Prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, ka dorëzuar pranë Këshillit të lartë të Prokurorisë kandidaturën në garën për kryeprokurore. Në garën për kryeprokuror janë edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.
Afati i fundit për të aplikuar pranë KLP për këtë post është data 2 Maj.
Arta Marku u zgjodh prokurore e përgjithshme e përkohshme më 19 Dhjetor 2017, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës. Në një votim në Parlament, Marku u caktua në detyrë me votat e mazhorancës, ndërsa opozita ishte kundër.
KRITERET
Sipas rregullores së miratuar nga KLP-ja, një prokuror, që të kandidojë për të qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, duhet që të ketë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur.
Të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore në drejtësi. Të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension.
Të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike.
Të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike. Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit.
Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. Të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informatorë ose agjent i Shërbimeve të Inteligjencës, dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi.