Gazetari Artan Hoxha, ka hedhur dritë në lidhje me detajet e reja tronditëse sa i takon masakrës që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Për të, kjo ngjarje në vetvete mbart mister, dhe se grupi i komandos Marvjol Bilo që qëlloi për vdekje Fabjol Gaxhën u thirr që të vinte në lokal, në një kohë që grupi i Ervis Martinajt ishte aty.
Një detaj tjetër i zbuluar nga Hoxha është fakti që komandoja Bilo nuk ka përdorur armën e tij të shërbimit, për të kryer vrasjen. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në një lokal nga ata që synonin klientët VIP.
Intervista e plotë e dhënë për “Report Tv”
Për ngjarjen dimë që një Komando ka vrarë truprojën e Ervis Martinajt, çfarë mund të na thoni më shumë?
Mund të them se grupet më të forta në kryeqytet, prej kohësh kishin rënë në një lloj heshtjeje, kuptohej që në qytet ishin të ndara zonat e influencës. Ishte krijuar një lloj qetësie dhe s’kishte ngjarje. Kjo vrasje ndodh në një moment kur Tirana duhet të ishte më e sigurt se kurrë për shkak të Ministerialit. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, ku 100 metra larg lokalit kemi Presidencën, kemi seli partish të rëndësishme. Kemi një territor të frekuentuar.
Edhe biznesmeni tjetër Memli Begalla u vra në mes të Bllokut…
Po, jo vetëm ai. Kemi po ashtu vrasjen e të ndjerit Artan Santo në një distancë fare të afërt. Presupozohet se është një nga zonat më të sigurta, por rrinë edhe persona me precedent penal. Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, është një lokal i vogël. Aty kanë ndenjur gjithë deputetët e ministrat e qeverisë. Lokali ku ka ndodhur ngjarja, ka një tavolinë të madhe në mes, një banak në krah të djathtë, dhe ca tavolina të vogla. Është ambient për takime intime. Aty rrinin persona VIP, politikanë e biznesmenë. Kam hyrë për herë të parë se s’doja të isha tek lokali ku rrinin deputetët, aty shikoja kolegë, analistë që rrinin me deputetë. Në një lokal që është edhe pak i rezervuar tregon se edhe klientela nuk është e zakonshme.
Kamerat e jashtme i ka cilësore, por të brendshmet nuk është se janë dhe aq të forta. Megjithatë nga një kqyrje e parë e tyre, duket se fillimisht ka ardhur biznesmeni Vis Martinaj, shumë i fuqishëm në lojërat e fatit, lëviz i shoqëruar e kam parë edhe në raste të tjera ka ardhur me rrjet shoqëror persona besnikë që i qëndrojnë afër. Janë ulur tek tavolina e madhe, iu është shërbyer verë, gotat janë të paprekura.
Pra ngjarja ka ndodhur sapo është servirur vera. Në momentin që 4 persona janë ulur në tavolinë, Ervis Martini mendohet të ketë qenë në banak me pronarin. Kamerat e sigurisë dëshmojnë se kanë hyrë katër persona të tjerë në lokal. Është fakt që janë thirrur të vinin në atë lokal. Në momentin që kanë hyrë, ka pasur konflikt në lokal, njeri nga viktimat Fabjol Gaxha ka pasur konflikt me personat e hyrë në lokal. Nga informacionet që kam unë, ka një sërë pistash dhe asnjëra prej tyre nuk përjashtohet. Është fakt që personat që kanë hyrë në lokal janë thirrur, i ka thirrur dikush për të shkuar aty. Ka pasur konflikt fizik mes Marjol Bilos dhe viktimës. Komandoja mësohet se është pjesë e Beretave të kuqe. Kemi komando me Bereta blu, të kuqe dhe të zeza. Në bazë të uniformës kanë edhe përgatitjen dhe detyrat. Pjesëtari që ka ndërhyrë është pjesëtar i komandove. Menjëherë sapo ka nxjerrë armën viktima, edhe komandoja ka nxjerrë armën. Aty është gjetur një pistoletë, dyshohet se është e Fabjan Gaxhës, dhe me të ka qëlluar vetëm një herë, plumbi i dytë i ka mbetur në gojë. Gjatë kqyrjes.
Personat janë larguar menjëherë pas ngjarjes?
