Kryeprokurorja Arta Marku u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme, teksa raportonte në Komisionin e Ligjeve.
Ajo është pyetur konkretisht nga deputeti i PD-së, Lefter Maliqi për dosjen e Artan Santos, se çfarë është bërë konkretisht me këtë dosje, por dhe deri ku janë hetimet për dosjet e famshme të përgjimeve për blerjen e votave, 339 dhe 184.
Pas pyetjeve, deputeti socialist Spartak Braho ka shtuar se kryeprokurorja ka të drejtë të mos japë detaje për hetimet për çështje konkrete. Më tej, vetë Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme deklaroi se “nuk jep të dhëna konkrete për vrasjen e bankierit”.
“Për vrasjen e Santos, kjo është një çështje jashtë periudhës për të cilën po raportojmë dhe është një çështje konkrete, për të cilën unë nuk jap të dhëna konkrete,”– tha ajo.
Lidhur me dosjet e përgjimeve, Marku deklaroi:
“Përgjimet, vazhdojnë të jenë në hetim. E kam shprehur disa herë, që aty ka problematikë, dosjet janë zvarritur, ka pasur vetëm përgjime, që nuk janë zbardhur dhe nëse nuk bëhen janë të palexueshme. Dosja 339 po hetohet nga 2 prokurorë dhe 11 oficerë, aty ka video të patranskriptuara, ka pasur 700 CD dhe video të patranskriptuara dhe po punohet për të dhe do ketë vendimmarrje. Dosja 184 në të njëjtën gjendje, e regjistruar 2 vjet vetëm përgjime. Pas dy vjetëve janë regjistruar emrat e disa personave në hetim, do të ketë vendimmarrje të shpejtë”– tha ajo.