Sot në Komisionin Parlamentar të Medias u miratua projektligji i Akademisë së Shkencave. Kryetarja e Komisionit, përfaqësuese e opozitës së re, Fatjona Dhimitri, braktisi mbledhjen me arsyetimin se në variantin përfundimtar të projektligjit nuk janë reflektuar propozimet e disa akademikëve.
Akademiku Artan Fuga ka një koment lidhur me këtë votim. Ai shkruan se në Komision po shkruhet arbitrarisht ligji për shkencën dhe akademinë e saj, pa asnjë ekspert, asnjë kërkues shkencor, asnjë pedagog universiteti. Më e rëndë bëhet fakti se politika shkruan shkencën, citon më tej ai.
Statusi
Deputetët po shkruajnë edhe ligjet e Njutonit, edhe ekuacionet e Maksëellit!
——
Sot e nesër po ndodh masakra mbi shkencën shqiptare: Në komisionin e edukimit dhe medias të Kuvendit të Shqipërisë po shkruhet arbitrarisht ligji për shkencën dhe akademinë e saj, pa asnjë ekspert, atje ku me ndonjë përjashtim minimal nuk ka asnjë doktor shkencash, nuk ka për bé asnjë kërkues shkencor, nuk ka pothuajse asnjë pedagog universiteti, nuk ka për bé asnjë specialist të menaxhimit të shkencës dhe kërkimit shkencor!
Shqipëria drejt çmendurisë: politika shkruan shkencën!
Politika po e masakron shkencën!
Të shpëtojë kush të mundet, emigroni, futuni nëpër tunele, shtrihuni barkaz, vendosni kundragazet, hapni bunkerët, merrni pyjet!
Dita e fundit ka ardhur!