Është gjetur një motor pas ngjarjes. Kam parë policinë të sekuestrojë kamera e sigurisë gjithandej. Dyshohet se njëri nga autorët është larguar në këmbë, një tjetër me taksi, dhe një tjetër me motor. Arma e krimit nuk është gjetur në vendngjarje.
Emri i Elvana Gjatës është përmenduar, pra mendohet se njëri nga personat e përfshirë në konflikt ka ngacmuar atë?
Është e vërtetë që është shoqëruar për të dhënë deklarime. Ajo është parë në ambientet e lokalit. Edhe pronari i lokalit u shoqërua dhe dha deklarime. Por tek motivi i ngjarjes nuk shkojmë dot direkt. Nuk mendoj që konflikti mund të ketë qenë i gjithi banal. Mund të të rendis 10 pista, konflikte, borxhe, fajde. Ka shumë arsye që duhet të kem prova, që ti përjashtoj. Nuk janë bërë 24 orë që kur ka ndodhur ngjarja. Është shoqëruar çdo person që ishte brenda, kanë qënë VIP dhe me imunitet. Ka elementë që thonë edhe për një të plagosur tjetër dhe që ne nuk e dimë.
Po për pronarin e lokalit, çfarë mund të na thoni?
Lokali ishte nga ata që synonte klientelë VIP, si bari dhe restoranti, donte klientelë luksi. Aty ka shishe vere nga 300 euro në 3 apo 4 mijë euro. Pronari i lokalit ka synuar këtë klientelë. Besoj që ka qenë në rregull me ligjin e taksat. Ai është i shoqëruar se çfarë di për ngjarjen. Kjo është pjesë e hetimit të policisë. Edhe në këtë ngjarje ka pasur persona VIP dhe jo të tjerë
Si nisi i gjithë konflikti. thatë që Martinaj ishte në banak?
Informacioni që unë kam, është një pjesë e kqyrjes së kamerave të policisë. Një pjesë e dëshmitarëve janë të traumatizuar nga ajo që ndodhi. Një nga personat është goditur në nofull dhe nuk flet dot, Martinaj është goditur në qafë dhe ai e ka të pamundur të flasë. Është shumë e rëndësishme të zbardhet motivi, në bazë të dinamikës dhe personave të përfshirë. Nuk besoj se motivi është banal. Këto motive banale shërbejnë si shkak për të zbuluar motive të tjera.
Si shpjegohet përfshirja e komandove në ngjarje kriminale?
Rrogat që marrin komandot, nuk janë të mjaftueshme. Shteti duhet ti shikojë si armë, do i mbajë shteti, ligji apo do ua lerë grupeve kriminale. Në disa ngjarje të fundit, në Elbasan, Shkodër, por edhe grabitjes në Rinas ishin komando. Kjo vjen pasi ata janë të trajtuar e kanë institikt. Grabitja në Kashar bëhej për tre minuta. Ngjarja e djeshme nëse do të ishin njerëz të tjerë, do të kishte viktima të tjera. Arma Glock 9-19 që është përdorur, kjo lloj arme, pajimet e tij ndodhen në repart. Por do të verifikohet nga ekspertiza balistike dhe hetimi, nëse është pjesë e armatimit të FA që e përdor edhe policia, sidomos për njësinë elitë. Gjëja që duhet ndërhyrë është fati që këto lloj pozicionesh të veçanta. Këta lloj njerëzish nuk duhet të lihen rrugëve. Ne e dimë se çfarë i bënë kryeministrit serb, e vranë ‘Beretat e Kuqe’, njësia eletitë e forcave serbe.
Është ngjarja e djeshme prishje balancash?
Ne kemi tre muaj që denoncojmë ngjarje të rënda, nga Elbasani në Shkodër, Vlorë, Nikël, Lushnje. Nëse humbëm një javë duke u marrë me ‘Xhisielën’, lamë botën reale të asaj që ndodh në Shqipëri. Askush nuk e di kush janë autorët e 6 vrasjeve në Shkodër, apo ku janë dy të zhdukurit. Kush e vrau Arjan Ferracaku? Nuk kemi një përgjigje. Kjo ngjarje është premisa e një seriali që mund të ndodhë më pas dhe të ndërhyrjes që do të bëhet, politike e kam fjalën. Do të kemi një serial tjetër. Oazi i qetësisë në Tiranë është i prishur.