E hënë, 8 Mars, 2021
8 C
Tirana

A do trazojë ujërat në Rusi, rikthimi i krye-opozitarit Sergei Navalni?

Nga: Ekaterina Kotrikadze “Project Syndicate”

Aleksei Navalni është gati të trazojë ujërat në muajin më “dembel” në Rusi. Ashtu si në kohën e Bashimit Sovjetik, festa e Vitit të Ri shtrihet deri në gjysmën e janarit, duke u dhënë mundësi rusëve të pinë, të hanë portokalle, dhe të shohin në televizor komedi romantike nostalgjike të viteve 1970.

Politika zakonisht vihet në pritje – por ndoshta jo këtë vit me rikthimin e Aleksei Navalnit të dielën nga Berlini, që pas helmimit të tij gushtin e vitit të kaluar. Fundi i vitit 2020, sinjalizoi që ky Janar do të ishte ndryshe, pasi ne rusët mësuam se Navalni, lideri kryesor i opozitës në vend, ishte shënjestra e një komploti për vrasjen e tij, që ishte organizuar dhe vënë në zbatim gati me siguri me urdhër të Kremlinit.

Në vend se të na mbrojë, FSB, shërbimi sekret rus pasardhës i KGB-së sovjetike, ka qenë i zënë me përpjekjet për të eleminuar kundërshtarët e regjimit. Një hetim i kryer nga gazetarët e Bellingcat, The Insider dhe CNN,na ka dhënë një panoramë më të qartë të operacionit të Kremlinit, për të helmuar Navalnin me agjentin nervor Noviçok, gjatë udhëtimit të tij drejt qytetit siberian Tomsk.

Navalni është me fat që aftësitë e dikurshme të FSB-së mbi “artet e errëta” të eleminimeve, janë atrofizuar me kalimin e kohës. Operacioni dështoi dhe tani Navalni po demaskon hapur agresorët e  tij, njëri prej të cilëve duke besuar se po fliste me dikë brenda“sistemit”, zbuloi detajet operacionale të komplotit përmes një bisede telefonike.

Ishte vetë Navalni, ai që e regjistroi telefonatën. E çfarë duhet më shumë për të provokuar indinjatën e publikut? Duke pyetur kolegët e mi në stacionin e pavarur televiziv Dozhd, shumica ranë dakord që Navalni të ishte njeriu i vitit 2020. Guximi i tij i madh për t’i kërkuar llogari të plotfuqishmëve, ka fituar respektin e mijëra, në mos miliona rusëve.

Por në një sondazh tjetër të kohëve të fundit, vetëm 61 për qind e rusëve raportojnë se kanë “dëgjuar diçka” mbi helmimin e Navalnit, dhe vetëm 17 për qind thanë se kishin ndjekur me vëmendje këtë ngjarje. Ndërkohë 30 për qind e të anketuarve thanë se nuk kishte pasur asnjë komplot, duke besuar se gjithçka ishte një inskenim, ndërsa 19 për qind të tjerë ranë dakord me akuzën e Kremlinit se ky sulm ishte “një provokim i agjencive të inteligjencës perëndimore”.

Vetëm 15 për qind e të anketuarve, e cilësuan atë “si një përpjekje nga autoritetet për të eleminuar një kundërshtar politik”.Këto të dhëna tregojnë 2 gjëra. Së pari, që një pjesë e madhe e rusëve shohin dhe besojnë ende televizionin shtetëror dhe nuk po kërkojnë mendime dhe burime alternative të lajmeve, si ato në YouTube, që tani po shfrytëzohen nga konsumatorët më të njohur të lajmeve ruse.

Së dyti, dhe më shqetësuese se e para, shumë rusëve thjesht nuk u intereson kjo ngjarje e rëndë. Rreth 44 për qind e tyre dëgjuan për këtë krim të rëndë, por ose nuk janë shumë të shqetësuar për të mësuar më shumë, ose janë në një gjendje të mohimit mbi aktet e udhëheqësve të tyre politikë.

Për arsye të ngjashme, shumica e rusëve nuk do t’i mbështesin protestat masive. Në dhjetor 2020, pas hetimit mbi helmimin e Navalnit, vetëm disa aktivistë kundërshtuan hapur regjimin. Për shembull, regjisori Vitali Manski u paraqit para godinës së FSB me një palë të brendshme, duke iu referuar zbulimit se ato mund të ketë qenë mjeti për të helmuar Navalnin me Noviçok.

