A do ta ngadalësojë vera përhapjen e Covid-19? Ja çfarë thotë studimi i fundit

Nga: Kieran Sharkey “The Conversation”

Në parim, duket shumë e besueshme që SARS-CoV-2 – virusi që shkakton Covid-19 të  ketë një sjellje sezonale, duke qenë më i përhapur në dimër dhe më pak në verë. Edhe 4 koronavirusët e tjerë që qarkullojnë zakonisht tek njerëzit, sillen në këtë mënyrë.

Dhe në fakt, disa lidhje sezonale midis transmetimit viral dhe stinëve janë mëse të pritshme. Shumë sjellje njerëzore janë sezonale. Në verë, ne kalojmë më shumë kohë jashtë, ku rreziku i infektimit është shumë më i ulët, dhe ka të ngjarë të kemi stile jetese më aktive, të cilat mund të rrisin aftësinë e trupit për t’i rezistuar infeksionit.

Gjithashtu në verë ka më shumë të ngjarë të përfitojmë nga rritja e ekspozimit ndaj rrezeve

të diellit, gjë që rrit nivelet e vitaminës D, duke e forcuar kësisoj sistemin tonë imunitar. Ndërkohë ka prova që rrezatimi ultraviolet (UV) që përmbajnë rrezet e diellit, e zvogëlon kohën e qëndrimit gjallë të virusit nëpër sipërfaqe të ndryshme.

Po ashtu është e mundur që lagështia dhe temperatura, të ndikojnë jo pak tek transmetimi. Dhe kur kombinohen që të gjithë së bashku, këta faktorë ka të ngjarë të kenë një efekt në përhapjen e virusit. Por sa i rëndësishëm është ky efekt? Ndërsa studimet ekzistuese kanë prodhuar rezultate jo përfundimtare, unë dhe kolegët e mi u përpoqëm të jepnim një përgjigje më përfundimtare mbi këto pyetje.

Epidemiologët përdorin numri riprodhues, ose R, për të përshkruar rritjen e një epidemie.

Sa më i lartë të jetë numri R, aq më shpejt përhapet epidemia. Duke përdorur të dhëna nga vatrat në të gjithë botën, studimi ynë i ri përcaktoi R₀ për Covid-19 në 359 qytete të mëdha. Secili qytet i përfshirë në studimin tonë kishte mbi 500.000 banorë, dhe ishte goditur nga një valë e rëndë e rasteve me Covid-19 në vitin 2020.

Ne zbuluam se rrezatimi ultraviolet i rritur, përputhej me uljen e shpejtësisë së përhapjes së virusit. Mesatarisht, R₀ u ul me 0.05 për çdo 10 kiloxhaul për m2 (kJ/m²) rritje në rrezatimin ditor UV (qytetet në të dhënat tona varionin nga 30 kJ/m² deri në rreth 130kJ/m² të UV çdo ditë).

Lexo edhe :   A mund të vaksinohen personat me alergji? Brataj publikon studimin e fundit

Ndërsa nivelet e rrezatimit UV janë më të larta gjatë verës, të dhënat tona sugjerojnë se ka vërtet një efekt sezonal në transmetim viral. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se ky korrelacion nuk do të thotë domosdoshmërisht se rrezatimi UV, është shkaku i kësaj ulje të transmetimit.

Pasi ky rrezatim UV mund të ndërlidhet me faktorë të tjerë shkakësorë. Për shembull, sa më i lartë të jetë rrezatimi UV në një qytet, aq më i nxehtë është ai. Ne nuk gjetëm një lidhje të veçantë statistikisht të rëndësishme midis R₀ dhe temperaturës, apo lagështisë në një nivel global.

Por nuk mund t’i përjashtojmë marrëdhënie të tilla. Lidhja midis përhapjes virale dhe temperaturës ose lagështisë, mund të jetë e maskuar nga shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në R₀, si dhe nga një korrelacion i fortë midis rrezatimit UV dhe temperaturës.

Në fakt, ka disa prova të dobëta të një shoqërizimi midis përhapjes virale dhe temperaturës në studime të tjera. Atëherë, çfarë do të thotë kjo? Ndërsa efekti i rrezatimit ultraviolet që kemi vërejtur ishte statistikisht i rëndësishëm, ai ishte relativisht i vogël në krahasim me faktorët e tjerë.

Tiparet demografike të qyteteve, si madhësia e tyre dhe norma e ndotjes së ajrit (një masë e mundshme e industrializimit dhe bllokimit të popullsisë), së bashku me masat e shëndetit publik përbënin më shumë ndryshime të vëzhguara që pamë në vlerat R₀.

Ndërhyrjet e qeverisë, ndikojnë jo pak në ndryshimin e shpjegueshëm të R₀ krahasuar me UV. Ne mendojmë se në të ardhmen e afërt, valët e mundshme të mëtejshme të pandemisë do të përcaktohen kryesisht nga kontrollet që diktojnë qeveritë, dhe jo aq shumë nga kushtet e motit.

Burimi i lajmit: https://theconversation.com/will-summer-slow-the-spread-of-covid-19-new-research-sheds-light-144654

Përshtatur nga TIRANA TODAY