duke kryer dënimin në Britani, nëse do ta kishin kryer atë të plotë.
Kadriu nuk pranoi të fliste për BIRN. Kujtimja tha se Izmiri ishte kthyer përsëri në Britani.
“Ai është në Angli. U nis përsëri sapo u kthye,” tha ajo për BIRN. “Thotë se është mirë dhe flasim herë pas here në Skype.”
“Të braktisur dhe të varfër”
Qyteti më i afërt i Patinit, Klosi, është pak më poshtë rrugës së ndërtuar nën Mbretin Zog I, qeverisja 11 vjeçare e të cilit përfundoi me pushtimin italian në vitin 1939, para se diktatori komunist Enver Hoxha ta kthente Shqipërinë në një shtet stalinist pas Luftës së Dytë Botërore.
Vendasit ankohen për ndriçimin rrugor dhe furnizimin me ujë. Shumica e banorëve janë të moshuar që mbijetojnë me paratë e dërguara nga fëmijët që kanë emigruar.
“Qoftë për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, ose mungesës së ujit të pijshëm dhe vaditjes, ky rajon është i braktisur dhe i varfër,” tha Basir Çupa, kryetar i bashkisë së Klosit.
Përveç Skemës së Largimit të Hershëm, qeveria britanike dhe ajo shqiptare nënshkruan një marrëveshje në vitin 2013 sipas të cilës të burgosurit shqiptarë në burgjet britanike mund të riatdhesohen për ta kryer pjesën tjetër të dënimit në atdheun e tyre.
Por zbatimi i saj ka qenë i ulët. Shifrat më të fundit nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se vetëm 24 të burgosur shqiptarë janë transferuar sipas marrëveshjes.
Ambasadori britanik, Norman, tha se mënyra se si dënimet ishin “konvertuar” nga një sistem ligjor në një tjetër nënkuptonin që disa të burgosur mund të përballeshin me qëndrime më të gjata pas hekurave.
“Ne po punojmë ngushtë me qeverinë shqiptare për të ndryshuar marrëveshjen dhe për t’i dhënë fund asaj që shumë të burgosur e shohin si një praktikë të padrejtë,” tha Norman për BIRN.
Thirrje për sekuestrim të pasurisë
Ambasadori ka qenë i zëshëm në lidhje me shqetësimet e Britanisë për shtimin e bandave shqiptare në tokën britanike, duke thënë në tetor 2017 se qeveritë kanë diskutuar konfiskimin e aseteve të investuara në Shqipëri. “Duhet të ketë bashkëpunim të mirë me autoritetet shqiptare,” tha ai në atë kohë.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Bashkimi Europian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet, ka qenë kritik në të kaluarën ndaj asaj që është perceptuar si dështim nga Shqipëria për të gjurmuar pasuritë e grupeve të krimit të organizuar dhe për faktin që po kapen vetëm peshqit e vegjël, por jo kokat e këtyre bandave.
Fabian Zhilla, profesor i drejtësisë dhe etikës në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë dhe ekspert mbi krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, tha se fakti që banda të tilla po synojnë të rinjtë e pakënaqur, paraqet një kërcënim për vendin.
“Shumë prej tyre nuk njihen si kriminelë në Shqipëri,” tha ai për BIRN, “por më tepër si emigrantë që sjellin para dhe investojnë.”/ Reporter.al