Gjatë një kontrolli blic të zhvilluar në disa institucione të vuajtjes së dënimit, policia ka kapur me telefon disa persona, mes të cilëve edhe emra të njohur të botës së krimit.
Zbulimi i celularëve tregon se burgjet në Shqipëri, kontrollohen nga të dënuarit të cilët cilësohen si “të fortë”. Po kështu kjo situatë shton dyshimet se gardianët dhe drejtuesit e burgjeve janë të përfshirë në futjen e sendeve të paligjshme në qelitë e të dënuarve.
Admir Tafili, Edmond Leskaj, Asmer Bilali dhe Leo Osmënaj janë disa nga emrat e njohur të botës së krimit, që janë kapur me celularë në qeli.
Admir Tafili
Admir Tafili i dënuar për “vrasje, plagosje dhe porositje të atentateve nga burgu” është kapur me telefon në duar në qelinë e burgut të Burrelit, ku është duke vuajtur dënimin.
Edmond Leskaj
Një tjetër emër i njohur është ai i Edmond Leskajt (anëtar i bandës së Gaxhait), të cilit i janë gjetur dy telefona celularë të fshehur poshtë derës së frigoriferit. Telefonat janë gjetur në momentin që Leskaj dhe shoku i tij Leo Osmënaj po transferoheshin nga Peqini në burgun e Drenovës në Korçë.
Asmer Bilali
Kontrollit nuk i ka shpëtuar as ish-kampioni i boksit, Asmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri”, që u godit në shtator të vitit të kaluar në Shkodër dhe në Tiranë, me në krye Safet Bajrin. Gjatë kontrollit të ushtruar në burgun “313” në Tiranë, Bilalit i është gjetur një celular ‘iPhone 5’.
Kontrolli ka qenë i befasishëm dhe sapo ka parë efektivët, Bilali e ka hedhur celularin në tualet, por kjo nuk e ka shpëtuar, pasi telefoni është sekuestruar. Megjithë kontrollet dhe sekuestrimet, Bajri ka publikuar një video në rrjetet sociale nga qelia.