Analisti Fatos Lubonja ka komentuar arrestimet e ish disa zyrtarëve të ARRSH për abuzim me fondet e rrugëve dhe shpërdorim detyre. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News24, Lubonja tha se me këto arrestime po bëhet presion ndaj opozitës dhe janë një fasadë për ndërkombëtarët. Lubonja ka kujtuar kohë e arrestimit të Fatos Nanos që sipas tij u bë për të dëmtuar opozitën e asaj kohe dhe jo siç u tha për korrupsion.
“Arrestimet mendoj se janë presion ndaj opozitës që denoncon krimet, por edhe një fasadë për ndërkombëtarët që të kesh mbështetje siç mendoj unë që është ky aksion, ky është qëllim i keq. Vijmë këtu në një situatë që ne e kemi përjetuar në vitet 90 kur erdhi në pushtet Sali Berisha. Arrestimi i parë ishte i Fatos Nanos për korrupsion, por të gjithë e dimë që se futi për korrupsion, por për të dëmtuar opozitën. Ndërkohë Saliu mori gjyqtarët e plepave dhe ndërtoi një katrahurë, një shtet personal, që degjeneroi në 97. Nuk e shoh në atë dramacitet si në 97, por kontrolli, trembja e opozitës, s’është drejtësi, është gjë e keqe se qëllimi është i keq.
Është shenjë e qartë që këtu po goditen njerëz që janë të lidhur me një palë, por që ne të shikojmë një drejtuesi që vepron kundër traditës që kush ka mazhorancen kontrollon gjithçka, është një drejtësi që është e pavarur nga mazhoranca se nga opozita e dimë ne që janë të pavarur”- tha Lubonja.