Protesta e Manskit, mund t’u ketë rënë në sy njerëzve në përgjithësi kreativë, por nuk arriti të nxisë një lëvizje më të gjerë proteste. Sigurisht dimri rus nuk ofron kushte ideale për të dalë në rrugë. E megjithatë, në fillim të viteve 2010, qindra mijëra rusë patën guximin për të protestuar kundër rikthimit të Vladimir Putinit në presidencë, pas periudhës së tij të shkurtër si kryeministër.

Për më tepër, në epokën aktuale rusët mund t’i shprehnin kundërshtimet e tyre ndaj veprimeve të Kremlinit në internet dhe me shumë mënyra të tjera. Ata mund të kërkojnë një hetim objektiv, të pavarur, dhe t`a diskutojnë gjerësisht këtë çështje në rrjetet sociale.

Si president, me siguri që Putini i di detajet e atentatit. Ai e di që shërbimi sekret amerikan nuk kishte asnjë lidhje me të. E megjithatë ai ka pohuar se Navalni mbështetet nga “shërbimet speciale amerikane”, dhe se hetimi i Bellingcat bazohet në “materiale të shërbimit sekret amerikan” të rrjedhura në mënyrë selektive.

Megjithëse e pranon që Navalni ishte nën mbikëqyrjen e autoriteteve, ai thotë se kjo është praktikë standarde. Por nëse amerikanët janë fajtorë vetëm për dhënien e informacionit portalit Bellingcat, atëherë ngrihet pyetja që i bëhet edhe Raskolnikovit në romanin“Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit:Kush e kreu krimin?

Kremlini nuk ofron asnjë përgjigje për këtë pyetje. Një ndër frikërat më të mëdha të Putinit, është se dikush nga rrethi i tij të ngushtë do t`a tradhtojë atë, duke i hapur dyert një “revolucioni shumë ngjyrësh”, si ata që janë parë në Gjeorgji dhe Ukrainë në fillim të viteve 2000.

Ai i ka cilësuar vazhdimisht protestat e mëdha në shtetet post-sovjetike si “puçe të paligjshme” të orkestruar nga Perëndimi. Megjithëse nuk e përmend asnjëherë në publik me emër Navalnin, Putin e krahason rregullisht atë me Mikail Sakashvilin, një nga udhëheqësit e Revolucionit të Trëndafilave në Gjeorgji në vitin 2003.

A është i mundur një “revolucion shumëngjyrësh” në Rusi, duke pasur parasysh që edhe një operacion qeveritar për të vrarë një udhëheqës të opozitës nuk mjafton për të provokuar indinjatën kombëtare? Po kështu, pak rusë u shqetësuan verën e kaluar kur Putini ndryshoi  kushtetutën për të zgjatur sundimin e tij të paktën deri në vitin 2036.

E shkuara e Rusisë – si sovjetike ashtu edhe cariste – u ka mësuar rusëve të sotëm, se ndarja nga udhëheqësi ndodh zakonisht vetëm me vdekjen e tij. Nën Putinin, shumë rusë – veçanërisht ata të brezit të vjetër – kanë arritur të mishërojnë një kombinim të dëshirës për madhështinë e dikurshme perandorake dhe armikut të jashtëm (një fobi kjo e përjetshme). Jeta nën këtë udhëheqës mund të mos jetë ideale. Por siç e kanë mësuar Navalni dhe mbështetësit e tij, nuk është shumë e keqe sa njerëzit të ngrihen dhe ta rrëzojnë nga pushteti.

Burimi i lajmit: https://www.project-syndicate.org/commentary/navalny-poisoning-why-don-t-russians-care-by-ekaterina-kotrikadze-2021-01

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Drama e Sir Alex-it

Sir Alex Ferguson tha se kishte frikë se nuk do të ishte më kurrë në gjendje të fliste përsëri pasi pësoi një hemorragji në...

Itali/ Milani kërkon të rigjejë busullën

Një problem muskular e ka shtuar Ante Rebic-in në një listë të gjatë lëndimesh tek ekipi i Milanit të vendit të dytë përpara transfertës...

Spanjë/ Sot derbi i madh i Madridit, loja bëhet serioze

Atletico Madrid pret Real Madridin në një derbi të kryeqytetit spanjoll që do të lërë gjurmë në garën për titull. Atletico kryeson kampionatin dhe...

Revoltat e dhunshme në Mianmar/ OKB: Ndaloni vrasjen e protestuesve

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Mianmar i ka bërë thirrje këshillit të sigurimit të KB të marrë masa kundër protestave të dhunshme,...

SHBA-ja lëshon alarm për sulm të ri kibernetik

Qeveria amerikane është duke bërë paralajmërime për sulme të mëdha kibernetike, të cilat mund të kenë shënjestruar serverët e kompanisë Microsoft, dhe të cilat...