Mbi 90% e italianëve, nuk kanë rënë në kontakt me virusin. Për rrjedhojë, një pjesë shumë e madhe e popullsisë është akoma e ndjeshme. Kështu është shprehur Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë, Silvio Brusaferro.
Frika është ende e madhe, ndonëse prej ditësh kurba në Itali është në rënie. “Për të pasur imunitetin e tufës, do të ishte e nevojshme që rreth 80% e njerëzve të kishin rënë në kontakt me Covid. Nëse nuk tregohemi të kujdesshëm në miratimin e rekomandimeve, qarkullimi i koronavirusit mund të rifillojë edhe më intensivisht”, është shprehur ai.
Deklarata e kreut të Institutit të Lartë të Shëndetësisë, vjen në një kohë kur rajonet e veriut të Italisë po kërkojnë nga qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte të shikojë mundësinë e rihapjes graduale të aktiviteteve të prodhimit, duke filluar nga data 4 maj.