Turqia do të rindërtojë 500 banesa për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Duket se zona e parë ku do të nisin ndërtimet për strehimin dhe krijimin e një lagjeje tërësisht të re është qyteti i Laçit.
Kryeministri Edi Rama do të shkojë nesër në Stamboll, ku do të organizohet konferenca e donatorëve. Si dhe pritet të ketë një takim me presidentin Rexhep Tayiip Erdogan.
Ndërkohë, ambasadori turk, Murat Ahmet Yoruk tha se krahas ndërtimit të ndërtesave do të ketë dhe hapësira tregtare dhe vendparkime.
“Realizimi i 500 apartamenteve do të bëhet nga shteti ynë. Qëllimi është strehimi i personave të dëmtuar nga tërmeti. Duhet të nisim sa më shpejt”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, ministrja e Kulturës kërkoi që të shihet dhe rindërtimi i godinës së Bashkisë së Laçit, pas dëmtimeve që ka pësuar.