Aksidenti i eskortës në Korçë, një prej gardistëve të plagosur niset me helikopter drejt Tiranës
Detaje të reja kanë dalë pas aksidentit në Korçë, ku u përplasën 4 automjete, dy prej të cilave të eskortës së kryeministrit Rama.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur disa persona, të cilët janë dërguar në spital. Por, mësohet se një nga gardistët e aksidentuar sot në Korcë është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Bëhet fjalë për shtetasin Erion Musai, i cili ka fraktura të rënda në shtyllën kurrizore dhe për këtë arsye është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Po ashtu, të lënduar nga aksidenti kanë mbetur edhe dy punonjës të tjerë të Gardës, konkretisht, Klodian Llaka dhe Shkëlqim Pojana, të cilët po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se më datë 27.11.2017, rreth orës 14:00, në aksin rrugor Maliq-Korçë pranë fshatit Bulgarec, ka ndodhur një aksident rrugor.
Nga të dhënat e para rezulton se në aksident janë përfshirë 4 automjete, ku dy janë të eskortës së Kryeministrit, një mjet tip “Volksvagen” me targë AA 426 FD dhe një “Range Rover” me targë AA 313 DX.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar tre punonjës të Gardës Klodian Llaka, Erion Musai dhe Shkëlqim Pojana, të cilët po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
U ngrit grupi hetimor dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht mësohet se mjeti tip “Wolkswagen”, që udhëtonte në krah të kundërt me eskortën, duke mos respektuar largësinë dhe për shkak të shpejtësisë e lagështisë në rrugë ka goditur makinën tip “Range Rover” që udhëtonte para tij dhe uli shpejtësinë, e më pas makinën e 4-t në radhë të eskortës, e cila ka dalë nga rruga.
I dëmtuar më lehtë është dhe një mjet tip “Mitsubishi” që ishte pjesë e eskortës. Grupi i posaçëm hetimor, i drejtuar nga Prokuroria po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.