Besnik Mustafaj
Në një nga sondazhet e fundit të televizionit “Euronews Albania” lidhur me zgjedhjet e ardhshme, më tërhoqi vëmendjen veçanërisht një pikë e anketës.
Aty pyeteshin qytetarët sa të kënaqur ishin me punën e qeverisë në ikje. Të anketuarit kërkohej të shpreheshin për secilin nga anëtarët e kabinetit dhe jo të jepnin një vlerësim të përgjithshëm për qeverinë. Do të kisha thënë pa ngurrim se përfundimi i sondazhit ishte dëshpërues.
Vetëm njëri nga të gjashtëmbëdhjetë ministrat merrte njëfarë pëlqyeshmërie: Manastirliu e shëndetësisë, e cila nuk e arrinte, megjithatë, miratimin e gjysmës së opinionit publik. Kolegët e saj e panë veten poshtë e më poshtë.
Një kontestim i tillë publik vjen në fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore, kur ata nuk do të kenë më asnjë mundësi për ta përmirësuar imazhin e tyre pavarësisht mbështetjes së fuqishme propagandistike të forcës politike ku janë rreshtuar.
Duke e marrë si të mirëqenë, aq sa mund të merret i mirëqenë rezultati i një sondazhi, ky fakt nxjerr në pah një tipar thelbësor të burimeve njerëzore brenda Partisë Socialiste. Sidomos mandatin e dytë, kur edhe e kishte e vetme gjithë pushtetin (tepsinë dhe timonin), kjo parti ka qeverisur me njerëz të paaftë.
Edi Rama paraqitet para shqiptarëve për t’u kërkuar mandatin e tretë me një ekip, ose skuadër, siç e quan ai, plotësisht të dështuar. Do mbajtur parasysh se në sondazhin në fjalë të anketuarve nuk u kërkohej të shpreheshin lidhur me korrupsionin e ministrave apo lidhjen e tyre me botën e krimit të organizuar.
Po bëhej një vlerësim thjesht mbi aftësitë e treguara si qeveritarë. Sikur të shtohej në këtë vlerësim edhe niveli i korrupsionit apo veset e tjera, për të cilat ata janë denoncuar nga opozita dhe mediat, imazhi i këtyre ministrave do të dilte edhe më i nxirë.
Në kontekstin e periudhës elektorale, pyetja më e arsyeshme është: a shënon ky dështim fundin e karrierës së tyre politike? Kujtojmë se asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqjen në shenjë ndjese para socialistëve më së pari pse nuk e ka përligjur pritshmërinë e tyre për detyrën e lartë që u kishin besuar. Rrjedhimisht, vendimi i mbetej Edi Ramës. Shohim se, me ndonjë përjashtim të rrallë, ai i ka përfshirë të gjithë anëtarët e kabinetit të vet në listën e kandidatëve për deputetë.
Madje, në renditje të sigurta për ta marrë mandatin e parlamentarit. Që do të thotë se Rama është i kënaqur me punën e tyre, po i shpërblen dhe i do në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve për legjislaturën e ardhshme. Ballafaquar me sondazhin e mësipërm, një zgjedhje e tillë nga ana e Kryeministrit pasqyron një mungesë të thellë të logjikës së shëndoshë politike dhe elektorale.
Por për ne që jemi votues është e nevojshme të kuptojmë arsyet pse ai paraqitet përpara shqiptarëve me një skuadër, ku riciklon figura të dështuara dhe të përfolura për keq e më keq.
Shpjegimi më i thjeshtë, që më vjen ndër mend, lidhet me karakterin e Edi Ramës si politikan, ku tipari më i dukshëm është shkëputja nga realiteti, të cilin ka marrë përsipër ta qeverisë dhe mbyllja në një rruzull, që është vetëm i tij, rrethuar nga pasqyra mashtruese, që i përkëdhelin pareshtur egon stërmadhe, duke i fshehur çdo të vërtetë të pakëndshme për të.
Për pasojë, ai shfaqet ashtu siç e kemi parë të gjithë gjatë këtyre 23 vjetëve, që është në pushtet: gjithnjë i ngopur me vetveten dhe po aq arrogant dhe përçmues ndaj kujtdo që rrezikon t’ia prishë iluzionin, qoftë ky qejfprishës në opozitë, brenda familjes së tij politike, pjesëtar i shoqërisë civile apo shërbestar i mediave.
Në rrethanat kur bartës i iluzionit është Kryeministri i vendit, atëherë problemi nuk mbetet më thjesht i tij, por bëhet i mbarë shoqërisë. Sepse, në gjuhën popullore, “iluzioni” në këtë rast përkthehet si “gënjeshtër”. Vendi nuk mund të qeveriset nga një njeri që jeton i lumtur brenda gënjeshtrës së vet.
Por ka edhe më shumë vend të besohet se një zgjedhje e tillë është bërë me vetëdije të plotë nga ana e Kryeministrit Rama. Gjatë ditëve kur Partia Socialiste, ashtu si partitë e tjera, ishte e përfshirë në ethet e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, Edi Rama e përcaktoi vetë, publikisht, profilin e parlamentarit të ardhshëm, që do të udhëhiqte. Arritjet e tij do të maten me “sa duar ka shtrënguar” dhe “sa fshatarë ka takuar”, tha ai.
