Ambasadori i amerikan në vendin tonë, Donald Lu ka vendosur t’i urojë Vitin e Ri shqiptarëve serish me një këngë ku shfaqet duke kënduar dhe ai. Një vit më parë Donald Lu së bashku me stafin e ambasadës amerikane, përshëndetën qytetarët shqiptarë për festat e fundvitit me këngën “Ja na erdhi viti i ri”. Kjo mënyrë e veçantë e ambasadorit Lu për t’i uruar shqiptarëve Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, është kthyer tashmë në një traditë.
Këtë herë ambasadori Lu ka kënduar këngën klasike të festave “Jingle bells” në oborrin e ambasadës amerikane në vendin tonë.
Ambasadori këtë vit është shoqëruar nga 40 diplomatë amerikanë dhe anëtarë të personelit vendas.
Ndërsa vitin e shkuar ishte përzgjedhur që ambasadorin ta shoqëronte grupi “Alar Band” Kënga e urimit për këtë fundvit, është realizuar në bashkëpunim me këngëtarët Venera Lumani dhe Lindi Islami.
Videoja demonstron përpjekjet e fundit të Ambasadës së SHBA për t’u lidhur me publikun shqiptar nëpërmjet medias sociale. Një video e postuar vitin e kaluar ku personeli i ambasadës këndonte “Ja na Erdhi Viti i Ri” arriti më shumë se 600,000 shikime në faqen e Ambasadës në rrjetin “Facebook”.