Joseph E. Stiglitz, “Project Syndicate”/Donald Trump ka hedhur një granatë dore në arkitekturën ekonomike globale, që u ndërtua me aq kujdes në vitet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Përpjekja për shkatërrimin e këtij sistemi, të bazuar në rregullat e qeverisjes globale – tanimë e dëshmuar me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 mbi klimën – është vetëm aspekti i fundit i sulmit të presidentit amerikan mbi sistemin tonë bazik të vlerave dhe institucioneve.
Bota po përballet dalëngadalë me agjendën dashakeqe të administratës Trump. Ai dhe miqtë e tij, e kanë sulmuar shtypin amerikan – një institucion jetik për ruajtjen e lirive dhe të drejtave të amerikanëve, si dhe demokracisë- si “armikun e popullit”. Ata janë përpjekur të minojnë themelet e dijeve dhe bindjeve tona – epistemologjinë tonë – përmes etiketimit si “të rreme” të çdo gjëje që sfidon qëllimet dhe argumentet e tyre, duke refuzuar madje edhe vetë shkencën.
Justifikimet e gënjeshtërta për të hedhur poshtë Marrëveshjen e Parisit, janë vetëm dëshmia më e fundit e kësaj qasje. Për mijëvjeçarë para mesit të shekullit XVIII, standardet e jetesës kishin mbetur thuajse në vend. Ishte pikërisht Iluminizmi, me përqafimin e tij të diskursit të arsyetuar dhe kërkimit shkencor, që vuri bazat e rritjes më të madhe të standardit të jetesës në shekujt e gjysmë që pasuan.
Me Iluminizmin, erdhi edhe angazhimi për të zbuluar dhe adresuar paragjykimet tona. Teksa idetë e barazisë njerëzore – dhe konkluzioni i tyre, të drejtat themelore individuale për të gjithë – u përhapën shpejt, shoqëritë filluan të përpiqen të eliminojnë diskriminimin në bazë të racës, gjinisë, dhe përfundimisht, aspekteve të tjera të identitetit të njeriut, duke përfshirë aftësinë e kufizuar dhe orientimin seksual.
Trump kërkon ta ndryshojë gjithë këtë. Refuzimi i tij i shkencës, në veçanti shkencës së klimës, kërcënon progresin teknologjik. Dhe fanatizmi i tij ndaj grave, hispanikëve dhe myslimanëve (me përjashtim sheikëve të naftës së Gjirit, prej të cilëve ai dhe familja e tij mund të nxjerrin përfitime), kërcënon funksionimin e shoqërisë dhe ekonominë amerikane, duke minuar besimin e njerëzve se sistemi është i drejtë për të gjithë.
Si një populist, Trump ka shfrytëzuar pakënaqësinë e justifikueshme ekonomike, që është bërë kaq shumë e përhapur vitet e fundit, teksa shumë amerikanë kanë mbetur në vend në mesin e një pabarazie që është thelluar. Por objektivi i tij i vërtetë – pasurimi i mëtejshëm i vetes dhe miqve të tij biznesmenë, në kurriz të atyre që e mbështetën – është zbuluar nga planet e tij mbi taksat dhe kujdesin shëndetësor.
Reforma në politikën e taksave, me aq sa mund të shohim, lë pas edhe George W. Bush në regresivitetin e saj. Dhe, në një vend ku jetëgjatësia është tashmë në rënie, ndryshimi i ligjit mbi kujdesin shëndetësor, do të linte pa sigurim shëndetësor 23 milionë amerikanë.
Ndërsa Trump dhe kabineti i tij, mund të dinë se si të arrijnë një marrëveshje biznesi, nuk kanë as idenë më të vogël se si funksionon në tërësi sistemi ekonomik. Nëse zbatohen politikat makroekonomike të administratës aktuale, ato do të shkaktojnë një deficit të madh tregtar, dhe një rënie të mëtejshme të prodhimit.