Për të na hequr çdo dyshim se po bënte një populizëm elektoral dylekësh, ai e plotësoi më tej identitetin e parlamentarit të dëshiruar, duke e konkretizuar përmes shembullit të një deputeti, i cili ka gëzuar deri tani disa mandate dhe më 25 prill do të marrë një tjetër. Cilësia e lartë e këtij deputeti, e që ai e shërbente si model, nuk dilte në pah nëpërmjet fjalimeve të tij në Parlament, por te fakti që ai i njihte derë për derë të gjithë banorët e zonës së tij.
Asgjë për kontributin e tij për hartimin dhe miratimin e ligjeve, mbi të cilat mbështetet demokracia, shteti i së drejtës dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Domethënë, asgjë që do ta ndriçonte figurën e tij si ligjvënës e për të cilën edhe është zgjedhur. Ky, pra, është një koncept mirëfilli politik i Edi Ramës për deputetin e Republikës së Shqipërisë në vitin 2021 dhe përgjigjen duhet ta marrë pastërtisht politike nga elektorati.
Të gjithë e kanë vënë re degradimin e Grupit Parlamentar socialist nga një legjislaturë në tjetrën qysh kur drejtimin e kësaj partie e ka marrë Edi Rama. Nuk e kam fjalën në këtë rast për ata deputetë socialistë që humbën mandatin pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin e klasës politike.
Madje, nuk e kam fjalën as për cilësitë e tjera morale të deputetëve që po e mbyllin mandatin. Po përpiqem të ngre shqetësimin lidhur me kulturën e tyre politike, prej nga buron edhe integriteti i tyre po ashtu politik përballë detyrës shumë të lartë si ligjvënës. Spastrimin më të madh Edi Rama e bëri në zgjedhjet e vitit 2017.
Grupi Parlamentar socialist në legjislaturën që po mbyllet ka qenë tërësisht i nënshtruar dhe pa gojë përballë Kryeministrit. Dhe ky është një aspekt tjetër që zbulon mungesën e integritetit të tyre politik si parlamentarë në një vend të lirë. Nuk i kemi parë këta deputetë të bëjnë asgjë prej gjëje për t’ia ndalur sadopak dorën abuzimit me pushtetin të parit të tyre, apo qoftë edhe për t’i dhënë pak frymë programore socialiste politikës së qeverisë.
Sepse ata janë zgjedhur si socialistë, në fund të fundit. Po mbyllet legjislatura dhe asnjëri prej tyre nuk ka spikatur sadopak se ka ca gjasa qoftë edhe embrionale për t’u bërë një ditë pjesë e elitës politike të vendit, siç do të duhej të ishte ansambli parlamentar i një vendi, që ushqen ëndrrën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Trishtim i madh për Republikën tonë. Të gjithë kanë menduar në kor vetëm me kokën e Kryeministrit. Dhe kur ajo kokë nuk mendon ose mendon mbrapsht, siç ndodh më së shumti në rastin e Edi Ramës, pasojat i vuan vendi.
Pamja që do të na shfaqë Grupi Parlamentar socialist në legjislaturën e ardhshme do të jetë edhe më e trishtueshme se kjo që po lëmë pas. Një prognozë e tillë është e thjeshtë të bëhet edhe pa lexuar biografitë e deputetëve të ardhshëm. Mjaft të mbajmë parasysh kriteret e shpallura nga Edi Rama, sipas të cilave, ai ka zgjedhur kandidatët.
Dhe po fitoi, po ky grup parlamentar do të nxjerrë edhe qeveritarët, të cilët natyrshëm do të jenë të njëjtët. Kjo ndodh në një kohë kur opinioni publik shqiptar gjithnjë e më gjerësisht e përbuz klasën e vet politike jo vetëm për korrupsionin, jo vetëm për paaftësinë udhëheqëse, por edhe për mungesën e dinjitetit individual të secilit prej anëtarëve të saj dhe për mungesën e kulturës politike, duke kërkuar që në udhëheqje të vendit të ngjiten intelektualë. Këtë tregon edhe sondazhi i televizionit “Euronews Albania” i përmendur në krye të këtij shkrimi.
Me “intelektual” populli nuk kupton thjesht dikë që ka kryer studimet universitare dhe ka një diplomë, por një njeri që ka jo vetëm dituri të gjera, dhe po aq dinjitet për t’u indinjuar dhe guxim për të folur në vetën e parë: unë mendoj.
Kjo kërkesë e opinionit publik për të parë në drejtim individualitete të ditura dhe dinjitoze shpreh një nevojë thelbësore të Shqipërisë së sotme. Edi Rama kësaj here po shkon deri në ekstrem në rrugën e shpërfilljes së kësaj nevoje. Ky është vizioni i tij për politikën. Shqiptarët, që do të shkojnë në votime, duhet të mbajnë gjithnjë parasysh se Shqipëria është Republikë Parlamentare, që do të thotë se Parlamenti është instanca më e lartë politike e shtetit tonë. Rrjedhimisht, qeveria e ardhshme do të ketë fytyrën e shumicës që e zgjedh. /panorama.al/