Rusia tashmë e ka humbur betejën për të pasur një rol kyç në Rajonin e Ballkanit: Mali i Zi zyrtarisht në familjen e NATO-s.
Arsyet pse pranimi i Mali i Zi në NATO mund të konsiderohet plotësisht si disfata e radhës e diplomacisë Ruse. Në 5 qershor 2017, pas ratifikimit nga të gjithë anëtarët, Mali i Zi u bë zyrtarisht anëtari i 29-t me të drejta të plota i NATO-s. Kanë kaluar vetëm 18 vjet nga koha kur kjo aleancë bombardonte këtë vend, në atë kohë akoma pjesë e Federatës Serbe, në fushatën e saj për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Sllobodan Milosheviç.
Nga pikëpamja ushtarake, Mali i Zi nuk i shton pothuajse asnjë fuqisë së NATO-s. Është një shtet me një popullsi prej 630.000 banorësh, shpenzime ushtarake prej 1,66% të prodhimit të brendshëm, një ushtri prej rreth 2000 vetash, 2 fregata të vjetra, 13 helikopter dhe 2 avion luftarak të lehtë. Por, për Aleancën e Atlantikut të Veriut, me rëndësi të madhe strategjike është vija bregdetare e këtij vendi. Me anëtarësimin e Malit të Zi, NATO tani kontrollon të gjithë Mesdheun verior, duke filluar nga Ngushtica e Gjibraltarit deri në Siri.
Anëtarësimi i Malit të Zi përbën një disfatë të madhe për aspiratat e Rusisë në Mesdhe. Në 2013 ky vend i vogël refuzoi kërkesën e Moskës për krijimin e një baze detare ruse ne qytetin e Tivarit. Duke marrë masat për humbjen e mundshme të të vetmes bazë ushtarake detare në Mesdhe, bazën detare në qytetin port të Tartus në Siri, Rusia u mundua ta zëvendësoj me një bazë në Mal të Zi. Fakti që ky vend do ti bashkohet NATO – s ja mbyll përfundimisht aksesin Rusisë në bregdetin verior të Mesdheut dhe shmang mundësinë e krijimit të asaj që një zyrtar I NATO-s e quajti “Kaliningradi i Mesdheut”. Kjo është dhe arsyeja kryesore e kërcënimeve dhe kundërshtimeve që Rusia kishte kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, një vend I vogël që në vetvete nuk përbën asnjë rrezik ushtarak për Rusinë.
Frika e Rusisë për mungesën e një baze detare në Mesdhe u materializua në nëntorin e vitit të kaluar, kur dërgoi një flotë detare në mbështetje të fushatës ushtarake që po zhvillon në Siri. Flota udhëhiqej nga aeroplanmbajtësja e vetme ruse, një anije vintazh më shumë e famshme për defektet dhe tymin e zi që nxjerr sesa për fuqinë që projekton larg brigjeve ruse. Gjatë udhëtimit për në Siri, kjo flotë kërkoi që të furnizohej në disa porte detare të vendeve anëtare të NATO-s, si Spanja apo Qipro, kërkesë që u refuzua nga këto shtete. Ky episod e shpjegon më së miri se përse Rusia nuk mund ta braktisi Bashar Al-Asadin, ku ka të vetmen baze detare në Mesdhe dhe përse Rusia e kundërshtonte shumë fort anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Rusia e përdori të gjithë arsenalin e saj diplomatik e jo vetëm për të bllokuar procesin e anëtarësimit të Malit të Zi duke financuar opozitën pro ruse. Kulmi arriti kur në 16 tetor 2016, autoritetet malazeze deklaruan se kishin parandaluar një grusht shteti, gjatë të cilin parashikohej dhe vrasja e kryeministrit Milo Gjukanoviç. Në këtë plan ishin të përfshirë dhe dy oficer të shërbimeve inteligjente ruse, të cilët u arrestuan në Serbi, por që u lanë të lirë pas vizitës në Beograd të shefit të Këshillit të Sigurisë ruse.
Që prej këtij momenti, marrëdhëniet ruso-malazeze vetëm sa janë përkeqësuar, me akuza të ndërsjella, sanksione ekonomike dhe diplomatike. Rreth 70 individë malazez, duke përfshirë kryeministri aktual Dusko Markoviç, ish-kryeministrin Milo Gjukanoviç, kryetarin e Parlamentit Ivan Brajoviç si dhe një numër të madh zyrtarësh dhe biznesmenësh malazez nuk ju lejohet më të udhëtojnë drejt Rusisë.
Është e vërtet që në periudhën afatshkurtër, Rusia mund t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme Malit të Zi. Kujtojmë këtu që në 2015, 1/3 e investimeve direkte në këtë shtet, kishin prejardhje ruse dhe 20% e turistëve që vizitojnë vendin janë rus. Pikërisht, “varësinë” ekonomike që Mali i Zi ka ndaj Rusisë, Moska e shfrytëzoi për të rritur presionin kundër anëtarësimit në NATO të këtij shteti të vogël që u bë pjesë e lojës së madhe gjeopolitike ndërmjet perëndimit dhe Rusisë.
Përballë shantazhit, Mali i Zi zgjodhi perspektiven euro – atlantike, zgjodhi të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane. Malazezët janë të vetëdijshëm që ata po japin kontributin e tyre ne shndërrimin e një rajoni tradicionalisht të trazuar, siç është Ballkani, në një hapësirë më të sigurt. Midis një aleance me një shtet autoritar, prepotent, në deklino ekonomike siç është Rusia dhe një aleance me bllokun më të fuqishëm ekonomiko – ushtarak, malazezët e bën zgjedhjen e tyre.
Megjithëse Moska për dori çdo shtigjet në harkun e vet për ta bllokuar, Mali i Zi tani është i ankoruar qartësisht në kampin euro – atlantik, duke i dhenë një goditje të rëndë aspiratave ruse në Ballkanin Perëndimor./Bajram Ramaj