Amerika do të vuajnë nën Trump-in. Roli i tij udhëheqës global, qe duke u shkatërruar, madje edhe para se Trump të thyente besimin tek mbi 190 vende, duke u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit. Në këtë pikë, rindërtimi i atij lidershipi, do të kërkojë një përpjekje vërtet heroike. Ne ndajmë një planet të përbashkët, dhe bota e ka mësuar rrugën e vështirë se çfarë duhet për t’u bërë dhe punuar së bashku. Ne gjithashtu kemi mësuar, se nga bashkëpunimi mund të përfitojnë të gjithë.
Pra, si duhet të sillet bota me një fëmijë pizeveng, që dëshiron çdo gjë për vete dhe nuk do të arsyetojë? Si mund të menaxhojë ajo një SHBA “mashtruese”?
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dhënë përgjigjen e duhur, kur pas takimit me Trump dhe udhëheqës të tjerë të G7-ës muajin e kaluar, tha se Evropa nuk mund të “mbështetet më plotësisht tek të tjerët”, dhe se do të duhet të “luftojmë vetë për të ardhmen tonë”.
Është koha që Evropa të ecë e bashkuar përpara, duke e riangazhuar veten me vlerat e Iluminizmit, dhe i rezistuar SHBA-së, sikurse e bëri presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, në një mënyrë elokuente, përmes një shtrëngimi duarsh që injoronte prepotencën e Trump.
Evropa s’mund të mbështetet më tek një SHBA e udhëhequr nga Trump për mbrojtjen e saj. Por, në të njëjtën kohë, ajo duhet të pranojë se Lufta e Ftohtë ka mbaruar – sado që nuk është e gatshme të pranojë, se sa komplekse mund të jetë industria ushtarake e Amerikës.
Ndërsa lufta kundër terrorizmit është e rëndësishme dhe e kushtueshme, ndërtimi i transportuesve të avionëve dhe aeroplanëve superluftarakë nuk është përgjigja e duhur. Evropa duhet të vendosë vetë se sa duhet të shpenzojë, në vend se t’i nënshtrohet diktatit të interesave ushtarake që kërkojnë 2 përqindëshin e PBB-së.
Stabiliteti politik, mund të fitohet me shumë siguri nga ri-angazhimi i Evropës ndaj modelit të saj ekonomik social-demokratik. Ne tanimë e dimë gjithashtu, se bota nuk mund të llogarisë me SHBA-në në adresimin e kërcënimit ekzistencialist që vjen nga ndryshimi i klimës.
Evropa dhe Kina, bënë gjënë e duhur në thellimin e angazhimit të tyre për një të ardhme më të gjelbër – e duhur për planetin, dhe e duhur edhe për ekonominë.
Ashtu si investimet në teknologji dhe arsim, i dhanë Gjermanisë një avantazh të veçantë në prodhimin e avancuar ndaj një SHBA-je të frenuar nga ideologjia republikane, edhe Evropa dhe Azia gjithashtu do të arrijnë një avantazh pothuajse të pakapërcyeshëm ndaj SHBA-së në teknologjitë e gjelbra të së ardhmes.
Por pjesa tjetër e botës, nuk mund të lejojë që një mashtrues të na shkatërrojë planetin. As nuk mund të lejojë një SHBA “gënjeshtare” të përfitojë nga politikat e pandriçuara – dhe në fakt anti-iluministe – të tipit “Amerika e para”.
Nëse Trump dëshiron ta tërheqë SHBA-në nga marrëveshja e Parisit, pjesa tjetër e botës duhet të vendosë një taksë të karbonit mbi eksportet amerikane, që nuk përputhen me standardet globale.
Lajmi i mirë, është se shumica e amerikanëve nuk janë me Trump-in. Shumica e tyre besojnë ende tek vlerat e Iluminizmit, e pranojnë realitetin e ngrohjes globale, dhe janë të gatshëm të hidhen në veprim. Por, për sa i përket shqetësimit të Trump, tashmë duhet të jetë e qartë se një debat i arsyetuar me të nuk do të funksiononte. Është koha për veprim.
Shënim: Joseph E. Stiglitz , fitues i Çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike në vitin 2001, është profesor në Universitetin Kolumbias në SHBA.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce