Sot ajo është një figurë e njohur publike në Rusi. Por deri në verën e vitit 2010, askush nuk e njihte Anna Chapman, asokohe 28-vjeçe. Chapman lindi si Anna Vasilyevna Kushchyenko në Volgograd më 23 shkurt 1982. I ati ishte një zyrtar i lartë i KGB-së, i punësuar në ambasadën sovjetike në Nairobi të Kenias.
Shtëpia e familjes Kushchyenko, ndodhet në distriktin Ramenki në jug-perëndim të Moskës, një lagje dikur elitare për zyrtarët e KGB-së, diplomatë e rangut të mesëm dhe oficerët e ushtrisë. Ajo u zhvendos në Londër për studimet e larta. Aty u njoh në një pab me britanikun Alex Chapman. Ata nisën një lidhje bashkë dhe pas disa kohësh u martuan.
Gjithçka po shkonte mirë, deri kur sjellja e saj, sipas ish-bashkëshortit ndryshoi krejt papritur në vitin 2005. Alex Chapmann tha për mediat britanike pas zbulimit të skandalit, se personaliteti i Annës ndryshoi menjëherë pas nisjes së takimeve “misterioze me disa miq nga Rusia”.
Sipas Alex, pas atij momenti, ajo nisi të kërkojë me ngulm transferimin në SHBA. Pasi Alex refuzoi, martesa e tyre mori fund në vitin 2005. Pak muaj më vonë, Anna Chapman u zhvendos në Nju Jork, duke banuar në një apartament luksoz në Manhatan.
Thuhej se në atë kohë ajo ishte në një lidhje me Michel Bittan, një biznesmen që zotëronte një restorant izraelito-maroken në Nju Jork. Më pas u angazhua në fushën e pasurive të patundshme. Por në realitet, ajo ishte një spiune ruse, që i raportonte Moskës çdo të mërkurë. Dhe i gjithë aktiviteti i saj në dukje, ishte një mbulim për aktivitetin e spiunazhit, që ajo e kryente bashkë me 9 agjentë të tjerë.
Flokëkuqja simpatike, ishte treguar kaq e shkathët saqë kishte arritur të depërtonte deri tek njerëzit e rrethit të ngushtë të presidentit të kohës Barak Obama. Në vitin 2012, shefi i kundër-zbulimit në FBI, Frank Figliuzzi pohoi se Chapman gati komprometoi një anëtar të lartë të kabinetit të presidentit Obama.
Sipas planit Chapmanin do ta joshte objektivin e saj, para se të nxirrte informacione konfidenciale nga ai. Një raportimi i mëvonshëm, sugjeroi se raportet fillestare ishin sensacionale. Zyrtarët nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, theksuan asokohe se shqetësimi i FBI ishte se një tjetër spiune e dyshuar, Cynthia Murphy, kishte qenë në kontakt me një mbledhës fondesh dhe “mik personal” të Hillary Clinton.
Pasi u gjurmua, një agjent i fshehtë i FBI u përpoq ta tërhiqte atë në një kurth në një kafene në Manhattan. Agjenti i FBI i ofroi Chapman një pasaportë të rreme, me udhëzime për t’ia kaluar një spiuni tjetër. Ai e pyeti: “A jeni gati ta hidhni këtë hap?”. Chapman iu përgjigj: “Sigurisht!”. Ajo pranoi pasaportën. Dhe pasi telefonoi të atin në Moskë, Chapman u këshillua prej tij ta dorëzonte pasaportën në një stacion police.Ajo u arrestua menjëherë, me akuzën e spiunazhit. Në vitin 2010, ajo u dëbua në Rusi si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, më i madhi i këtij lloji që nga viti 1986. Dhjetët agjentë rusë u rikthyen në Rusi nëpërmjet një avioni të marrë me qera që u ul Aeroportin Ndërkombëtar të Vjenës në Austri, ku ndodhi edhe shkëmbimi në mëngjesin e 8 korrikut 2010.
Avioni rus u kthye në Aeroportin të Domodedovos të Moskës, ku pas uljes, 10 spiunët u mbajtën larg shtypit lokal dhe ndërkombëtar. Gjithsesi fama e Anna Chapman, kishte marrë dhenë. E shpallur si gruaja e vitit në Rusi në vitin 2010, ajo deklaroi: “Nuk do të konfirmoj kurrë nëse kam punuar apo jo për inteligjencën ruse. Ajo që mund të them, është se, jemi në prag të fillimit të një epoke të artë për Rusinë. Dashuria për atdheun është e detyrueshme, në mënyrë që të gjithë të ndërtojmë një vend ku të gjithë do të realizojmë ëndrrat tona!”.
Pas disa javësh ajo nisi punë në administratën shtetërore si drejtuese e një këshilli rinor, ndërsa më vonë u angazhua si moderatore në televizion, apo edhe në sfilata mode si modele. Në shtator 2015, revista ruse online “Starhit” njoftoi se Chapman lindi fëmijën e saj të parë, një djalë. Identiteti i babait të fëmijës nuk u zbulua. Por shumëkush në Rusi, dyshon se ai është vetë presidenti rus, Vladimir Putin./ Tirana Today