Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka shprehur qëndrimin e tij sa i takon masës së arrestit ndaj ish-drejtorit të Policisë së Fierit, Albert Nushi, i cili së bashku me Nikollaq Pallën ishin të pranishëm në momentin kur u vra Pjerin Xhuvani 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Sipas Boçit, Nushi rezulton një person i përfshirë dhe në manipulime provash për ngjarje të tjera. Ai shprehet në postimin e tij se prangosja e drejtuesve të policisë dhe efektivëve të saj është maja e ajsbergut të implikimit të turpshëm të kësaj trupe, në masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, 2 ish- zv.drejtor i Policisë së Elbasanit kanë dhënë dëshmi të rremë lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve, nga Struktura e Armatosur e Partisë Demokratike. Rezulati ka dalë në përfundim të hetimeve që kanë zgjatur më shumë se 1 vit, nga vrasja që tronditi opinionin publik. Ndaj tyre është caktuar nga gjykata masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Rezulton se të dy kanë shpërdoruar detyrën, sepse nuk kanë marrë masa për të parandaluar vrasjen, si dhe kanë dhënë deklarime të rreme, duke dhënë fakte të ndryshme mbi ngjarjen.
Ja se çfarë shkruan Luçiano Boçi
SHITJA E RRADHËS
Arrestimi i djeshëm e drejtuesve të policisë dhe efektivëve të saj është maja e ajsbergut të implikimit të turpshëm të kësaj trupe në masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Midis tyre spikat Zv/drejtori NUSHI, i përfshirë në manipulim provash dhe në ngjarje të tjera.
Zelli i tij ekstrem në goditjen e protestuesve demokratë ka qenë i njohur për publikun.
Por tashmë ai e ca të tjerë e kanë përmbushur rolin e tyre, e “mjeshtri” lart, po i shet një e nga një, për të shpëtuar lëkurën e vet.
Prandaj arrestimi i tyre nuk përbën më lajm.
Është shitja e rradhës, pasi i ka shtrydhur mirë e mirë.
A nuk bëri kështu me Kokën?!
Po me Bllakon, pasi e shfrytëzoi si blerës votash?!
Etj…etj…
Por megjithatë laku po shtrëngohet pak nga pak dhe për Ramën.
Revolta popullore është në prag!