Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, bëri publik emrin e opozitës që do të kenë kandidatë për pozicionin e Avokatit të Popullit. Alibeaj tha se emrat e PD-së për të qenë kandidat për Avokat të Popullit ishin Ledio Braho dhe Dorian Gjomarkaj. Ai u shpreh se për të dalë te këta dy emra, janë parë katër kritere kryesore që lidhen me pastërtinë e figurës së tyre, aftësitë profesionale, luajalitetin politik dhe të mos kenë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Në një përzgjedhje të tillë të pozicionit të Avokatit të Popullit, që ne kemi pasur, nëpërmjet qëndrimit tonë duhet të japim sinjale se si duhet të zgjidhen përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Duhet të vendosim në aspektin politik, disa prej kritereve më të rëndësishme që duhet të përmbushë Avokati i Popullit. Njëri nga kriteret kryesore ka qenë pastërtia e figurës. Në analizën e të gjithë kandidatëve që u paraqitën dhe demonstruan aftësitë e tyre në këtë vlerësuam, pastërtinë e figurës.
Së dyti është aftësia profesionale. Duhet të jetë monitorues i administratës shtetërore. Duhet të jetë një zë profesional.
Së treti është që kandidati të mos ketë lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe me diktaturën komuniste.
Së katërti dhe nuk duhet ta fsheh, kriterit të luajalitetit politik. Po e bëj në mënyrë transparente këtë, sepse njerëzit që ne kemi përzgjedhur e kemi parë edhe këtë kriter. Në përfundim të këtij procesi, Grupi i PD arriti në mënyrë unanime që të fokusohet në dy emra, ku i pari është Ledio Braho dhe i dyti është Dorian Gjomarkaj”, u shpreh Alibeaj.