Agron Llakaj duket se do të rikthehet në spektaklin më të vjetër të humorit në Shqipëri. Në vitin 2012, Llakaj nisi punën në “Vizion Plus”, duke krijuar “Al Pazar”, një format varieteje i ngjashëm me “Portokalli”. Duket se pas një kohe të gjatë tek “Vizioni”, ai po tenton që të shkëputet, për t’iu rikthyer dashurisë së tij të parë, spektaklit “Portokalli”. Burime brenda “Top Channel”, bëjnë të ditur për “Who” se Llakaj po negocion me ftesë të drejtuesit Ben Blushi për të marrë sërish timonin e “Portokalli”, pas lajmeve se Altin Basha, regjisori i këtij formati prej ditës së parë do të largohet me një format tjetër në “Abc News”.
Pak ditë më parë, Altin Basha i sqaroi këto zëra, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Por zëra të ndryshëm vijojnë të thonë se ai do të ikë nga “Top Channel”.
Tre vite më parë Agron Llakaj u shpreh në “Xing me Ermalin”, për arsyet e largimit të tij nga “Portokalli”.
“Unë ofrova diçka për ndryshim, por mendimi im nuk u përqafua dhe prej momentit kur nuk prodhon më vlerë, e kthehet në një lloj monotonie, mirë është që të largohesh. Unë nuk kam pranuar ndonjëherë që të jem i varur në çengel që dikush të më lëvizë majtas apo djathtas”, u shpreh ai.