SHÇBA në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë bërë të mundur arrestimin e 7 personave, pasi akuzohen për kultivim të bimëve narkotike.
Mes të arrestuarve ishin dhe dy punonjës policie, mbi të cilët rëndon vepra penale “Shpërdorim detyre”. Dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e drogës, në këmbim të përfitimeve financiare.
“Në këtë veprimtari kriminale dyshohet se është implikuar edhe Kryeplaku në Njësinë Administrative Cakran, B.Xh., ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë, “Arrest me burg”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë:
Fier – Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit arrestojnë 2 punonjës policie dhe 5 shtetas të tjerë.
SHÇBA, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit të MB për luftën kundër kultivimit të kanabisit, finalizuan me sukses operacionin “Cakrani 2019” për evidentimin dhe asgjësimin e disa parcelave të mbjella me bimë narkotike dhe kapjen e autorëve të tyre.
Ky operacion u zhvillua në kuadër të hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për veprën penale “Shpërdorim detyre“ dhe “Kultivim i bimëve narkotike” të parashikuara nga nenet 248 dhe 283 të Kodit Penal, hetim ky disa mujor në të cilin u aplikuan metodat speciale të hetimit.
Gjatë këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 04.07.2019 për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” ndaj shtetasve:
- G.B., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kraps, Fier, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Fier;
- Z.K., 57 vjeç, lindur dhe banues në Buzëmadh, Fier, me detyrë Agjent i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Fier;
- B.Xh., 62 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Kryeplak i fshatit Cakran, Fier;
- G.M., 49 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;
- I.M., 39 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;
- E.Sh., 50 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;
- A.K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran Fier. Është shpallur në kërkim shtetasi F.C., 68 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier.
Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare.
Në këtë veprimtari kriminale dyshohet se është implikuar edhe Kryeplaku në Njësinë Administrative Cakran, B.Xh., ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë, “Arrest me burg”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre.
Gjithashtu, në vendin e quajtur “Liqeni i Cakranit”, u evidentuan parcela të vogla me 30-50 rrënjë.
Gjatë kontrollit të banesave ndaj shtetasve të mësipërm u evidentuan edhe disa kubikë të mbjella me lëndë narkotike Cannabis Sativa. Operacioni vijon për kontrollin plotë të territorit.