Një bande shqiptare që shpërndante kokainë në qytetet angleze është dënuar me 25 vite burg. Banda, e cila kishte sjellë në qytetin e Southamptonit miliona paund kokainë, përbëhej nga Nuri Muçmataj, Bekim Halilaj, Fitim Halilaj dhe Tamas Hela, nga Shqipëria. Ata shpërndanin drogë të klasit të parë në këtë qytet me një vlerë prej 4 milionë dollarësh.
Banda ishte nën hetim 9-mujor nga efektivët e krimeve të rënda dhe atij të organizuar të Hampshire-it. Zyrtarët vëzhguan në vazhdimësi bandën, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar midis shtatorit të vitit 2016 dhe prillit të këtij viti, shkruan DailyEcho.
Grupi u kap kur oficerët bastisën një furgon Astra në Southampton më 21 prill, i cili përmbante kokainë me vlerë të rrugës prej 140,000 paund si dhe 30,000 paund, para të thata. Furgoni, ishte përshtatur në atë mënyrë, ku kishte një seri vendesh për të fshehur drogën dhe paratë.
Policia kreu bastisjen në Carrington House, në Westwood Road, Portsëood, duke vënë në pranga Bekim Halilajn dhe konfiskuar 10.000 paundë kokainë. Sipas dosjes së Gjykatës së Southampton shpërndarja e kokainës ishte e cilësisë “së importuar”, e cila në disa raste ishte 91 për qind e pastër.
Gjyqtari Robin Rowland tha: “Ky ishte një operacion i drogës në të cilin të pandehurit sollën sasi të konsiderueshme të kokainës nga Essex në rrugët e Southampton”
“Muçmataj shihet se ka bërë të paktën pesë vizita në shtëpinë e Bekim Halilaj në Carrington e cila shërbente si qendër për përgatitjen e drogës”.
Detektivi Tim Ireson tha se: “Ky ishte një hetim i ndërlikuar që u përqendrua në një grup të krimit të organizuar shqiptar me seli në Southampton. Ata kishin hyrë ilegalisht dhe shpesh përdorën identitete të sofistikuara të rreme për të lejuar veten të qëndronin në Britaninë e Madhe dhe të gjeneronin sasi të konsiderueshme të parave të gatshme duke shitur kokainë. Ashtu si në të gjitha qytetet, ata në Hampshire kanë njerëz që janë të varur nga droga ilegale dhe grupet e krimit të organizuar do ta shfrytëzojnë atë. Jemi të angazhuar për identifikimin dhe trajtimin e këtyre grupeve që sjellin aq shumë dëm për qytetet tona”.
Të dënuarit:
Muçmataj, 26, Dell, Southampton është dënuar me tetë vjet e gjashtë muaj burgim.
Bekim Halilaj, 21 vjeç, Dell, Southampton është dënuar me shtatë vjet burgim.
Fitim Halilaj, 27 vjeç, Terapia Road, East Dulwich, Londër, është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim.
Hela, 24 vjeç, Russell Hill Road, Croydon, Surrey, gjithashtu është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj.