Editorial - Opinione

Afera e kobshme që do të shembë sistemin energjetik


               Publikuar në : 19:44 - 10/10/19 M. S

Nga: Klodian Tomorri

Mendjet e mbrapshta nuk pushojnë asnjë ditë të vetme me planet e tyre për të grabitur asetet dhe paranë publike. I fundit që po vihet në jetë këto ditë është një skenar i kobshëm, i cili e shndërron sistemin energjetik të vendit në një piramidë financiare me fund të sigurtë, falimentin.

Në vitin 2017, qeveria shqiptare miratoi planin kombëtar për burimet e rinovueshme të energjisë. Për energjinë diellore, plani parashikonte që në periudhën 2018-2020 Shqipëria të ndërtonte centrale fotovoltaike me kapacitet total të instaluar 120 mega vat. Nga ky kapacitet, 20 mega u dhanë për centrale të vegjël me fuqi deri në 2 megavat, ndërsa pjesa tjetër do të ishin centrale të mëdhenj si i Akërnisë në Vlorë.

Ndarja e centraleve me fuqi deri në 2 mega dhe mbi 2 mega është një element kyç i planit. Sipas ligjit, në rastin e centraleve të vegjël deri në 2 mega, qeveria garanton blerjen e energjisë për 15 vjet me çmimin stratosferik 100 euro për mega vat. Ndërsa për centralet e mëdhenj, çmimi përcaktohet me garë në momentin kur shpallet ankandi dhe në rastin e centralit të Akërnisë ai zbriti deri në 59 euro për mega vat.

Por çfarë ndodhi?

Menjëherë pas miratimit të planit, në Ministrinë e Energjisë vërshuan kërkesat për leje centralesh deri në 2 mega, teksa njerëzit e lidhur me politikën por edhe biznesemenët e mëdhenj i panë këto centrale si një mundësi të artë biznesi për të nxjerrë fitime marramendëse.

Por për shkak të faturës së rëndë financiare që ka blerja e energjisë nga centralet e vegjël për Operatorin e Shpërndarjes, licencat për këto centrale u kufizuan në vetëm 15 të tilla. Pjesa tjetër u kapacitetit ju dha centralit të Akërnisë.

Por teksa u duk se sistemi energjetik shpëtoi nga kërcënimi financiar i centraleve diellore, gjithçka ndryshoi në mënyrë të papritur. Deputetët biznesmenë brenda Partisë Socialiste dhe oligarkët e lidhur me të arritën ta çajnë digën.

Dy muaj më parë, pa zhurmë dhe në mënyrë të beftë qeveria miratoi planin e konsoliduar kombëtar të burimeve të rinovueshme për periudhën 2019-2020. Në mënyrë të papritur, në plan u vendos që për dy vitet e ardhshme, kapacitetet e energjisë diellore të shtohen edhe me 490 megavat vat të tjera.

Por çmenduria nuk mbaron këtu. Dy javë pas miratimit të planit, përmes një urdhëri të datës 16 shtator, Ministria e Energjisë ka ndarë se nga ky kapacitet, 290 mega vat do të jenë centrale të vogla deri në 2 mega dhe pjesa tjetër do të jenë centrale të mëdha. Ky është kërcënimi më i madh për qëndrueshmërinë financiare të Shqipërisë. Llogaritë e kolapsit janë të thjeshta.

Sipas strategjisë për energjinë e rinovueshme, një central diellor me fuqi 2 mega prodhon mesatarisht 3200 mega vat energji në vit. Kjo do të thotë se 145 centralet e parashikuara për tu dhënë në dy vitet e ardhshme do të prodhojnë 464 mijë mega vat energji.

Tani fatura financiare. Blerja e kësaj sasie energjie me çmim 100 euro për mega do t’i kushtojë OSHEE-së 46.4 milionë euro. Por në tre vitet e fundit çmimi mesatar i energjisë nga importi ka qene vëtë 65 euro. Rrjedhimisht sikur kjo sasi energjie të merrej nga jashtë OSHEE, do të paguante vetëm 30 milionë euro. Pra për çdo vit qytetarët shqiptarë do të paguajnë 16.5 milionë euro më shumë, faturë abuzive përmes Operatorit të Shpërndarjes. Dhe për 15 vitet e ardhshme fatura totale e abuzimit shkon në 250 milionë euro.

Kjo nuk është shaka, por një bombë financiare e cila do të shemb përdhe të gjithë sistemin energjetik të vendit dhe financat publike të shtetit. Kujtoni zhurmën që ekspertët e Partisë Socialiste kanë bërë për çmimin me të cilin OSHEE u ble energji heceve private. Ai çmim është vetëm 6.5 euro për mega mbi çmimin e importit. Ky i voltaikëve është 35 euro për mega mbi importin.

Në fakt edhe brenda vetë mazhorancës kjo çështje ka hapur debate të mëdha. Të paktën pjesa ende e përgjegjshme që ka mbetur brenda Partisë Socialiste po e kundërshton planin si çmenduri. Dhe kjo është me të vërtetë një çmenduri financiare, që duhet ndalur një orë e më parë. Në të kundërt, Shqipëria do të shembet përdhe nga falimenti buxhetor, ose shqiptarët do ta paguajnë energjinë më shtrenjtë se në Suedi.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT